1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Lajçak: Po bëhen përgatitje intensive që të kemi rezultate pozitive nga takimi Kurti-Vuçiq

Më të lexuarat

Pavarësisht se në Kosovë ka pak shpresa që takimi i ardhshëm mes Kurtit e Vuçiqit të sjellë rezultate, ndryshe mendon Miroslav Lajçak. Ai thotë se po punohet shumë që takimi i 14 shtatorit të sjellë rezultate pozitive.

Në përmbledhjen e tij javore të takimeve, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se BE-ja është duke u përgatitur për takimin e 14 shtatorit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Për këtë takim, ai ka thënë se po punojnë që i njëjti të sjellë rezultate pozitive.

“Përgatitjet e BE-së për takimin në kuadër të dialogut të Nivelit të Lartë më 14 shtator po kryhen me intensitet dhe ne po punojmë që të kemi rezultate pozitive”, shkroi ai në Facebook.

Javën që lamë pas, Lajçak e konsideron të mbushur me punë përgatitore për takimin Kurti-Vuçiq.

“Fillova në Bruksel, ku u takova me bashkë-lehtësuesit e Parlamentit Evropian të Procesit të Dialogut Parlamentar me Asamblenë Kombëtare të Serbisë, deputetin e Parlamentit Evropian Matjaz Nemec dhe ish-deputetin e Parlamentit Evropian Knut Fleckenstein. Më vonë të martën, u takova me komandantin e KFOR-it të NATO-s, gjeneralmajor Ristuccia. Ishte mirë të shkëmbejmë shënime mbi zhvillimet në terren dhe të ndajmë vlerësimet tona për burimet e mundshme të tensioneve në të ardhmen. Jam mirënjohës për punën jetike të KFOR-it në ndërtimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë”, shkroi ai.

Lajçak pati disa fjalë edhe për takimin me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

“Diskutuam se si të avancojmë normalizimin e marrëdhënieve”, tha ai.

Poashtu, ai u takua edhe me Artur Lorkoëski, Drejtor i Komunitetit të Energjisë, për të eksploruar fushat e mundshme të bashkëpunimit dhe për të folur për energjinë si pjesë e Dialogut.

“Me ekspertizën e tij unike, Komuniteti i Energjisë kontribuoi në Udhërrëfyesin e Energjisë, të cilin e miratuam në qershor të vitit të kaluar”.

Gjatë javës, Lajçak udhëtoi drejt Berlinit ku pati diskutime të rëndësishme në Kancelarinë dhe Ministrinë e Jashtme Federale Gjermane.

“U takova me drejtorin politik në Ministrinë e Jashtme Tjorven Bellmann dhe me Kryekëshilltarin e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të Kancelarit Gjerman Jens Plötner. Ne u fokusuam në gjendjen e lojës dhe irrituesit e mundshëm në Dialog, ndamë pritshmëritë tona për Takimin e Nivelit të Lartë dhe hartuam një strategji për rrugën përpara. Përkushtimi dhe mbështetja e fuqishme nga Gjermania vazhdojnë të jenë të paçmueshme”.

Pas kthimit në Bruksel të enjten mbrëma, u takua edhe me të dërguarin e Ballkanit Perëndimor Lord Peach.

“Shkëmbyem mendime rreth zhvillimeve të fundit në rajon. Vlerësimi i Lord Peach për situatën e sigurisë si një ekspert me përvojë në atë fushë vlerësohet gjithmonë”, ka deklaruar mes tjerash Lajçak./Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit