Përpjekja e Tel Avivit për të diktuar politikën e jashtme të Uashingtonit ka marrë një goditje të ashpër.
Udhëtimi i Benjamin Netanyahut në SHBA për të bllokuar shitjen e avionëve F-35 Turqisë dështoi përpara se të niste.
Reagimi arrogant i Donald Trump, “asnjëri nuk më tregon se çfarë duhet të shesim”, uli siparin e iluzionit izraelit. Izraeli po dëshmon një paaftësi kronike për të kuptuar se nuk është ai qendra e botës.
Pretendimi i tij për të pasur të drejtë vetoje mbi vendimet e superfuqisë amerikane nuk është thjesht naivitet, por një arrogancë e rrezikshme gjeopolitike.
Nën lidershipin radikal të Netanyahut, Izraeli po e trajton aleancën me Amerikën si një rrugë me një kalim, ku detyra e vetme e SHBA-së është të financojë dhe të mbrojë verbërisht agjendën e tij ushtarake.
Duke e demonizuar Turqinë si një “regjim ekstremist”, Tel Avivi tenton të imponojë një vizion bardhëzi mbi rajonin. Por kjo skenografi propagandistike nuk funksionon me Trumpin.
Për Uashingtonin, pesha ushtarake e Turqisë ka një rëndësi strategjike që interesat imediate të Izraelit nuk mund ta anulojnë dot. Logjika transaksionale e Trumpit tani po favorizon hapur Rexhep Tajip Erdoganin, të cilin ai e konsideron një mik të ngushtë.
Me afrimin e zgjedhjeve, pozitat e brendshme të Netanyahut po dobësohen dita-ditës. Dhe ky dobësim nuk ka kaluar pa u vënë re në Shtëpinë e Bardhë.
Trump e sheh tashmë opozitën izraelite si një opsion shtesë dhe të volitshëm. Uashingtoni ka nevojë për një lidership më pak radikal në Tel Aviv.
Ai kërkon një qeveri më të bindur ndaj diktatit dhe planeve të tij globale, pa pasur nevojë të menaxhojë tekat e një kryeministri të izoluar.
Në planin ndërkombëtar, Izraeli po përballet me një humbje të paprecedentë të legjitimitetit. Edhe nëse këtë herë Netanyahu do t’i shpëtojë përkohësisht arrestimit për krime lufte, kjo nuk ia ndryshon dot fatin.
Izraeli po shndërrohet në një shtet të përbuzshëm në arenën ndërkombëtare për ato që ka bërë në Lindjen e Mesme dhe sidomos në Palestine.
E ardhmja e afërt për lidershipin aktual duket plotësisht e pasigurt. Kjo krisje e re me Trumpin tregon se kur interesat e SHBA-së vihen në lojë, asnjë aleat, sado agresiv, nuk është i paprekshëm.
Izraeli po e gjen veten më të vetmuar se kurrë, i bllokuar mes krimeve të veta dhe humbjes së mbështetjes së pakushtëzuar amerikane. \tesheshi.com\
