Urrejtësit e Islamit, apo ata që parapëlqejnë një “islam të tredhur” në mesin e shqiptarëve, edhe pse në terren janë pak, ata janë një pakicë e zhurmshme e mirëorganizuar, që gjendet kryesisht në mesin e ateistëve e laicistëve dhe një pakice katolike. Arma që ata përdorin më së shumti, dhe kryesisht e vetmja, është teza nacionaliste që thotë se: sa më shumë mysliman të jesh aq më pak shqiptar je!
Pra sipas tyre, që të jesh shqiptar i vërtetë duhet të jesh më pak mysliman apo madje duhet të jesh më shumë laik apo edhe katolik, përndryshe je turk, arab, shqiptarofob etj.
Sigurisht që të gjithë këta ndahen në disa kategori dhe nuk motivohen nga të njëjtat bindje dhe qëllime. Disa në mënyrë absurde, kombin dhe shqiptarinë e shohin si fe, si një identitet qiellor të ngjizur që nga lashtësia që nuk mbahet mend, edhe atëherë kur në fakt nuk ekzistonte koncepti i kombit. Në mesin e këtyre gjen ata, që në mënyrë qesharake rreken që shqipen ta vendosin etimologjikisht si rrënjë të gjuhëve të mëdha të botës! Disa të tjerë janë nostalgjikë të komunizmit dhe nacionalizmit enverist, dhe identitetin fetar, sidomos atë islam, e shohin si cenim të shqiptarisë, pikërisht sepse po u cenohet dogma e tyre. Ndërsa disa të tjerë shqiptarinë e lidhin vetëm me të qenit perëndimor, dhe çdo afrim me Islamin na largon nga Evropa dhe na shpie drejt Lindjes kulturalisht dhe ideologjikisht. Shumë nga këta lidhjen me Perëndimin e shohin në mënyrë pragmatike, si mirënjohje për ekzistencën e Shqipërisë dhe Kosovës, dhe se një identitet i shtuar islam do të na vinte në rrezik kombëtar për tu pushtuar nga fqinjët dhe për tu braktisur nga Perëndimit, si dikur kur na ndanë dhe përcaktuan kufijtë që kemi sot. Natyrisht që mbeten edhe ata që shqiptarinë e lidhin në mënyrë ekskluzive vetëm me fenë dhe besimin e tyre, dhe të tillë i gjen më së shumti në radhën e katolikëve.
Sigurisht që kjo nuk është një ndarje me thikë, pasi ka mjaft nuanca dhe larmi në këtë panoramë të përmbledhur, por thelbi i të gjithave qëndron në bindjen apo qoftë edhe vetëm retorikën se: forcimi dhe ngritja e vetëdijes islame identitare tek shqiptarët përbën rrezik për kombin shqiptar!
Sigurisht që e gjitha kjo buron kryesisht nga interpretimi ideologjik dhe anti-islam që i është bërë historisë sonë kombëtare shto këtu edhe syzet e islamofobisë së sotme me origjinë perëndimore.
Të gjithë atyre që e besojnë sinqerisht këtë tezë, dhe jo atyre që e përdorin si kamuflim, u themi: e keni shumë gabim, sepse jo vetëm që nuk njihni si duhet historinë dhe nuk e keni kuptuar drejtë atë, por të jeni të bindur se ata që kanë identitet më të fortë islam në mesin e myslimanëve shqiptarë janë edhe më atdhetarët dhe patriotët dhe këtë e kanë treguar edhe në kohët më të vështira për shqiptarët dhe do ta tregojnë përsëri.
Laicizmi, Komunizmi, Pellazgomania, Oksidentalizmi, Katolicizmi, Ortodoksia dhe Islami, të gjitha janë bindje ideologjike e fetare në thelb dhe konkurrenca e natyrshme mes tyre është absurde dhe e pandershme të kamuflohet pas nacionalizmit dhe shqiptarisë, ndërkohë që secila konkurron me ofertën e saj për parimet që mbart.
Ne myslimanët shqiptarë nuk i konsiderojmë si jo shqiptarë ata që nuk janë si ne, edhe pse për ne besimi dhe feja jonë është e vërteta e Zotit që duhet ndjekur, por në këtë botë secili është i lirë të besojë dhe zgjedh atë që do, dhe çdokush është përgjegjës për zgjedhjen e tij. Ndërkohë asnjë nga kategoritë e përmendura më sipër, që e shohin Islamin si joshqiptar, jo vetëm që janë anakronik, trushpëlarë dhe të vetëmashtruar, por dhe të padrejtë dhe çojnë ujë në mulli të antishqiptarisë.
Kombi dhe shteti shqiptar historikisht lindi, qoftë si emër qoftë si koncept, pikërisht kur shumica dërmuese e shqiptarëve ishin tashmë myslimanë dhe tentativat e sotme të alarmit fals për të zhbërë këtë lidhje organike që shqiptarët kanë me Islamin, janë përpjekje të dëshpëruara që motivohen në thelb nga injoranca ose islamopatia dhe jo nga shqiptaria.
Hoxhë Dr. Justinian Topulli
