Imam Ebu Abas Ahmed ibn Ibrahim ibn Abdurrahman Vasiti, i njohur si Hazami, shkroi një libër dhe u dërgoi shokëve të Shejhul Islam Ibn Tejmijes, duke i porositur që të qëndronin fort me shejhun dhe duke i nxitur të ndjekin rrugën e tij.
Ky është një nga kapitujt e këti libri:
Kapitull
Pastaj, kur ta keni kuptuar këtë, njihni të drejtën e këtij njeriu që është mes jush, dhe vlerën e tij. Të drejtën dhe vlerën e tij nuk e njeh askush përveç atij që njeh fenë e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe vlerën e saj. Ai që e ka vendosur në zemrën e tij fenë e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në vendin që i takon, e kupton se çfarë ka bërë ky njeri mes robërve të Allahut: ai ndreq të shtrembëruarit e tyre, përmirëson prishjen e tyre dhe përpiqet, aq sa mundet, t’i bashkojë e t’i rregullojë ata në një kohë të errët, kur feja është shtrembëruar, sunetet janë harruar, bidatet janë bërë të zakonshme, e mira është bërë e keqe dhe e keqja e mirë, dhe ai që kapet pas fesë së tij është si ai që kapet pas prushit. Shpërblimi i atij që ngrihet me këtë dritë në mes të këtyre errësirave nuk përshkruhet dot dhe vlera e tij nuk matet.
Kjo është nëse ju e njihni atë nga ana e çështjes së dukshme të sheriatit. Por ka edhe njerëz që e njohin atë nga një anë tjetër, nga brendësia: nga thellimi i tij në njohjen e Emrave dhe Cilësive të Allahut, madhështisë së Qenies së Tij, lidhjes së zemrës së tij me rrezet e dritës së tyre, përfitimit nga veçoritë e tyre dhe nga përjetimet më të larta shpirtërore, nga kalimi i tij nga e dukshmja në të brendshmen, nga ajo që shihet në të fshehtën, dhe nga e fshehta në të dukshmen, nga bota e krijimit në botën e urdhrit, e të tjera gjëra që nuk mund të shpjegohen në një libër.
Shejhu juaj, Allahu e forcoftë, është njohës i gjykimeve të sheriatit të Allahut, njohës i vendimeve të Tij të caktuara me kader, dhe njohës i çështjeve që lidhen me Emrat dhe Cilësitë e Tij. Një njohës i tillë, me shikimin e brendshëm, mund të shohë zbritjen e urdhrave ndërmjet shtresave të qiejve dhe tokës, siç ka thënë Allahu:
ٱللَّهُ ٱلَّذِي خَلَقَ سَبۡعَ سَمَٰوَٰتٖ وَمِنَ ٱلۡأَرۡضِ مِثۡلَهُنَّۖ يَتَنَزَّلُ ٱلۡأَمۡرُ بَيۡنَهُنَّ
“Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre…” (Surja Talak, 12).
Njerëzit zakonisht ndiejnë atë që ndodh në botën e dukshme, ndërsa këta njerëz me shikimin e tyre të brendshëm e kanë vështrimin drejt së fshehtës dhe presin atë që sjellin caktimet e Allahut; ndonjëherë ata e ndiejnë atë kur zbret.
Prandaj mos e nënvlerësoni një njeri të tillë për shkak të përzierjes së tij me njerëzit dhe angazhimit të kohës së tij me ta. Sepse, siç është transmetuar nga Xhunejdi, Allahu e mëshiroftë, kur i thanë: “Sa shumë e thërret Allahun mes njerëzve!”, ai u përgjigj: “Unë i thërras njerëzit ndërsa jam para Allahut.”
Prandaj kini frikë Allahun në ruajtjen e edukatës ndaj tij, bindjuni urdhrave të tij, ruani të drejtat dhe nderin e tij në të fshehtë dhe në të dukshme, doni atë që e do atë, largohuni nga ai që e urren, e nënçmon apo e përçmon atë, mbroni nderin e tij dhe qëndroni në mbrojtje të tij në të drejtën.
Dijeni, Allahu ju mëshiroftë, se ka prej atyre që kanë udhëtuar nëpër vende, i kanë njohur njerëzit, shijet e tyre dhe i kanë parë nga afër shumicën e gjendjeve të tyre; dhe pasha Allahun, pasha Allahun, pasha Allahun: nën këtë qiell nuk është parë si shejhu juaj në dije, në gjendje shpirtërore dhe në moral, në ndjekje, në bujari, në durim ndaj vetes dhe në qëndrimin e tij për Allahun kur cenohen të shenjtën e Tij. Ai është më i sinqerti në besë, më i saktë në dije dhe vendosmëri, më i thelli dhe më i larti në përkrahjen e së vërtetës dhe në ngritjen e saj, më bujari me dorën e tij dhe më i plotë në ndjekjen e Pejgamberit Muhammed sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
Në këtë kohën tonë nuk kemi parë askënd tek i cili të shfaqet aq qartë udhëzimi pejgamberik dhe Suneti i Muhammedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në fjalët dhe veprat e tij sa tek ky njeri, në një mënyrë që zemra e drejtë dëshmon se kjo është ndjekja e vërtetë.
Megjithatë, thënia e së vërtetës është detyrë: ne nuk pretendojmë për të paprekshmëri nga gabimi dhe as plotësimin e të gjitha cilësive të kërkuara. Mund të ndodhë që te disa të tjerë të ketë ndonjë veçori e caktuar që kërkohet dhe që plotësia e përgjithshme nuk arrihet pa të, dhe ajo veçori te dikush tjetër mund të jetë edhe më e theksuar; por në tërësi, po të thellohemi, do të gjejmë se shejhu ynë është më i lartë se të tjerët edhe kur ata kanë ndonjë veçori të veçantë. Këtë nuk e mohon një njeri i drejtë dhe i ditur. Sikur të mos ishte detyrë të thuhej e vërteta dhe të shmangej animi i verbër ndaj njerëzve, do të heshtja për këtë; por e vërteta duhet thënë, qoftë e pëlqyeshme apo e vështirë. Allahu është Ndihmuesi.
Nëse e keni kuptuar këtë, Allahu ju përforcoftë, atëherë ruajeni zemrën e tij, sepse një njeri i tillë mund të jetë i madh në mbretërinë e qiejve. Përpiquni për ta kënaqur sa të mundeni, kërkoni dashurinë dhe afrimin e tij me çdo gjë që mundeni; sepse një njeri i tillë është dëshmitar, dhe dëshmitarët e kësaj kohe janë të lidhur pas të tillëve. Nëse e fitoni dashurinë e tij, shpresoj për ju një veçori që nuk po e përmend hapur, ndoshta disa prej jush do ta kuptojnë, e ndoshta do ta them që të mos jua fsheh këshillën.
Kjo veçori është: që t’ju jepet një pjesë nga pjesa e tij e veçantë muhammedane (domethënë pjesë nga ndjekja e tij e veçantë e Pejgamberit ﷺ dhe afërsia e tij me Allahun në atë rrugë) në lidhjen me Allahun. Kjo përcillet përmes dashurisë së shejhut për nxënësin dhe përmes përpjekjes së nxënësit për të fituar dashurinë e shejhut, duke u sjellë mirë me të, duke ruajtur zemrën dhe ndjenjat e tij dhe duke kërkuar dashurinë dhe afrimin e tij. Shpresoj që kështu të merrni një pjesë nga ajo që ai ka mes tij dhe Allahut, përveç asaj që përfitoni nga dija e tij e dukshme, nga dobitë dhe nga udhëheqja e tij, me lejen e Allahut.
Shpresoj gjithashtu që, nëse rregulloni marrëdhënien tuaj me Zotin tuaj duke ruajtur atë orë të veçantë me Allahun, duke u larguar në të nga çdo gjë tjetër, dhe duke bartur ndikimin e asaj ore në pesë namazet dhe në namazin e natës, atëherë do t’ju hapet njohja e vërtetë e këtij njeriu dhe e gjendjes së tij, me lejen e Allahut.
E përmenda ruajtjen e asaj ore, edhe pse në pesë namazet ka mjaftueshmëri nëse robi i kryen siç duhet, sepse ndonjëherë namazi e gjen njeriun me zemrën tërhequr nga gjërat e dukshme dhe ai nuk e kupton pjesën e zemrës së tij te Zoti i tij. Por kur ai e njeh këtë gjendje në atë orë të veçantë mes ditës dhe natës, atëherë kur vijnë namazet ai e njeh gjendjen e tij, shtimin dhe pakësimin e saj sipas asaj që përjetoi në atë orë. Allahu është Ndihmuesi.
Përktheu: Fitim Gërguri
24.02.2026
