“Kur filluam shpërndarjen e parë patëm një reagim të pabesueshëm, teksa shpërndanim ushqime në pika ku rreziku ishte intensiv kishte nga ata që na përqafonin, qanin. Është shumë e vështirë që t’i shpjegoj këto emocione”, tha Hekim
Biznesmeni turk, Onur Hekim, në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev ku ai ka ardhur para 20 vitesh, shpërndan çdo ditë ushqim falas për 1.000 ukrainas të cilët janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës.
Për shkak të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës një pjesë e dyqaneve në Kiev janë mbyllur ndërsa në ato që janë hapur mungojnë shumë produkte.
Një pjesë e qytetarëve të Kievit e kanë të vështirë të gjejnë ushqime për shkak të faktit se dyqanet janë të mbyllura.
I ardhur në Kiev 20 vite më parë nga qyteti Izmir i Turqisë, Hekim ofron shërbim në sektorin e ushqimeve. Ai ‘ka përveshur mëngët‘ për të ndihmuar ukrainasit që janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës.
Hekim fillimisht me një njoftim nga media sociale u bëri thirrje vullnetarëve që ndodhen në shtëpitë e tyre për të përgatitur ushqime për qytetarët e Kievit në restorantin e tij.
Pas kësaj thirrjeje shumë vullnetarë njoftuan Hekim-in për të marrë pjesë në përgatitjen e ushqimeve në mënyrë vullnetare.
Pas kësaj me ndihmën edhe të vullnetarëve, pas fillimit të luftës Hekim filloi të shpërndajë ushqim për 500 persona. Në fushatën e ndihmës të financuar nga Hekim sot shpërndahet ushqim falas për rreth 1.000 ukrainas.
Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), Hekim tha se pas fillimit të luftës nuk ka menduar aspak të largohet nga Ukraina.
“Prej 20 vitesh jetoj në Kiev, kam shkelur në territorin e Ukrainës para 20 vitesh dhe kam thithur ajrin e këtij vendi dhe jam rritur me këta njerëz. Për këtë arsye pas fillimit të luftës nuk kam menduar si shumë persona të tjerë që ‘duhet të largohem nga këtu‘. Madje, ideja ime për të qëndruar këtu nuk ishte për të qëndruar vetëm në shtëpi apo në strehimore. Kisha dëshirë të ofroja ndihmë për njerëzit këtu”, tha Hekim.
“Qëndrimi im këtu në të vërtetë ishte një preferencë personale. Kategorikisht nuk më sjell asnjë të ardhur, përkundrazi sot ndodhemi në ditën e 14 -të (në shpërndarjen e ushqimit). Të gjitha shpenzimet mbulohen nga unë. Këtë e bëj më kënaqësi. Unë bukën time e fitoj prej 20 vitesh nga ky vend”, u shpreh Hekim duke shtuar se këto ushqime përpiqen t’i shpërndajnë edhe vetë por edhe nëpërmjet vullnetarëve tek civilët që qëndrojnë në strehimore, spitale dhe metro.
Ai thotë se për shkak të shpërndarjes së ushqimit falas ka marrë reagime pozitive nga ukrainasit. “Kur filluam shpërndarjen e parë patëm një reagim të pabesueshëm, teksa shpërndanim ushqime në pika ku rreziku ishte intensiv kishte nga ata që na përqafonin, qanin. Është shumë e vështirë që t’i shpjegoj këto emocione”, tha Hekim.
Duke vënë në dukje se për shkak të luftës përjetojnë probleme në furnizim dhe logjistikë, Hekim tha: “Me ekipin tonë vullnetar, ne sjellim atë që mund të gjejmë dhe i shpërndajmë. Që nga dita e parë flitet për rrezik dhe thuhet se ky rrezik do të rritet. Për mua nuk ka rëndësi nëse ka apo jo rrezik, unë do të jem këtu deri në momentin e fundit dhe unë do ta vazhdoj këtë për sa kohë që do jetë mundësia e zinxhirit furnizues”.
/aa/