Loja e keqpërdorimit të termave është e vjetër sa vetë njeriu. Ka nisur me Iblisin që tha jam më i mirë se Ademi, me Faraonin që akuzoi Musain (alejhi selam) se donte të bënte shkatërrime në tokë, me jehudët dhe romakët që thuhet (nga ata që e besojnë) se vranë Isain (alejhi selam) si ngatërrestar, me Muhamedin (alejhi salatu ue selam) që e akuzuan se solli përçarje në popull dhe ofendoi idhujt e politeistëve…
Luftëtarët për liri në shumë vende, pushtuesit zullumqarë i kanë vrarë duke i emërtuar si terroristë dhe rebelë, shpesh edhe me duart e vëllezërve të tyre. Është një histori që përsëritet, derisa vjen koha që servilët dhe pretenduesit e politikës së hollë dhe “mendjemprehtë” të gjoja mbijetesës, ngelen njollë turpi në historinë e atij vendi. Ndaj dhe ky soj njerëzish në fakt me “largpamësinë” e tyre nuk shkon kurrë përtej interesit të ngushtë të pretenduar të çastit. Ata nuk mendojnë për historinë dhe as se çfarë emri do të lënë trashëgimi pas. Të tillë, a thua vallë i tremben Ahiretit më shumë?
Të jesh në krye të një institucioni, para se të jetë nder është përgjegjësi, është barrë. I Dërguari i Zotit thoshte: “Zotëria i një populli është shërbyesi i tyre.” Ndaj dhe në krye të njerëzve vihen ata që dinë të mbajnë dhe përballojnë barrën që iu vihet. Pjesë e barrës është edhe të qenit i urtë por trim, të qenit burrë me tërë kuptimin e fjalës. Lider nuk është ai që vihet në krye të një posti, qoftë edhe me zgjedhje, e jo më me makinacione dhe katapultime, por lider është ai që së pari e tregon veten, duke mbajtur qëndrime fisnikërie dhe burrnie, jo ai që bën hesape të ngushta atypëratyshëm të humbjes dhe përfitimit personal apo sektar.
Imagjinoni nëse Ebu Bekri (radijAllahu anhu) nuk do të kishte mbajtur ato qëndrime që dihen, pas vdekjes së Profetit (alejhi salatu ue selam), si do të kishte qenë halli i këtij ymeti në të ardhmen?!
Sigurisht që shumë prej njerëzve kanë natyrë të dobët dhe nuk i përballojnë dot sfidat, nga të cilat ata ndjejnë rrezik, dhe pikërisht për këtë arsye, ata nuk duhet të ëndërrojnë dhe as të pranojnë kurrsesi, as me detyrim, të marrin poste, të cilat kërkojnë burrni e guxim, me tërë kuptimin e fjalës, dhe jo spurdhjakë dhe ata që kanë frikë nga hija e tyre.
Natyrisht, edhe ky soj njerëzish që bën për lart pa asnjë meritë dhe aftësi personale, veç zvarritjes, bindjes së verbër dhe lëpirjes, kanë teknikat e tyre të mbrojtjes dhe justifikimit. Duke qenë njerëz pa shtyllë kurrizore, mbështetjen e kërkojnë tek zullumqarët e fortë, pavarësisht faktit se cilët janë ata. Kështu që ata përvetësojnë dhe keqpërdorin terminologjinë e këtyre zullumqarëve, duke etiketuar opozitarët dhe kundërshtuesit e tyre parimorë si ekstremistë dhe radikalë, ndërkohë që vetë veshin petkun e shtirur të tolerancës dhe liberalëve.
Gylenizmi, duke nisur që nga kreu i tij, ka jetuar dhe punuar pikërisht me këtë filozofi servilizmi butakësh, duke pretenduar për çudi, t’i kthejë krenarinë Islamit me këtë metodë lëngaraqësh, që e quan urtësi dhe për rrjedhojë, është përdorur dhe përdoret më së miri nga agjentura të ndryshme, që pa diskutim kanë agjendë të kundërt me nijetin e derdimenëve të sinqertë mes tyre. Kështu që nuk është aspak habi, pse të tillë njerëz pa integritet dhe dinjitet personal i gjen me shumicë në këtë organizatë të errët okulte, sepse përzgjidhen, përpunohen e edukohen për të qenë pikërisht të tillë. Ndaj dhe njerëzit që afrojnë pranë tyre, jo nga soji i tyre, janë pikërisht të tillë, butakë të qullët si vetë ata.
Ky soj jo-vertebrorësh, është rrezik afatgjatë për vetë fenë dhe institucionin që drejton, sepse nëse nesër -mos e dhëntë Zoti!- një urdhër të jepet për t’i dhënë fund institucioneve fetare si në 1967, këta janë të parët që do ta zbatojnë. Por me shumë gjasa, kjo metodë nuk pi më ujë, kështu që këta të sotmit do të shërbejnë për të zbatuar të tjerë urdhra të mundshëm që kanë efekt të ngjashëm me atë të 1967.
Ligësia e butakërisë së tyre është shumë më e madhe sesa ajo që del herë pas here në sipërfaqe, e keqja e tyre zhvillohet pa u ndjerë. Këto që ndodhin janë vetëm sinjale, të cilat ata nuk i shmangin dot, por janë shenja nga Zoti, për të na zgjuar nga gjumi letargjik ku ndodhemi, por që kemi vite që flasim dhe pak e vënë ujin në zjarr nga ata që duhet ta vënë, por që kanë zgjedhur të shpëtojnë nga etiketimi “ekstremistë”, duke zgjedhur të bëhen ”tolerantë” dhe të bindur ndaj butakërisë që drejton KMSH-në e uzurpuar nga “brezi i artë” i Mesisë gyleniste.
Hoxhë Dr. Justinian Topulli