3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Është koha që shqiptarët e Maqedonisë t`i kthehen problemeve ekonomike

Më të lexuarat

Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë ende po merren me probleme etnike. Edhe pse, realisht problemet e tyre mund të janë sociale, psikologjike dhe ekonomike, ata si prioritet po i japin zgjidhjes së problemeve etnike.

Diskriminimi nga ana e maqedonasve në institucionet e shtetit dhe në të gjitha shtresat shoqërore ka bërë që partitë politike shqiptare në platformat e tyre politike të kanë si prioritet zgjidhjen e problemeve etnike.
Por, a ka ardhur koha që shqiptarët t`i japin hapësirë problemeve ekonomike dhe gjetjes së zgjidhjes së tyre, përmes krijimit të vendeve të reja të punës në komunat shqiptare?
Analisti Muhamed Jonuzi për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal deklaroi se kriza ekonomike shkakton zënka në celulën shoqërore. Ai shpreh problemet familjare midis familjeve shqiptare si rezultat i krizës ekonomike dhe financiare dhe krijimi i revoltave të përbashkëta shoqërore pa konotacion etnik.
“Në aspekt familjar, përshkallëzimi i krizës ekonomike shkakton zënka në celulën shoqërore. Shpesh anëtarët e familjes kanë mundësinë e fajësimit të anëtarit tjetër për “shpenzime enorme” njeri-tjetrin, apo të “status-quo-në” ekonomike të fajësojnë tjetrin anëtarë të familjes, e tëra kjo madje mund të bëjë që edhe fenomeni i dhunës verbale a fizike si atribut tejet negativ të jetë pjesë e përditshmërië në familjet tona.
Nuk janë të paktë rastet e denoncimit të së njëjtës, jo vetëm në rrafshin burrë-grua, prind-fëmijë, por tashmë kemi raste edhe të përkeqësimit të raporteve familjare dhe të ushtrimit të dhunës nga fëmijët karshi prindërve, si fenomen i cili nuk ka qenë “praktikë” e mentalitetit dhe vetëdijes sonë shoqërore. “, deklaroi Jonuzi për Zhurnal.
Jonuzi, shtoi se kriza ekonomike krijon edhe probleme sociale dhe psikologjike tek njerëzit duke i dhënë hapësirë që të kanë impakt edhe në konsumimin e pijeve alkoolike dhe substancave narkotike.
“Kjo edhe për faktin që kriza ka impakt në konsumimin e pijeve alkoolike dhe substancave narkotike, me ç’rast personi për t’i ikur realitetit në të cilin gjendet, synon të gjejë “prehjen” në gjendjen kur ai nuk është i vetëdijshëm se çka ngjan në rrethin ku ai jeton!
Në kontekst social, kriza ekonomike bën që njerëzit të kenë botëkuptim tejet negativ për rrjedhat socio-politike, dhe si pasojë e pamundësisë së shprehjes së revoltës dhe ndryshimit të aktualitetit si individ, sikurse në rastin tonë konkret iu bashkangjiten edhe turmave në protesta të ndryshme, të cilat pos karakterit etnik e politik që mund ta kenë, në vetë ngërthejnë edhe pakënaqësi të thella krize ekonomike. “, deklaroi Jonuzi për Zhurnal.
Në anën tjetër, Halim Alimi, njohës i rrethanave politike mendon se në Maqedoni është e vështirë që shqiptarët të largohen nga problemet etnike, pasi që në psikikën e tyre janë mbjell këto probleme dhe është e vështirë që ato të çrrënjosen në tërësi.
“ Mund të them se nga ky fenomen historik nuk mund që të largohemi aq shpejtë, pasi që është një mbjellje psikike se si shqiptarët, nënat, motrat apo fëmijët tanë janë torturuar nga barbarizmi maqedono-sllav dhe serbo-sllav në tri luftërat e fundit shqiptare. Askush, askujt nuk mund t`ia largoje frikën nga mendja njerëzve. “ deklaroi Alimi për Zhurnal.
Ai shtoi se ekonomia e Maqedonisë gjendet kah fundi në rang listat botërore dhe kjo është njëra prej arsyeve që shqiptarët, po edhe maqedonasit të ikin nga ky vend.
Sipas tij, shqiptarët në Maqedoni duhet që t`i kthejnë sytë kah kapacitetet ekonomike dhe për një kohë të harrojnë në problemet etnike.
“ Ekonomia e Maqedonisë në rang listat botërore është në fund. Kjo është arsyeja që jo vetëm shqiptarët, por edhe të tjerët po largohen nga vendi për të siguruar një jetë sa më të mirë për fëmijët dhe familjet e tyre.
Mungesa e mos zhvillimit ekonomik dhe mos krijimit të vendeve të reja të punës në komunat shqiptare bëhet nga ana e ndikimeve politike. Njerëzit janë të lodhur dhe ata kanë nevojë më shumë të dëgjojnë për punësimet e tyre, të zgjidhen problemet e tyre ekzistenciale sesa për probleme të natyrës etnike, të cilat edhe pse janë mbjell në psikikën tonë, ato nuk duhet që të mbisundojnë gjatë tërë kohës.
Shqiptarët përfundimisht duhet që t`i kthejnë sytë dhe kapacitetet e tyre kah ekonomia, me qëllim që popullata shqiptare të mos ikë nga ky vend”, deklaroi Alimi për Zhurnal.
Përndryshe, shkalla e pa punësisë në komunat shqiptare është tejet e madhe. Ende ka komuna shqiptare ku nuk ka asnjë zonë të lirë ekonomike, të mos flasim për investime në ekonomi.
Edhe pse shumë qytete maqedonase janë shumë më të vogla me numër banorësh sesa komuna si për shembull Saraji ose Likova, ato po thithin shumë investime direkte të huaja, si dhe po përfitojnë nga buxheti i shtetit. Në anën tjetër, popullatat në komunat shqiptare po varen direkt nga të ardhurat që i marrin nga mërgimtarët.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit