2 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Lista Serbe i shkruan letër Qeverisë së Serbisë, kërkon të shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste

Më të lexuarat

Lista Serbe përmes një letre dërguar Qeverisë së Serbisë ka kërkuar që të shpallë njësitë speciale të Policisë së Kosovës, strukturat e inteligjencës dhe të gjithë “bashkëpunëtorët e këtyre strukturave” si “organizata terroriste sepse kërcënojnë paqen në këto hapësira”, duke iu referuar veriut të Kosovës.

Në letrën të cilën e kanë publikuar në faqen e tyre zyrtare në Facebook, thuhet se populli serb po vuan nga kryeministri Albin Kurti.

“Ne thellësisht besojmë se ky vendim, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe partnerët perëndimorë, do të parandalonte aktivitetet e mëtejme të paligjshme të këtyre formacioneve dhe bashkëpunëtorëve të tyre për të kërcënuar paqen në këto zona. Po ashtu, ky vendim do të krijonte një bazë ligjore për veprimet e të gjitha autoriteteve shtetërore kundër këtyre organizatave që t’i sjellin ato para drejtësisë”, thuhet në letrën e Listës Serbe dërguar Qeverisë në Beograd.

Lista Serbe këtë kërkesë e ka parashtruar pak ditë pasi pasi Qeveria e Kosovës shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” – dy organizata që besohet se veprojnë në veri të Kosovës – organizata terroriste.

Kujtojmë se që nga data 26 maj në katër komunat veriore, Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë e veriut dhe Zveçan ka pasur protesta të dhunshme të organizuara nga serbët lokalë.

Serbët kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë, duke sulmuar dhunshëm objektet komunale dhe duke tentuar të hyjnë më forcë brenda tyre.

Gjatë eskalimit të situatës, janë lënduar policë, ekipet e mediave dhe ushtarë të KFOR-it.

Po ashtu, kohë pas kohë janë sulmuar edhe komunat me shok-bomba dhe granata dore, ku janë dëmtuar disa vetura zyrtare.

Thirrje për qetësimin e situatës në veri kanë bërë zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit