Teksa po shfletoja disa tekste të shekullit XVI që lidhen me polemikat fetare të kohës së Reformacionit të Kishës, më ra në sy emri i një teologu protestant: Matthias Flacius Illyricus. Që në shikim të parë më tërhoqi vëmendjen mbiemri i tij – “Illyricus”. Illyricus lindi në Labin (Albona) në gadishullin e Istrias (sot në Kroaci). Ai përdori mbiemrin “Illyricus”, që nga latinishtja do të thotë “Iliri”, për të theksuar prejardhjen nga territori që në histori quhej Iliri.
Vetë fakti që një autor i asaj kohe përdorte këtë emërtim është interesant, sepse dëshmon se termi Illyricus dhe kujtesa për atë hapësirë historike vazhdonte të qarkullonte në kulturën intelektuale edhe në shekullin XVI.
Illyricus ishte autor i një numri të madh veprash në latinisht dhe gjermanisht. Ndër tekstet që më tërhoqi veçanërisht vëmendjen ishte një botim i vitit 1549 me titull latin “Epistola cuiusdam pii concionatoris ex Turcia ad M. Illy. (Mathias Illyricus) missa, qualis nam status Eua gelij, & Ecclesiarum sub Turco sit indicans, cu Prafatio ne Illyrici.” – që mund të përkthehet si “Letër nga një predikues i devotshëm nga Turqia (territori osman) drejtuar M. Illyricusit, që tregon se cili është statusi i Ungjillit dhe i Kishave nën Turkun (Perandorinë Osmane), me një parathënie nga Illyricus”.
Ky tekst është interesant sepse pasqyron një realitet shpesh të anashkaluar të Evropës së shekullit XVI. Në një kohë kur protestantët në shumë pjesë të Evropës përballeshin me përndjekje dhe presion nga autoritetet katolike, ata gjenin strehim në territoret e Perandorisë Osmane. Sipas autorit të letrës, predikuesit protestantë jo vetëm që lejoheshin të qëndronin atje, por edhe gëzonin mbrojtjen e autoriteteve lokale osmane dhe lirinë për të predikuar.
Një fragment nga kjo letër është mjaft domethënës:
“…na mbrojtën në mënyrë të admirueshme përmes Prefektëve dhe Magjistratëve turq; sepse pothuajse të gjithë magjistratët e turqve, e sidomos juriskonsultët, të cilët ata vetë i quajnë “kadi”, nuk e di se si, na favorizojnë.
Rreth festave të Gjon Pagëzorit, konsulli i Tholnës (Tolna, Hungari), i ashtuquajturi Ludam Regeum, me një shumë të madhe parash iu drejtua arkëtarit të Cezarit (Sulltanit), duke kërkuar me ngulm që unë ose të vritesha, ose të dëbohesha nga qyteti; por nuk ia doli as me njërën, as me tjetrën.
Ndërkohë, disa njerëz të devotshëm e dërguan çështjen tonë te Pashai, magjistrati më i lartë. Ai, pasi u njoh me çështjen tonë, për pak sa nuk i preu kokën konsullit dhe urdhëroi që predikuesit e besimit ungjillor (të cilin Martin Luteri e zbuloi – sepse kështu ai e quan besimin ungjillor) të predikojnë kudo lirisht për të gjithë ata që duan ta dëgjojnë. Dhe të gjithë hungarezët dhe sllavët bashkë, që duan, pa frikë rreziku, ta dëgjojnë dhe ta pranojnë këtë fjalë.
…
Këtu në Tholna kam qëndruar tashmë shtatë muaj, kam ndërtuar një shkollë, sepse papistët (katolikët) mbajnë shkollën e vjetër. Kemi pothuajse gjashtëdhjetë dëgjues (nxënës) që studiojnë letërsinë, dhe mbi pesëqind njerëz të thjeshtë…”.

