Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, deklaroi sot se jep dorëheqjen nga posti i tij për shkak të zhvillimeve në Serbi, e cila prej më shumë se dy muajsh është skenë e protestave dhe bllokadave të studentëve pas tragjedisë së shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
Vuçeviq tha në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në Beograd se e gjithë qeveria është në dorëheqje, ose në një mandat teknik derisa të zgjidhet një e re.
Duke theksuar se është krenar për sukseset ekonomike gjatë nëntë muajve të fundit në krye të Qeverisë, Vuçeviq tha se tragjedia e ndodhur më 1 nëntor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona, hodhi hije gjatë vitit të kaluar dhe në mandatin e qeverisë së tij.
“Që nga ai moment Serbia dukej se ishte ngecur në atë aksident”. Fatkeqësisht, ne kemi parë edhe një herë abuzime politike të tragjedisë dhe përpjekje nga dikush për të kapitalizuar politikisht nga fatkeqësia”, tha Vuçeviq.
Ai vuri në dukje domosdoshmërinë e qetësimit të emocioneve, përfundimit të ndarjeve dhe normalizimit të punës së institucioneve.
Ai dënoi dhunën, duke përfshirë incidentin e mbrëmshëm ku u plagos një studente në Novi Sad.
“Partia që unë drejtoj duhet të tregojë shkallën më të lartë të përgjegjësisë, të sjellë ligje të reja në politikën serbe dhe të tregojë se është më e përgjegjshmja, prandaj, pas kësaj ngjarjeje të re në Novi Sad, vendimi im i parevokueshëm është të jap dorëheqjen si kryeministër i Republikës së Serbisë”, tha Vuçeviq.
Mes të tjerash, ai shtoi se për këtë ka folur sot në mëngjes me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe se edhe ai ka pranuar vendimin e tij për dorëheqje.
Vuçeviq ka bërë të ditur se për të njëjtat arsye sot do të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Novi Sadit, Millan Gjuriq.
Le të çojë kjo në qetësimin e pasioneve, në kthimin e dialogut politik dhe social për të cilin Serbia ka shumë nevojë”, përfundoi Vuçeviq.
Ai shtoi se ai dhe kryetari Gjuriq mbajnë përgjegjësi objektive për atë që ndodhi në Novi Sad dhe se ata me dëshirë po paguajnë “çmimin politik”.
/trt BALLKAN/