-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Zhvillimi i institucioneve edukative-arsimore islame në Kosovë pas luftës së dytë botërore

Më të lexuarat


Sikurse dihet, historia e zhvillimit të shkollave dhe të arsimit islam në trojet tona, është e hershme dhe fillon që nga shekulli XV e këndej, gjë që ndërlidhet edhe me historinë e ngritjes së xhamive të para, kurse më vonë edhe me hapjen e shkollave fillore – mejtepeve, shkollave të larta – medreseve etj.

Medreseja më e vjetër, e ngritur në trojet tona është ajo e Is’hak Beut në Shkup, e hapur para vitit 1411, ndërsa medreseja më e vjetër në Kosovë është ajo e themeluar në Vushtrri, brenda viteve 1444-1455 nga Gazi Ali Beu. Pas kësaj, para vitit 1516, në Pejë themelohet medreseja nga Mehmet Beu, pastaj në Prizren, më 1537, themelohet medreseja e Gazi Mehmet Pashës, më pas, më 1566, nga Besharet Begu, në Prishtinë themelohet medreseja e Besharet Begut etj. Pas këtyre, medrese u hapën edhe në qytete të tjera, ashtu që në shek. XVIII, sipas të dhënave që na ofron udhëpërshkruesi i njohur, Evlija Çelebiu, në trojet shqiptare, numri i medreseve ishte shtuar aq sa kishte qytete me më shumë se një medrese.

Në shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, në Kosovë ekzistonin 16 medrese: katër në Prizren, dy në Prishtinë, dy në Gjakovë, dy në Pejë, dy në Vushtrri, një Mitrovicë, një në Gjilan, një në Opojë dhe një në Dobërçan. Në këto medrese mësimet i vijonin një numër i madh i nxënësve nga treva të ndryshme, madje edhe jashtë Kosovës, siç ishte medreseja “Mehmet Pasha” në Prizren, “Medreseja e Madhe” në Gjakovë (e ndërtuar në vitin 1707) etj.(1)

Për shqiptarët, një rol të ri dhe me peshë, medresetë marrin pas vitit 1912, kur Kosova okupohet nga Serbia, e më vonë edhe integrohet dhunshëm në atë që njihet si Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene dhe më pas në Mbretërinë Jugosllave.

Në këtë periudhë, medresetë në Kosovë udhëhiqeshin e drejtoheshin nga prijës të shquar atdhetarë, të cilët i kishin shndërruar medresetë në vatra e çerdhe të kauzës kombëtare. Një aktivitet i tillë, sigurisht se nuk i shkonte përshtati pushtetit të kohës, i cili na vazhdimësi ndërmerrte masa nga më të ndryshmet ndaj medreseve, drejtuesve të tyre dhe strukturave të Komunitetit Mysliman.

Qëndrimi ndaj medreseve i autoriteteve të Jugosllavisë borgjeze më së miri shihet nga shkresa e ministrit të fesë, dërguar Këshillit Kryesor të Ministrisë së Arsimit në Beograd, e datës 7 shtator 1923, ku pos të tjerash thuhet: “Në Kosovë, çështja e arsimit fetar të myslimanëve është shumë e

komplikuar… Në këto vise ka afro 50 myftinj dhe 600 imamë, prej të cilëve asnjëri nuk e njeh si duhet gjuhën serbe, të gjithë janë të edukuar në frymën armiqësore ndaj shtetit tonë.”(2)

Më tutje, në këtë shkresë thuhet: “Në to (medrese – R.SH.) nuk mësohet asgjë tjetër, pos si të urrehen sa më tepër ata që nuk janë myslimanë. Për ta evituar rrezikun që mund të rrjedh prej tyre, duhet që sa më parë medresetë të futen nën kontrollin e plotë të shtetit, në të vërtetë, së pari të mbyllen, e më vonë në vend të tyre të hapet një medrese.”(3)

Në medresetë tonë janë shkruar, kopjuar, komentuar e krijuar vepra të shumta, fushash e disiplina të ndryshme fetare, shkencore e letrare, përfshirë edhe letërsinë alamiado shqipe, e cila ka dhënë shumë efekte pozitive në zhvillimin kulturor të masave popullore shqiptare edhe jashtë objekteve të medresesë. Në këto institucione arsimore zuri fill dhe u intensifikua përpjekja për futjen e gjuhës shqipe në shërbime të fesë islame në xhami dhe jashtë saj, përkatësisht për thellimin e punës në drejtim të shqiptarizimit sa më të plotë të xhamisë dhe të institucioneve të tjera islame. Shumë nga myderrizët dhe nxënësit e medreseve kanë marrë pjesë dhe kanë luajtur rol konstruktiv në të gjitha lëvizjet politike shqiptare, si në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në Lidhjen e Pejës “Besa – Besë”, kryengritjet e ndryshme etj.(4)

Mirëpo, para tetë dekadash, saktësisht në vitin 1948, nga sistemi që po instalohej në Kosovë, me një vendim të paarsyeshëm dhe arbitrar, u mbyllën të gjitha medresetë që vepronin deri atëkohë, pavarësisht traditës dhe kontributit të tyre shekullor. Sigurisht se kjo ishte një goditje për Bashkësinë Islame dhe për myslimanët në Kosovë, si dhe një shenjë që tregonte qartazi për pozitën e tyre juridiko-fetare në kuadër të atij sistemi.

2.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Kosova edhe njëherë padrejtësisht ndahet nga ama e saj – Shqipëria dhe futet dhunshëm nën administrimin e sajesës artificiale të quajtur Jugosllavi.

Në këto rrethana, në viset shqiptare dhe sidomos në ato që u aneksuan nga Jugosllavia, u bënë ndryshime të mëdha shoqërore dhe politike, të cilat ushtruan ndikim edhe në veprimtarinë e bashkësive fetare. Në kuadër të riorganizimit, pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1947, të Bashkësisë Fetare Islame për RPFJ, me të cilën rregullohej funksionimi i BI, Bashkësia Fetare Islame në Kosovë, bëhet pjesë përbërëse – njësi e BFI-së në Jugosllavi, ndërsa BI e Kosovës u detyrua që të ndërronte qendrën nga Tirana(5) në Sarajevë. Bazuar në këtë Kushtetutë, bëhet edhe organizimi i paraparë i Bashkësive Islame në nivel republikash. Kuvendi

Vakëfnor për RPS, ku përfshihej edhe territori i Kosovës, e rrjedhimisht edhe Bashkësia Islame e Kosovës, ishte konstituuar – themeluar në Beograd, më 20 gusht të vitit 1947.(6) Ndërkaq, Kryesia Islame në Prishtinë ka nisur më 1 janar 1948.(7)

3.

Hapja e Medresesë në Prishtinë më 1951 – Në këto rrethana, paria e Bashkësisë Islame e asaj kohe, e vetëdijshme për vështirësitë me të cilat përballej me pushtetin serb në rrafshin nacional e etnik dhe me atë ateist – komunist në rrafshin e rregullimit shoqëror e ideologjik në njërën anë, dhe në anën tjetër, po ashtu e vetëdijshme për rëndësinë që kishte hapja e medresesë për Bashkësinë Islame dhe për besimtarët mysliman, atëherë u angazhuan seriozisht që në kuadër të atyre pak mundësive e hapësirave ligjore, të gjenin rrugën që në Kosovë të (ri)hapej një medrese. Në këtë ndërmarrje, duhet përmendur angazhimin e myderrizëve të shquar për hapjen e medresesë.

Nga të dhënat e dokumenteve, raporteve dhe kronikave të kohës, shihet se paria e BIK-ut, pas konsolidimit të BIK-ut, çështjen e medresesë, përkatësisht arsimimin e kishte një ndër objektivat më parësore. Për këtë ndërmarrje i gjejmë të angazhuar prijësit e BIK-ut, duke filluar nga hfz. Bajram ef. Agani – kryetar i Kryesisë së BI-së, pastaj hfz. Mustafa Canhasi (anëtar i Kryesisë së BI-së),(8) i cili ka qenë i angazhuar dhe i autorizuar nga Kryesia për përgatitjen e dokumentacionit dhe ndjekjen e procedurave tek organet kompetente të shtetit, si në nivelin krahinor, ashtu edhe në nivelet më të larta, për hapjen e medresesë në fjalë. Për hapjen e medresesë, kontribut të theksuar kanë pasur edhe myderrizët e tjerë, siç janë hfz. Ismailhaki ef. Ustaibo, hfz. Isak Saidi, Ahmet ef. Mustafa, Hajrullah ef. Zaimi, hfz. Fahri ef. Iljazi, Hasan ef. Nahi, Sheh Hasani, hfz. Shefki ef. Kallaba, hfz. Lutfi ef. Ahmeti, hfz. Abdullah ef. Kaçapori, mulla Rusha ef. Drekoviqi etj.(9)

Pas një sërë shtyrjesh e zvarritjesh, pushteti i atëhershëm

monist, pas insistimit të vazhdueshëm të BI-së, Këshilli Ekzekutiv i Këshillit Krahinor për Kosovë e Metohi (siç qohej atëkohë), në qershor të vitit 1949 (me vendimin nr. 29503, të datës 26 qershor 1949),(10) jep pëlqimin për hapjen e Medresesë së Ulët të Prishtinës (e cila atëherë quhej Medreseja e Ultë Shqiptare).(11)

Leja për hapjen e medresesë nga pushteti i asaj kohe, Bashkësisë Islame të Kosovës, fillimisht i qe dhënë për në qytetin e Pejës, por për shkak të mungesës së objektit, medreseja u bart në Prishtinë. Përgatitjet për hapjen e medresesë, Kryesia e BIK-ut i kishte bërë gjatë vitit 1950, e me intensitet më të madh gjatë vitit 1951, kur kishte investuar në rregullimin e objekteve për medresenë në oborrin e xhamisë “Alaudin”, pastaj kishte emëruar për drejtor, mësuesin e pensionuar, Ahmet ef. Mustafën.(12)

Kështu, në vazhdën e përgatitjeve për hapjen e medresesë, drejtoria përmes qarkores,(13) kishte njoftuar Këshillat Vakëfnorë (Këshillat e Bashkësisë Islame), e përmes tyre xhematin dhe të interesuarit për pranimin e nxënësve në medrese. Në qarkore ishin përcaktuar kushtet dhe dokumentacionin që duhej të plotësonin të interesuarit për t’u regjistruar në medrese. Kryesia e BI-së, respektivisht Drejtoria e Medresesë, kishte paraparë që mësimi në medrese të fillonte më 1 shtator 1951, por për shkaqe objektive, mësimi filloi më 1 nëntor 1951.(14)

Nga raporti i Drejtorisë së Medresesë për Kryesinë e BIsë, shihet se popullata e Kosovës dhe ajo e Sanxhakut e kishin mirëpritur hapjen e medresesë. Kjo nënkuptohet nga fakti se në konkursin e hapur nga medreseja ishin paraqitur 122 kandidatë(15) për të ndjekur mësimet aty, ndërsa ishin pranuar 50 prej tyre, duke marrë parasysh suksesin, moshën dhe rajonin nga vinin. Nga numri i nxënësve të pranuar, 29 ishin nga Kosova, ndërsa 12 nga Sanxhaku.(16)

Hapja e Medresesë në Prishtinë ka edhe një rëndësi të veçantë për popullatën shqiptare dhe jo vetëm në Kosovë, por kudo që jetonte ajo, qoftë në kuadër të ish-Jugosllavisë Federative, në diasporë apo në Shqipërinë komuniste, për faktin se ishte e vetmja vatër në të cilën mësim për fenë islame mbahej në gjuhën shqipe, dhe ishte pikërisht medreseja ajo që përgatiti kuadrin për Bashkësinë Islame në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu. Kur kësaj i shtohet fakti se Medreseja e nisi punën e saj në rrethana të rënduara politike për popullin shqiptar në ish-Jugosllavi, si dhe në kohën kur po instalohej ideologjia moniste në Shqipëri, e cila më vonë, më saktë më 1967, me ligj ndaloi besimin, atëherë hapja e Medresesë në Prishtinë merr një rol dhe rëndësi jetike, sidomos për besimtarët myslimanë shqiptarë.

Themi këtë, ngase kemi parasysh faktin se suksesi i kësaj medreseje hapi udhë për mbarëvajtjen e jetës fetare në terren dhe më vonë hapjen dhe themelimin e institucioneve të tjera në kuadër të BI-së. Medreseja e Prishtinës ishte shkolla e dytë fetare islame në ish Jugosllavi, pasi Medreseja e Gazi Husrev Begut në Sarajevë i kishte shpëtuar mbylljes nga ish-sistemi.

E thamë edhe më parë se, Medreseja e Prishtinës praktikisht e nisi misionin e saj më 1 nëntor 1951 dhe këtë në dy objekte që edhe më herët kishin shërbyer si shkolla, në oborrin e xhamisë “Alaudin”, në lagjen Alaudin, prej nga më vonë e mori edhe emrin medreseja. Lejimi i themelimit të medresesë, e për më tepër funksionalizimi i saj, ishte një e arritur e madhe e parisë myslimanë, e realizuar në kohën e në ditët e vështira për popullin shqiptar, arsimin shqip dhe Kosovën në përgjithësi. Mirëpo, me këtë u arritën disa objektiva që do të jenë determinues për të ardhmen e BI-së, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Me këtë rast duhet përmendur se, me funksionalizimin e medresesë apo rihapjen e saj, përveçse u arrit një e drejtë themelore – e drejta për arsimim, për më tepër, u ruajt edhe vazhdimësia e medreseve historike e shekullore. Kjo u arrit përmes myderrizëve të shquar, të cilët u angazhuan për gjetjen e mundësive për hapjen e medresesë, ndërsa, pasi pushteti dha miratimin, iu përveshën punës dhe funksionalizimin e medresesë, duke bartur përvojën, traditën dhe dijen që kishin marrë nga medresetë e mëhershme.

Kështu që, në procesin mësimor, në hapjen e medresesë më 1951, u angazhua vetë kryetari i Kryesisë së BI-së, myderriz Bajram ef. Agani(17) (nga Medreseja e Madhe e Gjakovës), i cili së bashku me myderriz Isak ef. Saidin(18) (nga Medreseja e Pirinazit – Prishtinë), morën përsipër ligjërimin e lëndëve fetare. Më pas, në procesin mësimor në medrese i gjejmë edhe Ismailhaki Ustaibon(19) (nga Medreseja Mehmet Pasha – Prizren), hfz. Muharrem Adilin(20) (Medreseja e Pirinazit), pastaj myderriz Rushit Osmanin(21) (Medreseja e Pirinazit), Hasan ef. Nahi22 (Medreseja e Madhe e Gjakovës), h. Sherif Ahmeti(23) (Medreseja e Pirinazit) dhe myderriz Sadri Prestreshi(24) (Medreseja e Pirinazit, përkatësisht e Sulltan Selimit – Prishtinë). Këta myderrizë paraqesin lidhjen ndërmjet medreseve të mëhershme me medresenë e re, por tani të reformuar dhe duke iu përgjigjur kërkesave të kohës. Përveç mësimdhënies, kontributi i tyre për medresenë ishte edhe në përgatitjen e dispensave për lëndët që i mbanin, ku duhet përmendur kontributin e myderriz Sherif Ahmetit (për lëndën e akaidit), myderriz Rashid Osmanit (për lëndën e fikhut) dhe myderriz Sadri ef. Prestreshit (për lëndën e ahlakut).

Falë këtij brezi të myderrizëve, medreseja u vu në binarë të shëndoshë, rrugë të cilën e trasuan dhe e ndoqën më pastaj edhe ish-nxënësit e tyre, që u inkuadruan si mësimdhënës në medrese. Të theksojmë këtu edhe faktin se me myderrizët e sipërpërmendur, përfundon edhe epoka e artë e ixhazetlinjve mësimdhënës në medrese. Medreseja e Ulët e Prishtinës si shkollë e ulët vepro plot 10 vjet, deri më 1961, ndërsa atëkohë qe nevoja e Bashkësisë Islame për kuadro me përgatitje solide të cilët do të udhëheqin xhaminë anekënd Kosovës, dhe më gjerë në viset shqiptare të ish-Jugosllavisë. Kjo në njërën anë, ndërsa në anën tjetër, suksesi i nxënësve të cilët kishin mbaruar Medresenë e Ulët, bëri që Medreseja e Ulët të ngritët në të mesmen. Kështu, Medreseja “Alaudin”, si shkollë e plotë e mesme pesëvjeçare filloi punën në vitin shkollor 1962/63, kur ngrihet në rangun e medresesë së mesme, me

sistem mësimi 5 – vjeçar.(25)

Në vitet e ’70, të shekullit të kaluar, shkollat që përgatisnin profilin e kuadrit mësimor për shkolla fillore vepronin me kohëzgjatje 5 vjeçare, si Shkolla Normale, Shkolla e Artit Figurativ, Medreseja “Alaudin” etj. Me shuarjen e tyre, si shkollë pesëvjeçare kishte ngelur vetëm medreseja “Alaudin”, andaj në vitin 1983, u bë ndryshimi i plan-programit mësimor dhe medreseja nga 5 vjeçare, do të bëhet katër vjeçare. Medreseja “Alaudin” e Prishtinës ishte dhe deri vonë mbeti e vetmja shkollë e tillë në të gjitha hapësirat shqiptare, në të cilën përgatitja fetare dhe profesionale bëhej në gjuhën shqipe. Në këtë medrese, mësimet i kanë ndjekur një numër i madh i nxënësve që vinin nga të gjitha trojet shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, si dhe nga Sanxhaku e Bosnja.

Në vitin 1979, Kryesia e Bashkësisë Islame mori vendin që të ndërtonte një godinë të re, që do të ishte adekuate dhe do t’i plotësonte nevojat dhe kërkesat e një shkolle të mesme. Kjo iniciativë u kurorëzua me sukses në vitin 1984, kur medreseja filloi punën në godinën e re, e cila i plotësonte kushtet për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor. Ndërsa, nga viti shkollor 2012-2013, medreseja në kuadër të reformave në arsimin katër vjeçar bëhet shkollë tri vjeçare. Medreseja ka edhe paralelet e saj në Prizren (1993) dhe në Gjilan (1994). Gjithashtu në medrese, nga viti 1997, mësimin e rregullt e ndjekin edhe vajzat në klasa të veçanta.(26)

Medreseja e Prishtinës gjatë dekadave të punës dhe veprimtarisë së saj, ka dhënë dhe vazhdon të japë kontribut të jashtëzakonshëm në përgatitjen e ulemave të rinj, të kuadrit fetar e të drejtuesve shpirtëror të popullit tonë, në formimin e përgjithshëm kulturor të popullit, në edukimin moral, qytetar e atdhetar të brezave të rinj dhe në rrënjosjen e dashurisë për dije e përparim. Këtu u formuan imamët, hatibët, myderrizët, mualimët dhe prijësit islamë, të cilët u vunë në shërbim të jetës fetare islame, jo vetëm në nivel vendi, por edhe më gjerë. Sepse, sikurse dihet, Medresenë e Prishtinës nuk e kanë kryer vetëm nxënës nga Kosova, por aty kanë mësuar edhe nxënës nga Maqedonia, Mali i Zi, Sanxhaku, Kosova Lindore, e më vonë edhe nga Shqipëria. Kurse veprimtarë të jetës fetare e kombëtare nga ish-nxënësit e Medresesë ka gjithandej nëpër trojet tona etnike e të copëtuara shqiptare, në diasporën shqiptare dhe jo vetëm kaq. Medreseja e Prishtinës ishte paraprijëse e denjë e Medresesë së Mesme “Isa Begu” në Shkup, Medresesë së Novi Pazarit dhe Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë.

4.

Fakulteti i Studimeve Islame (FSI) – Prishtinë – Është institucioni më i lartë edukativo-arsimor islam në gjuhën shqipe në Kosovë. U themelua nga Kuvendi i Bashkësisë Islame të Kosovës, më 15 gusht të vitit 1992.(27) Në vendimin e Kryesisë së BI-së për themelimin e FSI-së thuhet:

1. Themelohet Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë.

2. Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë është institucion islam universitar i pavarur.

3. Në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë organizohet dhe zhvillohet veprimtaria arsimore-edukative dhe shkencore në gjuhën shqipe.

4. Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë ka për detyrë zhvillimin e veprimtarisë fetare-islame dhe krijimin e kuadrove islame të nivelit universitar.

5. Veprimtaria e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë financohet nga buxheti i Meshihatit të Bashkësisë Islame për Kosovë, Serbi dhe Vojvodinë në Prishtinë.(28)

Po ashtu, Kuvendi i BI-së, në këtë mbledhje emëroi edhe Këshillin themelues në këtë përbërje: Rexhep Boja – kryetar, dr. Pajazit Nushi, mr. Ismail Ahmeti, Qemajl Morina, Isa Bajçinca, Jashar Jashari, Miftar Ajdini dhe Naim Tërnava.(29)

Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë, si institucioni më i lartë i arsimimit islam në Kosovë, nisi punën në vitin e parë akademik 1992-93. Me punën filloi më 10 dhjetor 1992(30), ku në një ceremoni modeste, fjalën me rastin e fillimit të punës-hapjes e mbajti dr. Rexhep ef. Boja, kryetari i Kryesisë, i cili ishte edhe kryetar i Këshillit themelues dhe tashmë ishte caktuar edhe për të ushtruar detyrën e dekanit.

Ndërsa, ligjëratën e parë me studentë e mbajti veterani i arsimit kombëtar dhe islam në Kosovë, haxhi Sherif ef. Ahmeti.(31) Në këtë vit, në Fakultetin e Studimeve Islame ligjëratat i ndoqën 30 studentë, 10 prej tyre me korrespodencë.(32)

Për drejtues të parë të FSI-së, Kryesia e BIK-ut kishte emëruar dr. Rexhep Boja – u.d. dekan, mr. Qemajl Morina – u.d. prodekan,33 dhe Sabri Bajgora – u.d. sekretar.(34)

Në vitin e parë akademik 1992-1993, në FSI, në procesin arsimor ishin të angazhuar këta pedagog: haxhi Sherif Ahmeti (akaid); dr. Rexhep Boja (fikh); prof. Qazim Qazimi (tefsir); mr. Qemajl Morina (gjuhë arabe); prof. Resul Rexhepi (Historia e së drejtës së sheriatit); prof. Sulejman Osmani (hadith); prof. Emin Behrami (Kuran); prof. Isa Bajçinca (gjuhë shqipe); dr. Vesel Nuhiu (gjuhë angleze); prof. Naime Hoxha (gjuhë turke); mr. Ismail Hasani (sociologji e kulturës).(35)

FSI është institucioni i parë për studime të larta në gjuhën shqipe. Hapja e tij ishte nevojë e kamotshme e popullit shqiptar për një institucion të tillë, si dhe për shkak të kthimit të të rinjve tanë nga bota me një ideologji tjetër nga ajo e islamit tonë tradicional. Studimet në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, që nga fillimi e deri më sot zgjasin katër vite akademike, respektivisht tetë semestra.(36)

Pas përfundimit të provimeve të parapara me Statutin e Fakultetit, studenti përgatit diplomën, të cilën e mbron para komisionit përkatës.

Në Fakultetin e Studimeve Islame mësohet kryesisht lëndët fetare, si Kuran, tefsir, hadith, fikh, akaid, usuli fikh, qytetërim islam, filozofi islame, gjuhë shqipe, arabe, angleze, turke etj., por edhe lëndët bashkëkohore.(37)

Aty ndjekin studimet studentë të rregullt dhe ata me korrespondencë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare, si nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe nga diaspora. Fakulteti posedon një bibliotekë të pasur me libra.38 Në vitin akademik 2015- 2016, Fakulteti i Studimeve Islame është akredituar edhe në programin master për Teologji Islame.(39)

Si përfundim, mund të themi se zhvillimi i institucioneve edukative-arsimore islame në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, duhet të vështrohet në kuadër të rrethanave shoqërore – politike që e karakterizuan këtë periudhë. Dekadat e para të pasluftës, për shkak të arsyeve që dihen, ishin jashtëzakonisht të vështira, jo vetëm për institucionet islame dhe mbarëvajtjen e jetës fetare islame në Kosovë, por edhe për gjithë popullatën dhe aspektet e jetës në atë kohë. Me një fjalë, zhvillimi dhe fati i institucioneve islame ishte i ngjashëm dhe i lidhur ngushtë me fatin nëpër të cilin kalonte popullata shqiptare përgjatë gjithë këtyre dekadave e deri më sot.

_________________________

1. Më gjerësisht për medresetë në Kosovë shih, Sadik Mehmeti, Shkollat dhe arsimi në Kosovë (1830-1912), Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2019, f.231-277.

2 Dr. Haki Kasumi Kasumi, Bashkësitë fetare në Kosovë, Instituti i Historisë së Kosovës, Prishtinë, 1988, f. 117.

3 Po aty, fq. 118.

4 Sadik Mehmeti, Shkollat…, po aty, f. 289-290.

5 Gjatë periudhës 1941-1944, Bashkësia e Fesë Islame të Kosovës me dy Kryemyftinjtë e saj (Kryemyftininë e Prizrenit dhe Kryemyftininë e Prishtinës) do të lidhej me Komunitetin Mysliman me qendër në Tiranë. Organizimi i saj ishte i ndarë në Kryemyftinj dhe Nënmyftinj.

6 Arkivi i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Kutia nr. 22. Raport për punën e Kryesisë supreme për RPS në Prishtinë për periudhën nga themelimi i saj, 16 korrik deri më 23 maj 1951. f. 1.

7 Po aty f. 2.

8 Arkivi i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Kutia nr. 22. Raport për punën e Kryesisë supreme për RPS në Prishtinë për periudhën nga themelimi i saj, 16 korrik deri më 23 maj 1951

9 Po aty.

10 Arkivi i Kosovës, Fondi Bashkësia e Fesë Islame, Kutia nr. 55, vitit 1951.

11 Po aty.

12 Ahmet ef. Musatafa (1980-1990), drejtor i medresesë është emëruar më 17 qershor 1951. Është drejtori i parë i Medresesë (Shih: Raport mbi punën e Kryesisë së Fesë Islame të RP të Serbisë në Prishtinë, në periudhën prej 15 majit deri më 23 shtator 1951, Arkivi i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Kutia nr. 22., f. 6.

13 Arkivi i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Kutia nr. 22. Raport mbi punën e Kryesisë së Fesë Islame të RP të Serbisë në Prishtinë, në periudhën prej 15 maj deri më 23 shtator 1951.

14 Po aty

15 Po aty.

16 Po aty.

17 Myderriz Bajram Agani (1881-1962), kryetar i Kryesisë së BI të Kosovës (1947-1951); drejtor i Medresesë (1953-1956); Në Medresenë e Ulët ka

ligjëruar lëndët: gjuhë arabe, gjuhë turke, akad, ahlak.

18 Ishak ef. Saidi (1897-?), myderriz i njohur i ish-medresesë “Pirinaz” të

Prishtinës, në Medrese e ulët ka mbajtur lëndën e Kuranit.

19 Hfz. Ismailhaki Ustaibo (1921-1983), kryetar i Kryesisë së BI të Kosovës (1963-1983); drejtor i Medresesë (1960-1966), në Medrese ka mbajtur lëndën e Kuranit.

20 Hfz. Muharrem Adili (Ramadani), (1919-2013), pedagog në medrese, ka mbajtur lëndën e gjuhës arabe, gjuhës turke, histori islame.

21 Myderriz Rushit Osmani (1913-1991), drejtor i Medresesë së Mesme (1964-1968), në medrese ka mbajtur lëndën e fikhut.

22 Myderriz Hasan Nahi (1905-1991), i përket brezit të fundit të myderrizëve

klasikë. Në medrese merret nga fillimi klasën e tij nga viti i parë deri në të

pestën, ku edhe ligjëronte lëndët bazike të fesë. Gjeneratat që ka përgatitur

Hasan efndi Nahi njihen si gjenerata të Myderriz Nahit. Gjatë punës së tij

në Medrese ka përgatitur 4 gjenerata.

23 Myderriz Sherif ef. Ahmeti (1929-1998), drejtor i Medresesë (1970-1983),

në medrese mbajti lëndën e akaidit e filozofisë islame.

24 Myderriz Sadri ef. Prestreshi (1917-2002), myderriz i njohur i Medresesë,

ku mbajti lëndën e ahlakut.

25 Ramadan Shkodra, Rrethanat politike pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë dhe roli i myderrizëve në hapjen e Medresesë; në përmbledhjen

Medreseja “Alaudin” e Prishtinës, (65 vjet në shërbim të arsimit fetar dhe

kombëtar) Prishtinë, 2018, f.. 28.

26 Medreseja e mesme Alauddin (Katalog), Prishtinë, 2017, f. 20.

27 Shih: Vendimin e Kuvendit të BIK për themelimin e Fakultetit të Studimeve Islame, nr. 443/92 të datës 15 gusht 1992, që ruhet në Arkivin e Fakultetit.

28 Po aty. Vendimi i Kuvendit të BIK për themelimin e Fakultetit të Studimeve mIslame, nr. 443/92 të datës 15 gusht 1992.

29 Elez Osmani, Puna rreth hapjes së Fakultetit po ecën mbarë, “Dituria Islame”, nr, 41, f. 35.

30 Revista “Dituria Islame” për datë të fillimit të punës së FSI jep datën 7

dhjetor 1992, (shih: Elez Osmani, Filloi mësimi në Fakultetin e Studimeve

Islame në Prishtinë “Dituri Islame”, nr. 44. f. 4); Mirëpo Gazeta “Bujku” e

datës 12 dhjetor 1992, botoi informatën: “Dje në Prishtinë filloi punën Fakulteti i Studimeve Islame” ajo që duhet thënë me këtë rast është se gazeta

“Bujku” për shkak të rrethanave politike të asaj kohe që mbretëronin në Kosovë është botuar më një ditë vonesë, më 12 dhjetor 1992. Nga kjo e dhënë

del që FSI ka nis punë ditën e enjte më 10 dhjetor 1992.

31 Elez Osmani, Filloi mësimi në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë

“Dituri Islame”, nr. 44. f. 4.

32 Po aty.

33 Po aty.

34 Këtë e konfirmon prof. Sabri Bajgora nga biseda që kam zhvilluar me të në

nëntor të këtij viti. Prof. Bajgora dëshmon se detyrën e sekretarit e ka ushtruar deri në vitin 1995. Po ashtu, prof. Sabri Bajgora në FSI ka ligjëruar lëndën e tefisrit – III dhe IV, gjatë viteve 1995-2005 dhe 2010-2011.

35 Sipas bisedës dhe shikimit të Indeksit të kolegut tim, studentit të brezit të

parë të FSI-së, Sadik Mehmetit (nëntor 2020).

36 Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës (katalog), Prishtinë, 2012, f. 4.

37 Po aty, f. 40.

38 Po aty, f. 40.

39 Fakulteti i Studimeve Islame (Monografi me rastin e 25 vjetorit të themelimit), Prishtinë, 2017, f.48.

Ramadan Shkodra

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit