Dita e Librit dhe rëndësia e diturisë në Islam – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

23 Prilli – Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit është një festë ndërkombëtare që kremton fuqinë e librit dhe leximit. Kjo ditë është shpallur nga UNESCO në vitin 1995 dhe synon të promovojë leximin, botimin dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit.

Kjo datë u zgjodh pasi përkon me ditën kur ndërruan jetë dy prej shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë botërore: William Shakespeare dhe Miguel de Cervantes, më 23 prill 1616.
Në shumë vende të botës, kjo ditë shënohet me aktivitete kulturore, lexime publike, panaire librash, dhurata librash për fëmijët dhe fushata ndërgjegjësimi për rëndësinë e leximit. Shkollat, bibliotekat dhe shtëpitë botuese shpesh organizojnë aktivitete që i ftojnë të gjithë të rikthehen te magjia e leximit.
Analizë:
Shifne vitin në të cilin është përcaktuar 23 Prilli si ditë e Librit! Vitit 1995! Sa vonë jemi për t’i dhënë leximit, dijes dhe librit vendin e duhur.
Shifne arsyen pse është zgjedhur kjo datë për të qenë dita e librit dhe të drejtës së autorit!
Vdekja e dy shkrimtarëve të njohur botërisht Shekspiri dhe Servantesi, 23 Prill 1616!!!
Krahaso me datën kur zbriti ajeti i parë në Kuran me: Lexo!
Ajeti i parë i Kur’anit Fisnik u zbrit më 10 Gusht 610 (në vitin 610 të erës sonë), në muajin e Ramazanit, në Shpellën Hira, afër Mekës. Ky ajet është pjesë e surës Al-Alaq (Sura 96, ajetet 1-5), dhe është i njohur për fjalën e parë të shpallur ndaj Profetit Muhamed (Paqja qoftë mbi të), që është “Iqra” (Lexo).
1000 vjet më parë zbret ajeti i parë i Kuranit dhe fillon me LEXO!
Rëndësia e diturisë në Islam
Nuk ka dyshim për asnjë njeri të arsyeshëm se Islami është feja e dijes dhe njohjes.
• Asgjë nuk e tregon më mirë këtë sesa fakti që fjala e parë që zbriti nga Libri i Allahut të Lartësuar te Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) ishte:
﴿ اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ * خَلَقَ الْإِنْسَانَ مِنْ عَلَقٍ * اقْرَأْ وَرَبُّكَ الْأَكْرَمُ * الَّذِي عَلَّمَ بِالْقَلَمِ * عَلَّمَ الْإِنْسَانَ مَا لَمْ يَعْلَمْ ﴾ [العلق: ١ – ٥].
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte”.
(Sureja El-Alak: 1-5)
• Allahu i Lartësuar në shumë ajete të Kuranit na urdhëron të përdorim arsyen, të mendojmë, të thellohemi dhe të reflektojmë, dhe qorton ata që nuk e përdorin mendjen për atë për të cilën është krijuar.
Ai thotë:
﴿ أَمْ تَحْسَبُ أَنَّ أَكْثَرَهُمْ يَسْمَعُونَ أَوْ يَعْقِلُونَ إِنْ هُمْ إِلَّا كَالْأَنْعَامِ بَلْ هُمْ أَضَلُّ سَبِيلًا ﴾ [الفرقان: ٤٤]
“A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë apo mendojnë? Ata nuk janë tjetër veçse si kafshët, madje edhe më të humbur në rrugë.” (Sureja El-Furkan: 44)
Dhe gjithashtu thotë:
﴿ وَلَقَدْ ذَرَأْنَا لِجَهَنَّمَ كَثِيرًا مِنَ الْجِنِّ وَالْإِنْسِ لَهُمْ قُلُوبٌ لَا يَفْقَهُونَ بِهَا وَلَهُمْ أَعْيُنٌ لَا يُبْصِرُونَ بِهَا وَلَهُمْ آذَانٌ لَا يَسْمَعُونَ بِهَا أُولَئِكَ كَالْأَنْعَامِ بَلْ هُمْ أَضَلُّ أُولَئِكَ هُمُ الْغَافِلُونَ ﴾ [الأعراف: ١٧٩].
“Ne kemi krijuar për Xhehenemin shumë xhindë dhe njerëz – kanë zemra me të cilat nuk kuptojnë, sy me të cilët nuk shohin, dhe veshë me të cilët nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më të humbur. Ata janë të shkujdesurit.” (Sureja El-A’raf: 179)
• Njeriu është i urdhëruar të largohet nga padija me të cilën ka lindur, duke ndjekur rrugën e dijes dhe njohjes, duke përdorur shqisat që Allahu ia ka dhuruar:
﴿ وَاللَّهُ أَخْرَجَكُمْ مِنْ بُطُونِ أُمَّهَاتِكُمْ لَا تَعْلَمُونَ شَيْئًا وَجَعَلَ لَكُمُ السَّمْعَ وَالْأَبْصَارَ وَالْأَفْئِدَةَ لَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ ﴾ [النحل: 78].
“Allahu ju nxori nga barku i nënave tuaja, pa ditur asgjë, dhe ju dha dëgjimin, shikimin dhe zemrat, në mënyrë që të falënderoni.”(Sureja En-Nahl: 78)
• Muhammedi, ﷺ, i nxiti muslimanët të kërkojnë dijen dhe të ecin në rrugën e saj. Ai tregoi se kërkimi i dijes është një lloj xhihadi në rrugën e Allahut dhe se kërkuesi i dijes është si një luftëtar derisa të kthehet në shtëpinë e tij.
((مَن خرَج في طلب العلم، كان في سبيل الله حتى يرجِع))
“Kushdo që del për të kërkuar dijen, është në rrugën e Allahut derisa të kthehet.” (Tirmidhiu, hasen).

• Melaqet e mëshirës e nderojnë atë.
Pejgamberi, ﷺ, tha:
((إنَّ الملائكة لتَضعُ أجنحتَها لطالب العلم رضًا بما يطلُب))
“Me të vërtetë, engjëjt ulin krahët e tyre për kërkuesin e dijes nga kënaqësia për atë që ai po kërkon.” (Tirmidhiu, sahih).

• Kërkimi i dijes është edhe rrugë për të arritur Xhenetin:
Pejgamberi, ﷺ, tha:
((مَن سلك طريقًا يلتمسُ فيه علمًا، سهَّل الله له به طريقًا إلى الجنَّة))
“Kush ndjek një rrugë për të kërkuar dije, Allahu ia lehtëson atij rrugën për në Xhenet.” (Muslimi).

• Muhammedi, ﷺ, e tregoi gjithashtu se dija është më e vlefshme se adhurimi, sepse përfitimi i saj kalon te të tjerët, ndryshe nga adhurimi që është individual dhe përfitimi është jokalimtar.
فضلُ العالمِ على العابِدِ، كفَضْلِي علَى أدناكم، إِنَّ اللهَ عزَّ وجلَّ وملائِكتَهُ، و أهلَ السمواتِ والأرضِ، حتى النملةَ في جُحْرِها، وحتى الحوتَ، ليُصَلُّونَ على معلِّمِ الناسِ الخيرَ
“Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit është sikurse vlera ime ndaj më të ultit tuaj. Allahu i Madhërishëm edhe melaqet e Tija, banorët e qiejve dhe të tokës, madje edhe buburreci në vrimën e vet e balena në oqean luten për atë që u mëson njerëzve të mirën”. (Tirmidhiu, sahih).
Dija e synuar këtu është çdo dije që i sjell dobi njeriut në fenë dhe jetën e tij – qofshin ato shkencat fetare apo shkencat e kësaj bote – si mjekësia, inxhinieria, astronomia, teknologjia, dhe çdo dije tjetër që sjell dobi shoqërisë.
Mirëpo duhet bërë dallimi ndërmjet:
1- Dijes me të cilën ndreq besimin, adhurimin dhe moralin e njeriut, e kjo dije është obligim për çdo musliman. (Farzi ajn).
2- Dijes praktike apo teorike, që ka të bëjë me nevojat e përditshme të shoqërisë – kjo është një detyrë kolektive (farz kifaje). Nëse disa e përvetësojnë, të tjerët janë të liruar. Por nëse askush nuk e merr këtë përgjegjësi, të gjithë janë mëkatarë.
“Realiteti i ummetit Islam sot, por edhe realiteti ynë kombëtarë, është se shumica e anëtarëve të tij janë mëkatarë; ata hanë atë që nuk e mbjellin, veshin atë që nuk e thurrin e nuk e qepin, përdorin atë që nuk e prodhojnë dhe mbrohen me atë armatim që e blejnë nga të tjerët; prandaj, vendimet e tyre janë të varura nga armiqtë e tyre, kurse fati dhe ekzistenca e tyre është në rrezik dhe në test!”
• Allahu i ka ngritur me grada ata që kanë dije:
﴿ يَرْفَعِ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنْكُمْ وَالَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ دَرَجَاتٍ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ ﴾ [المجادلة: 11]
“Allahu i ngrit në shkallë ata që besuan dhe ata që u janë dhënë dija.” (Sureja El-Muxhadele: 11)
Ai gjithashtu tha:
﴿ قُلْ هَلْ يَسْتَوِي الَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَالَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ إِنَّمَا يَتَذَكَّرُ أُولُو الْأَلْبَابِ ﴾ [الزمر: 9].
“Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë? Veçse kujtohen vetëm njerëzit e arsyeshëm.” (Sureja Ez-Zumer: 9)
• Allahu e ka përmendur dëshminë e dijetarëve përkrah dëshmisë së Tij dhe të engjëjve:
﴿ شَهِدَ اللَّهُ أَنَّهُ لَا إِلَهَ إِلَّا هُوَ وَالْمَلَائِكَةُ وَأُولُو الْعِلْمِ قَائِمًا بِالْقِسْطِ لَا إِلَهَ إِلَّا هُوَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ ﴾ [آل عمران: 18]
“Allahu dëshmoi se s’ka zot tjetër përveç Tij, dhe edhe engjëjt dhe ata që kanë dije – me drejtësi.” (Sureja Ali Imran: 18)
• Dijetarët janë ata që kuptojnë shembujt që përmenden në Kuran dhe janë referencë për të tjerët në çështjet e fesë dhe jetës:
﴿ وَتِلْكَ الْأَمْثَالُ نَضْرِبُهَا لِلنَّاسِ وَمَا يَعْقِلُهَا إِلَّا الْعَالِمُونَ ﴾ [العنكبوت: 43]
“Këta shembuj Ne ua paraqesim njerëzve, por ata nuk i kupton kush, përveç dijetarëve”. (El-Ankebut: 43).
﴿ فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِنْ كُنْتُمْ لَا تَعْلَمُونَ ﴾ [النحل: 43؛ الأنبياء: 7].
“Pyetni të diturit, nëse nuk e dini.” (Sureja En-Nahl: 43 dhe El-Enbija: 7).
• Dituria është mejdani i garave mes besimtarëve:
Muhammedi, ﷺ, thotë:
((لا حسد إلَّا في اثنتين: رجُل آتاه الله مالًا فسُلِّط على هلَكَته في الحقِّ، ورجُل آتاه الله الحكمةَ فهو يقضي بها ويُعلِّمها))
“Nuk lejohet lakmia (zilia) veçse në dy raste: ndaj një njeriut që Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai e shpenzon në të drejtën; dhe ndaj një njeriut që Allahu i ka dhënë urtësi (dije), me të cilën gjykon dhe ua mëson tjerëve atë.” (Buhariu dhe Muslimi).
• Dija që lavdërohet është ajo dije që e afron njeriun te Allahu, që i jep atij frikërespekt ndaj Tij:
Allahu i Madhërishëm thotë:
﴿ إِنَّمَا يَخْشَى اللَّهَ مِنْ عِبَادِهِ الْعُلَمَاءُ ﴾ [فاطر: 28]
“Vetëm dijetarët i frikësohen Allahut.” (Sureja Fatir: 28)
• Kjo dije i shton besim njeriut dhe e afron atë te Zoti:
﴿ لَكِنِ الرَّاسِخُونَ فِي الْعِلْمِ مِنْهُمْ وَالْمُؤْمِنُونَ يُؤْمِنُونَ بِمَا أُنْزِلَ إِلَيْكَ وَمَا أُنْزِلَ مِنْ قَبْلِكَ ﴾ [النساء: 162]
“Por ata që janë të vendosur në dije dhe besimtarët, besojnë në atë që të është zbritur ty dhe në atë që është zbritur para teje.” (Sureja En-Nisa: 162)
• Allahu nuk i ka urdhëruar muslimanët të luten për diç tjetër nga të mirat e kësaj bote sikur i ka urdhëruar të luten për shtim të dijes, e i drejtohet Muhammedit, ﷺ, e i thotë:
﴿ وَقُلْ رَبِّ زِدْنِي عِلْمًا ﴾ [طه: 114].
