Çdo kompani do të ndjente pasojat nëse “flluska e inteligjencës artificiale” shpërthen, paralajmëroi Sundar Pichai, CEO i kompanisë mëmë të Google, Alphabet.
Në një intervistë me BBC News, Pichai vlerësoi se rritja e investimeve në inteligjencën artificiale (IA) është një “moment i jashtëzakonshëm”, por në të njëjtën kohë paralajmëroi për një “irracionalitet” të caktuar që shoqëron bumin aktual në këtë teknologji.
Deklarata e tij vjen në një kohë frike të shtuar në Silicon Valley dhe më gjerë se mund të formohet një “flluskë”, pasi vlera e kompanive të IA-së është rritur me shpejtësi në muajt e fundit, dhe investimet po tejkalojnë gjithnjë e më shumë kapacitetin real të tregut.
Kur u pyet nëse Google mund të kursehej në rast të një “shpërthimi të flluskës”, Pichai theksoi se gjigandi i teknologjisë mund të përballet me pasojat e mundshme, por ai gjithashtu lëshoi një paralajmërim.
“Nuk mendoj se ndonjë kompani do të jetë imune, përfshirë ne,” tha ai.
Aksionet e Alphabet janë dyfishuar në vlerë vetëm në shtatë muaj, duke arritur në 3.5 trilionë dollarë, pasi tregjet kanë fituar besim shtesë në aftësinë e kompanisë për t’iu përgjigjur presionit konkurrues nga pronari i ChatGPT, OpenAI.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar zhvillimit nga Alphabet të superçipave të specializuar të inteligjencës artificiale që përfaqësojnë konkurrencë të drejtpërdrejtë me zgjidhjet nga Nvidia, kompania e udhëhequr nga Jensen Huang, e cila së fundmi u bë kompania e parë në botë me një vlerë prej pesë trilionë dollarësh. /tesheshi.com/
