Aspekte të edukimit kuranor në formimin e personalitetit besimtar

Më të lexuarat

(1) Besimi në kader (caktimin hyjnor)… fillimi i qetësisë, jo fundi i saj

Ka ende disa etapa të jetës që më rikthehen fuqishëm në kujtesë sa herë kaloj pranë ajeteve të kaderit në Librin e Allahut. Njëra prej tyre, që ka lënë gjurmën më të thellë në shpirtin tim, ishte dita kur u largova nga qyteti im pas diplomimit në universitet dhe u nisa për në Shqipëri, duke iu përgjigjur këshillës së disa prej shejhëve të mi. Atëherë isha një i ri në hapat e parë të jetës; nuk mbaja në zemër veçse pak qetësi dhe përpara meje shihja vetëm të panjohurën.

Ankthi më paraprinte në çdo mendim. Po shkoja drejt një shoqërie që ndryshonte nga mjedisi im në gjuhë, zakone, tradita, kulturë, madje edhe në tiparet e fytyrës dhe ngjyrën e njerëzve.

Në heshtje pyesja veten:
Si do të jetoj atje? A do të gjej vend për veten mes një populli që nuk e njoh dhe që nuk më njeh?

Por ditët ma zbulonin, njëra pas tjetrës, se Allahu po përgatiste për mua të mira që unë nuk do të dija t’i përgatisja kurrë për veten time.

Ai vend, ku hyra si i huaj, u bë vend i dashurisë dhe i afërsisë; banorët e tij u bënë si familja ime. Ajo vetmi që e kisha frikë u shndërrua në një shkollë të davetit, në një fushë përvoje dhe në një derë të së mirës, që as nuk më kishte shkuar ndonjëherë në mendje.

Ndërkohë, rrethanat në vendin tim u bënë aq të vështira, sa më penguan të kthehesha. Atë që dikur e konsideroja largim nga familja dhe atdheu, e kuptova më vonë se ishte, në të vërtetë, mbrojtje nga Allahu, një zgjedhje më e mëshirshme se zgjedhja ime dhe shumë më e urtë se shikimi im i kufizuar.

Që prej asaj kohe e kuptova se shumë prej caktimeve të Allahut nuk kuptohen në fillimin e tyre; urtësia e tyre shfaqet vetëm në fund. Dhe sa më shumë që zemra i beson zgjedhjes së Allahut, aq më shumë mbushet me qetësi përballë asaj që ende nuk e njeh nga rruga.

Ndoshta kjo është një pjesë e asaj që mbjellin në zemër ajetet madhështore të sures El-Hadid, të cilat nuk mjaftohen vetëm duke i treguar besimtarit se caktimet janë shkruar, por e edukojnë atë ta shohë tërë jetën me syrin e kënaqësisë dhe bindjes.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Asnjë fatkeqësi nuk ndodh në tokë e as në vetveten tuaj, veçse është e shënuar në një Libër para se Ne ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është e lehtë. Kjo është që të mos dëshpëroheni për atë që ju ka ikur e të mos gëzoheni me mendjemadhësi për atë që Ai ju ka dhënë. Allahu nuk e do asnjë mendjemadh e mburravec.”
(Sure El-Hadid, 22–23)

Edukimi kuranor e fillon ndërtimin e njeriut nga thellësia e zemrës së tij. Ai e formon këndvështrimin e tij ndaj universit dhe jetës përpara se të drejtojë sjelljen dhe veprat e tij, sepse sjellja është fryt i bindjes, ndërsa veprat janë vazhdim i asaj që është rrënjosur në zemër.

Kur njeriu e njeh drejt Zotin e tij dhe e sheh jetën e ngjarjet që ndodhin rreth tij me syrin e besimit, atëherë shpirti i tij drejtohet, zemra qetësohet dhe sjellja e tij bëhet e ekuilibruar.

Prandaj, Kurani nuk e bën korrigjimin e veprave hapin e parë. Përkundrazi, themelin e edukimit e vendos në korrigjimin e mënyrës së të menduarit prej së cilës burojnë veprat. Ai nuk merret me pasojat para shkaqeve, as me degët para rrënjëve dhe as me emocionet para bindjeve që i formojnë ato.

Për këtë arsye, ky ajet fisnik na mëson se ajo që e godet njeriun nuk është rrëmujë, nuk është rastësi e verbër dhe as rezultat i shkaqeve të pavarura nga vullneti i Allahut. Përkundrazi, gjithçka ndodh brenda dijes së Tij të përhershme, shkrimit të Tij të përsosur dhe urtësisë së Tij të pakufishme.

Kurani nuk e vendos besimtarin përballë fatkeqësisë si një ngjarje të shkëputur. Fillimisht e vendos përballë Zotit të tij, Zotit të fatkeqësisë. Nuk e përmend ngjarjen pa e lidhur me dijen e Allahut dhe nuk e përmend sprovën pa e kthyer tek urtësia e Tij.

Kështu njeriu kalon nga robëria e ngjarjeve në horizontin e gjerë të besimit dhe nga trazimi përballë shkaqeve në qetësinë nën hijen e Krijuesit të shkaqeve.

Për këtë arsye, Pejgamberi ﷺ i edukoi sahabët mbi këtë parim madhështor përpara se t’i godisnin sprovat e jetës. Ai i tha Abdullah ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me ta), kur ai ishte ende djalosh:

“Dije se, sikur i gjithë umeti të mblidhej për të të bërë dobi me diçka, nuk do të mund të të bënte dobi veçse me atë që Allahu e ka shkruar për ty. Dhe sikur të mblidheshin për të të dëmtuar me diçka, nuk do të mund të të dëmtonin veçse me atë që Allahu e ka shkruar kundër teje.”
(Transmeton et-Tirmidhiu; hadithi është sahih.)

Këto nuk janë fjalë që thuhen vetëm pasi ndodh fatkeqësia. Ky është një program edukimi për ta ndërtuar njeriun përpara se sprova të vijë, që kur ajo të zbresë, të gjejë një zemër të mbushur me bindje dhe një shpirt të përgatitur për kënaqësi me caktimin e Allahut.

Ky kuptim u mishërua në mënyrën më madhështore gjatë hixhretit, kur Pejgamberi ﷺ dhe shoku i tij, Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të), u strehuan në shpellë. Idhujtarët u afruan aq shumë, sa Ebu Bekri tha:

“Po të shikonte ndonjëri prej tyre poshtë këmbëve të tij, do të na shihte.”

Të gjitha shkaqet e dukshme tregonin rrezik, por zemra e Profetit ﷺ shihte përtej tyre. Ai tha:

“Çfarë mendon për dy veta, i treti i të cilëve është Allahu?”
(Sahih el-Buhari dhe Sahih Muslim)

Pamja e jashtme nuk ndryshoi, por zemra u mbush me ndjenjën e afërsisë së Allahut. Dhe kur zemra mbushet me këtë ndjenjë, frika zvogëlohet, vizioni bëhet i drejtë dhe njeriu merr vendime me mendje të qetë, jo me shpirt të trazuar.

Kjo është tulla e parë në ndërtimin e personalitetit besimtar: të jetosh në botën e shkaqeve, por me zemër të lidhur me Zotin e shkaqeve.

T’i marrësh shkaqet si bindje ndaj urdhrit të Allahut, por të mos mbështetesh tek ato. Të punosh në këtë botë, por të mos e lidhësh qetësinë tënde me mjetet që zotëron ose me ato që humbet.

Shumë prej ankthit që e lodh njeriun sot buron pikërisht nga prishja e kësaj perspektive. Ai e bart barrën e së ardhmes sikur gjithçka të ishte vetëm në dorën e tij. Mendon se furnizimi i tij varet vetëm nga llogaritë e tij dhe se suksesi është i lidhur me çdo shkak të dukshëm. Prandaj, kur mungon një shkak, humbet edhe qetësia e tij.

Kurani e çliron njeriun nga kjo robëri. Ai e mëson se marrja e shkaqeve është adhurim, ndërsa lidhja e zemrës me to është pakujdesi ndaj Allahut. Besimi në kader nuk e fton njeriun në dorëzim pasiv, por i jep atij qetësi gjatë punës, durim kur pengohet dhe falënderim kur arrin sukses, sepse e di se e gjithë kjo ndodh sipas urtësisë së Allahut, e cila nuk gabon kurrë, dhe mëshirës së Tij, e cila nuk mungon kurrë.

Prandaj, besimi në kader në edukimin kuranor nuk ishte një çështje teorike, për të cilën debatoheshin teologët. Ai ishte një forcë që ndërtonte shpirtrat, i bënte të palëkundur thirrësit në rrugën e Allahut dhe formonte burra të fortë në fushat e sprovave përpara se t’i nxirrte në fushat e triumfit.

Kështu e fillon Kurani ndërtimin e personalitetit besimtar: duke e korrigjuar vizionin e tij përpara emocioneve të tij dhe duke e forcuar besimin e tij përpara se të merret me ndjenjat e tij.

Kur zemra vendoset mbi bindjen e palëkundur, qetësohet edhe shpirti, pesha e ankthit lehtësohet dhe besimtari fillon të shohë në çdo caktim të Allahut një derë drejt urtësisë, në çdo sprovë një rrugë drejt mëshirës dhe në çdo zgjedhje të Allahut një të mirë, e cila mund t’i fshihet sot syrit të tij, por për të cilën nesër do ta falënderojë Zotin e tij.

E Allahu ka urtësi të panumërta në krijimin e Tij.
Hasen Abbas

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit