“Nëse Suedia dhe Finlanda do të bëhen anëtare të NATO-s, ata duhet të marrin parasysh shqetësimet e sigurisë të Türkiye-s, një anëtare e aleancës për 70 vjet”, tha presidenti Erdoğan
Presidenti i Türkiye-s (Turqisë), Recep Tayyip Erdoğan, tha se Suedia dhe Finlanda duhet të marrin parasysh shqetësimet e Türkiye-s për sigurinë nëse kërkojnë të anëtarësohen në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke thënë se me anëtarësimin në NATO vijnë edhe përgjegjësi, presidenti Erdoğan u tha gazetarëve: “Nëse Suedia dhe Finlanda do të bëhen anëtare të NATO-s, ata duhet të marrin parasysh shqetësimet e sigurisë të Türkiye-s, një anëtare e aleancës për 70 vjet.”
Suedia, së bashku me Finlandën, aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO muajin e kaluar, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.
Por Türkiye, një anëtare e aleancës prej kohësh, ka shprehur kundërshtime ndaj synimeve për anëtarësim, duke kritikuar vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste.
“Ne do të mbajmë një takim katërpalësh (mbi tentimet e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës) dhe të shohim se në çfarë pike kanë arritur. Ne nuk duam fjalë, por rezultate”, tha Erdoğan.
Ai shtoi se Ankaraja pret që Stockholmi dhe Helsinki të parandalojnë organizatat terroriste PKK dhe YPG/PYD dhe të gjitha degët e tjera që të veprojnë lirisht në vendet e tyre.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiye-s, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve.
“Ne presim nga aleatët tanë që të mos bëjnë diskriminim midis anëtarëve të NATO-s dhe ky kërcënim ndaj njërit duhet të interpretohet si kërcënim kundër të gjithëve”, tha Erdoğan.
Duke folur për takimin me liderët në margjinat e Samitit të NATO-s në Madrid, presidenti turk tha se ka pasur një bisedë me presidentin amerikan Joe Biden këtë mëngjes. Siç u shpreh Erdoğan, presidenti amerikan ka shprehur dëshirën e tij për t’u takuar përsëri këtë mbrëmje ose nesër, gjë që është mirëpritur nga presidenti turk.
Erdoğan hodhi poshtë një takim të mundshëm me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, duke thënë se nuk ka takim me Greqinë derisa “të vijnë në vete”.