3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Faktorët që po i kontribuojnë dhunës me armë zjarri dhe si parandalohet ajo

Më të lexuarat

Në Kosovë së voni janë regjistruar disa raste të dhunës me armë zjarri, që kanë çuar edhe në vrasje. Njohësit e çështjeve të sigurisë kërkojnë që shteti të bëjë më shumë sa i përket konfiskimit të armëve ilegale, pasi argumentojnë se ato mund të gjenden lehtë në tregun e zi. Ata, po ashtu, kërkojnë rritjen e operacioneve policore, për të ulur numrin e incidenteve të armatosura.

Numri i lartë i armëve ilegale dhe mosprioritizimi i sigurisë publike nga institucionet, po kontribuojnë, sipas njohësve të fushës së sigurisë, që në Kosovë të ndodhin raste të dhunës me armë zjarri.

Ditëve të fundit, në vend ka pasur vrasje, por edhe incidente të tjera me armë zjarri, që kanë sjellë në vëmendje gjendjen e sigurisë publike.

Më 1 shtator, dy grupe të armatosura u përleshën në një lagje të Prishtinës. Autoritetet thanë se mosmarrëveshjet e mëhershme mes dy grupeve të armatosura ishin shkaku i kësaj përleshjeje, që la të vrarë një person.

Profesori i Kriminalistikës në Kolegjin AAB, Fatmir Çollaku, thotë për Radion Evropa e Lirë se qërimi i hesapeve mes grupeve kriminale dhe me të kaluar kriminale “është një dukuri e rëndomtë në botën moderne”.

Udhëheqësi i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Ramadan Ilazi, thotë për REL-in se janë dy faktorë që po krijojnë cenueshmëri ndaj dhunës me armë të vogla.

I pari, sipas tij, është prania e një numri të madh të armëve të vogla të zjarrit, të cilat “janë lehtë të qasshme për njerëzit në tregun e zi”. Me këtë pajtohet edhe Çollaku.

“I dyti: viteve të fundit siguria publike nuk duket që ka qenë prioritet për shkak se shumica e vëmendjes dhe kohës është investuar në pjesën veriore të Kosovës, me sa duket”, shprehet Ilazi.

Armë dhe pajisje tjera të konfiskuara nga Policia e Kosovës në veri, pas sulmit që ka ndodhur në Banjskë në shtator të vitit të kaluar. Kosova fajëson shtetin e Serbisë për organizim të sulmit.
Armë dhe pajisje tjera të konfiskuara nga Policia e Kosovës në veri, pas sulmit që ka ndodhur në Banjskë në shtator të vitit të kaluar. Kosova fajëson shtetin e Serbisë për organizim të sulmit.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se mbi 230.000 armë pa leje llogaritet të jenë në duart e qytetarëve të Kosovës.

Ndonëse Policia e Kosovës nuk ka dhënë një numër të përgjithshëm të rasteve të dhunës me armë zjarri, raportet e përditshme të saj kanë treguar se vetëm në gusht kanë ndodhur më shumë se 50 raste të përdorimit të armëve të zjarrit, ndërsa pesë të tjera gjatë tri ditëve të para të shtatorit.

As MPB-ja, e as Policia, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të REL-it se çfarë hapash konkretë po ndërmerren që rastet e dhunës me armë zjarri të mos rriten.

Megjithatë, në Strategjinë e Sigurisë të Kosovës 2022-2027 potencohet se ruajtja e rendit publik dhe kushtetues është “interes jetik shtetëror që do të zbatohet në gjithë territorin e shtetit”.

Ndërkaq, Policia, në raportin e saj vjetor për vitin 2023, ka thënë se ndërmerr fushata për vetëdijesimin e qytetarëve për rreziqet e sigurisë, dhe se organizon fushata kundër përdorimit të armëve të zjarrit.

Problemi i armëve ilegale

Si Çollaku, ashtu edhe Ilazi, theksin e vënë tek armët ilegale, që ata thonë se me lehtësi gjenden në tregun e zi të Kosovës.

“Shteti i Kosovës duhet të bëjë më tepër përmes aktiviteteve preventive, operacioneve të ndryshme policore, në kuptimin e kontrollit kriminalistik, që praktikisht nënkupton identifikimin e armëve ilegale, që do të pasonte me konfiskimin e tyre, e që do të çonte me një zvogëlim të numrit të tërësishëm të armëve pa leje, sidomos në duart e qytetarëve”, thotë Çollaku.

Sipas të dhënave që Policia ia dërgoi REL-it, nga janari deri në korrikun e vitit 2024 janë konfiskuar 714 armë të ndryshme, ndërkaq në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin konfiskuar 636 armë.

Çollaku dhe Ilazi kërkojnë realizimin e fushatave vetëdijesuese, por edhe inicimin e një fushate që do të ofronte një lloj amnistie për qytetarët që dorëzojnë armët ilegale.

Një nismë për dorëzimin e armëve të zjarrit ishte praktikuar menjëherë pas luftës, por edhe në vitet pasuese kishte pasur fushata për legalizimin e armëve.

Procesi i shkatërrimit të armëve.
Procesi i shkatërrimit të armëve.

Hulumtuesja e Institutit Flaman për Paqe me bazë në Bruksel, Astrid De Schutter, puna e së cilës fokusohet në çështjen e dhunës me armë zjarri, thotë për REL-in se disa shtete të Ballkanit përballen me nivele të larta të vrasjeve nga incidentet e dhunshme me armë.

“Ato ende përballen me praninë e armëve nga luftërat e viteve ’90 në ish-Jugosllavi”, shprehet ajo.

De Schutter thotë se shtetet mund të ndërmarrin një sërë hapash për të parandaluar dhunën me armë zjarri.

I pari, sipas saj, është puna në aspektin ligjor dhe edhe në krijimin e mekanizmave të kontrollit për armët.

“Në mënyrë që të zbatohen ligjet për armët, dhe të hetohen dhe të ndiqen penalisht krimet që lidhen me armët, shtetet duhet të investojnë në kapacitete operacionale”, thekson ajo.

Kosova ka ligje që përcaktojnë se kush dhe nën çfarë kushtesh mund të pajiset me armë zjarri. Po ashtu, ligjet parashohin dënime me gjoba dhe me burgim për poseduesit e armëve pa leje.

Ilazi thotë se në mënyrë që institucionet të vendosin si prioritet sigurinë publike, së pari duhet ta pranojnë se dhuna me armë zjarri është problem.

Më pas, sipas tij, do të duhej të vazhdohej me hapa të tjerë, siç janë rritja e operacioneve të konfiskimit, e patrullave policore, por edhe luftimi i tregjeve ilegale të armëve, në bashkëpunim me vendet e rajonit.

Policia e Kosovës ka njoftuar vitin e kaluar se ka mbyllur 23 rrugë ilegale për kontrabandën e armëve dhe të mallrave në kufirin Kosovë-Serbi, dhe gjashtë rrugë të tjera në kufirin me Malin e Zi, në bashkëpunim me autoritetet malazeze.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit