📋 Në pozitën e “të qënit i huaj (el-gurbe)”, Ibn Kajjim përmend një hadith, ku Profeti ﷺ thotë:
“Vërtet, Allahu i do ata që janë të fshehtë, të devotshëm, të pafajshëm, të cilët kur mungojnë nuk vërehen, dhe kur janë të pranishëm nuk njihen. Zemrat e tyre janë si llamba të udhëzimit, dalin (të fituar) nga çdo sprovë e verbër dhe e errët.”
Pas këtyre fjalëve, Ibn Kajjim thotë:
“Këta janë të huajt (el guraba) e lavdëruar, të cilëve u lakmohet gjendja. Dhe për shkak se janë shumë të paktë në mesin e njerëzve, janë quajtur ‘të huaj’.
– Kështu, njerëzit e Islamit janë të huaj mes njerëzve në përgjithësi.
– Besimtarët janë të huaj në mesin e muslimanëve.
– Njerëzit e dijes janë të huaj në mesin e besimtarëve.
– Njerëzit e Sunetit, të cilët e dallojnë atë nga epshet dhe risitë, janë të huaj edhe në mesin e atyre që kanë dije.
– E ata që thërrasin në Sunet dhe durojnë dëmtimet e kundërshtarëve të tyre – ata janë më të huajt mes të gjithëve.
E mbi të gjitha, këta janë në të vërtetë njerëzit e zgjedhur të Allahut. Nuk ka huajësi për ta, përveç se në mesin e shumicës së njerëzve, për të cilët Allahu ka thënë:
“E nëse u bindesh shumicës së atyre që janë në tokë, do të të largojnë nga rruga e Allahut.” El-En‘am: 116”
📚 “Medarixh es-Salikin” vëll. 4, fq. 70
Perktheu: Fatjon Isufi