“Thuaj: O Zoti im, më shto dijen!” (Sureja Taha: 114)
Dituria ka edhe anët negative nëse vendoset në tokë të keqe
1- Dijet që e shtojnë arrogancën, mendjemadhësinë apo largimin nga bindja ndaj Allahut dhe Profetit të Tij, janë të rrezikshme dhe do të jenë shkak ndëshkimi në Ditën e Gjykimit.
Muhammedi, ﷺ, lutej e thoshte:
اللهم إني أعوذ بك من علمٍ لا ينفعُ، ومن قلبٍ لا يَخشعُ، ودُعاءٍ لا يُسمع، ونفسٍ لا تشبعُ”
“O Allah, më ruaj nga dija që nuk sjell dobi, nga zemra që nuk përkulet, nga lutja që nuk dëgjohet dhe nga shpirti që nuk ngopet.” (Ebu Davudi, sahih).
2- Ndër shenjat e mos-përfitimit nga dija është kur ajo çon në mendjemadhësi apo vetëkënaqësi, duke harruar se Allahu:
﴿ نَرْفَعُ دَرَجَاتٍ مَنْ نَشَاءُ وَفَوْقَ كُلِّ ذِي عِلْمٍ عَلِيمٌ ﴾ [يوسف: 76].
“Ne i ngremë në grada kë të duam, dhe mbi çdo të ditur ka dikë më të ditur.” (Sureja Jusuf: 76)
3- Gjithashtu, ai që e kërkon dijen për përfitime materiale apo për pozitë, nuk do të marrë shpërblim.
Pejgamberi, ﷺ, tha:
((مَن تعلَّم علمًا ممَّا يُبتغى به وجه الله عزَّ وجل؛ لا يتعلَّمُه إلَّا ليُصيب به عرضًا من الدُّنيا لم يجِد عَرف الجنَّة يوم القيامة))
“Kushdo që mëson një dije që kërkohet për kënaqësinë e Allahut, por ai e mëson për përfitime të kësaj bote, ai nuk do të ndjejë aromën e Xhenetit në Ditën e Gjykimit.” (Ahmedi, sahih).
4- Dhe kush e fsheh dijen që duhet të përhapë, do të ndëshkohet:
((مَن سُئل عن علمٍ عَلِمَه ثُمَّ كَتمه، أُلجِم يوم القيامة بلِجامٍ من نارٍ))
“Kushdo që pyetet për një dije dhe ai e fsheh atë, do të jetë i gozhduar me një fre zjarri Ditën e Gjykimit.” (Tirmidhiu, sahih).
5- Asnjë musliman nuk duhet të flasë apo të veprojë pa dije, sepse Allahu do ta marrë në llogari për këtë:
﴿ وَلَا تَقْفُ مَا لَيْسَ لَكَ بِهِ عِلْمٌ إِنَّ السَّمْعَ وَالْبَصَرَ وَالْفُؤَادَ كُلُّ أُولَئِكَ كَانَ عَنْهُ مَسْئُولًا ﴾ [الإسراء: 36].
“Mos e ndiq atë që nuk ke dije për të, sepse dëgjimi, shikimi dhe zemra – të gjitha do të merren në llogari.” (Sureja El-Isra: 36)
Përfundim:
Feja jonë është feja e dijes. Ummeti islam duhet të jetë pararojë në çdo fushë të dijes dhe të shkencës. Islami, me mësimet dhe vlerat e tij, kurrë nuk ka qenë pengesë për zhvillim apo përparim. Përkundrazi, ai ka qenë motori i civilizimit islam ndër shekuj. Rënia dhe dobësia e sotme e muslimanëve nuk duhet t’i pengojë ata në rikthimin e lavdisë së tyre të dikurshme. Historia islame ka dëshmuar kontributin e madh dhe të jashtëzakonshëm që ka dhënë në përparimin e qytetërimeve botërore.

Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit