Një hetim i gjerë i realizuar nga rrjeti amerikan CNN ka zbuluar detaje tronditëse mbi fatin e dhjetëra palestinezëve që u zhdukën në afërsi të zonës së Zikimit, pranë kufirit verior të Gazës, teksa përpiqeshin të merrnin ndihma humanitare. Të afërmit e tyre deklarojnë se nuk kanë ende asnjë informacion për vendndodhjen apo fatin e tyre.
Sipas hetimit, ushtria izraelite ka zhvendosur dhe varrosur trupat e disa prej të vrarëve në varre të cekëta e të panjohura, shumë pranë vendkalimit. Në raste të tjera, mbetjet njerëzore janë lënë të shpërbëhen në terren të hapur, për shkak të pamundësisë së ekipit të shpëtimit për të hyrë në zonën ushtarake.
CNN ka analizuar qindra video, fotografi dhe dëshmi të mbledhura nga zona përreth Zikimit, përfshirë intervista me dëshmitarë okularë dhe shoferë lokalë të kamionëve të ndihmave. Rrjeti zbuloi gjithashtu se disa nga civilët që kërkonin ndihmë janë vrarë nga zjarr i pakontrolluar izraelit pranë vendkalimit.
Pamjet satelitore të siguruara nga CNN tregojnë punime intensive gërmimi gjatë gjithë verës në zonat ku ndodhën vrasjet. Dy video të verifikuara nga rrjeti, të regjistruara në qershor, paraqesin trupa të varrosur pjesërisht rreth një kamioni ndihmash të përmbysur.
Dëshmitë e ish-ushtarakëve izraelitë dhe banorëve lokalë
CNN ka intervistuar edhe dy ish-ushtarakë izraelitë, të cilët konfirmuan raste të tjera të ngjashme gjatë luftës në Gaza, ku trupat e palestinezëve janë varrosur në varre të cekëta në zona të ndryshme të territorit. Ata kërkuan të ruanin anonimatin, duke qenë se nuk janë të autorizuar të flasin për këtë çështje.
“Shoh trupa sa herë kaloj nëpër Zikim… Kam parë buldozerët izraelitë duke i varrosur”, tha një shofer kamioni, duke shtuar se në muajin korrik “ishte e pamundur të mos i shikoje”, ndaj mbante gjithmonë “dritaret e makinës të mbyllura”.
Një tjetër shofer deklaroi se “buldozerët e ushtrisë izraelite ose i varrosnin trupat ose i mbulonin me dhe”.
Dy dëshmitarë okularë i thanë CNN-it se më 7 shtator, teksa banorët kërkonin për ndonjë gjurmë të familjarëve të zhdukur, gjetën trupa që dukeshin se ishin shkatërruar nga buldozerët.
