-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Shteti turbofolk i Thaçit dhe i 40 hajdutëve

Më të lexuarat

Shteti i Kosovës, përkatësisht Qeveria, në diplomaci është inferiore në qasjen ndaj shteteve tjera, sidomos kur është fjala te gjeopolitika dhe gjeostrategjia. Kjo diplomaci (i thënçin!?) nuk dallon me asgjë nga qasjet emotive dhe proverbiale të masave popullore. Pra diplomacia kosovare është popullizëm klasik.

Ditën që Franca e njohu Kosovën, presidenti Sarkozi vajti në një shkollë parisiene dhe u ligjëroi fëmijëve “mësimin” e parë: Se me lindjen e një shteti të ri ka ndërruar harta e Europës, e së bashku me hartën ka ndërruar edhe gjeopolitika e Ballkanit, në kontekstin e post Luftës së Ftohtë.

Në anën tjetër liderët kosovarë s’e kanë shumë për zemër shtetin në krye të të cilit janë ngritur sipas asaj që njihet si spirale e paaftësisë. U ligjërojnë fëmijëve nga ballinat e gazetave dhe ekranet televizive, u ligjërojnë metarrëfime për një shtet të madh shqiptar, për bashkim kombëtar, për flamurin kuqezi dhe simbole tjera mesjetare, apo edhe të shekullit 19.

Pra i vetmi tregim i lidershipit kosovar për fëmijët e Republikës është nacionalizmi, përkatësisht patriotizmi romantik.

Kryetarja e shtetit, kryeministri dhe Qeveria e tij, veçmas Ministria e Jashtme, së këndejmi shesin mjegull në publik, ngase nuk kanë ide si lindin e si ndërtohen shtetet, kush dhe si i mban shtetasit në miqësi qytetare, të lidhur për idenë e madhe të shtetit.

Dhe mbi të gjitha nuk kanë ide se çka do të thotë një shtet i ri për ligjin ndërkombëtar, për gjeopolitikën rajonale dhe në kontekstin euroatlantik dhe cili është konteksti gjeostrategjik me Kosovën brenda tij, si entitet shtetëror.

Ta vësh armikun në pozicion të keq përpara bashkësisë ndërkombëtare, ky është sipas Winston Churchillit, postulati çelës i suksesit të një politike të jashtme, të ndërtuar me mjeshtëri.

Kosova me padëgjueshmëninë qytetare të viteve ’90 e pati vënë atëbotë kundërshtarin (RFJ dhe Serbinë) në pozicion të keq në raport me bashkësinë ndërkombëtare, prandaj edhe rezultoi me sukses projekti kosovar për një shtet të pavarur. Mirëpo, posaçërisht pas trazirave (krejtësisht pa krye) të marsit 2004 e tutje, deri më 17 shkurt 2008, kur u shpall Pavarësia, Kosova nuk arriti asnjëherë ta vërë armikun në pozicion të keq.

Kosova ia imponoi Serbisë një pozicion të keq karshi të tjerëve vetëm pak ditë pas deklarimit të Pavarësisë (protestat e dhunshme në Beograd dhe mësymja me zjarr ndaj ambasadave perëndimore në Beograd.)   

Por qeverisja banditeske, me njerëz të korruptuar, ministra e diplomatë nga ana tjetër e ligjit, brenda, si dhe mospasja e asnjë strategjie për jashtë, shumë shpejt i dha kohë dhe mundësi Serbisë që ta konsolidojë diplomacinë e vet dhe ta rikthejë primatin e humbur në punët e përbotshme, ndërkaq që Kosovën ta vërë në pozicion shumë të keq karshi bashkësisë ndërkombëtare. Ky pozicion pati për pasojë natyrisht kompromiset e dhimbshme që Kosova i bëri në bisedimet me Serbinë dhe ekziston droja se ky imazh i shkatërruar deri në përmasat e shtetit të dështuar do të zgjasë hala më gjatë, posaçërisht derisa të gjendet një zgjidhje e favorshme për serbët në veri të Kosovës.

Si me kast, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka ndërtuar kurrfarë kapacitetesh politikëbërësish pos punësimit nepotist të një armate të njohurish (që mbajnë kravata e marrin poza e s’dinë t’i artikulojnë dy fjali) të ministrave, zëvendësve të tyre apo zyrtarëve tjerë qeveritarë.

E për rrjedhojë logjike kjo ministri nuk ka kurrfarë politikash rajonale e hiç se hiç aso për punët botërore.

Dikush hala atje lart (në majat e shtetit) merret me metarrëfime të shekullit 19, për kombe të mëdha e simbole, në stilin “se nëse bëhet ashtu, ne do të bëjmë kështu” etj.

Kryeministri duke ndier tërmetin politik që po i kanoset Qeverisë së tij, nga bomba me sahat që mund të shpërthejë në çdo çast për sa i përket pjesës veriore të Kosovës e tha një fjali të eksploatuar aq dendur qe 30 vjet, se nëse ndërrohen kufijtë, shqiptarët do ta kenë më së lehti të jetojnë në një shtet të vetëm. E saktë, shqiptarët mund të jetojnë në një shtet të vetëm, me kushtin që t’ia dorëzojnë Serbisë rreth 30 për qind të tokës kosovare.

Historikisht dihet se shqiptarët etnikë sa herë që janë shfaqur në historinë e politikës me tregime të mëdha, që nga Lidhja e Prizrenit e këtej kanë humbur mijëra kilometra tokë, që nga Sanxhaku i Nishit e deri në Tivar; që nga Plava me Guci e deri në Hot e Grudë, që nga Bujanoci e deri në Manastir, që nga Preveza e deri në Selanik.

Lehtësia e padurueshme ligjërimore e kryeministrit kosovar tek kërcënon rajonin më një shtet unik shqiptar më përpara i shkon një meseleje, sipas modelit të odave të burrave, se sa të folmes së një burrështetasi që ka marrë obligime ndërkombëtare.

Kësaj pune i thonë: Nuk tutet arusha me shoshë, o Hashim…

Deklarata e tij, afërmendsh se përputhet me mendësinë e kryetarit serb Boris Tadiq, i cili i bënte thirrje Tiranës zyrtare që të negociojë për ndarjen e Kosovës, duke i trajtuar kosovarët në nivelin e pakicave kombëtare ashtu siç edhe sillen vetë ata.

E natyrisht për pakicat flasin gjithnjë shtetet e tyre amë, siç konceptohen tmerrësisht Serbia, shtet amë i serbëve kosovarë dhe Shqipëria shtet amë i shqiptarëve kosovarë.

Derisa Kosova është vetë shtet amë i kosovarëve.

Gjeopolitika rajonale po pëson ndryshime drastike dhe shtetet e rajonit secili veç e veç kanë ndërtuar strategjitë e tyre edhe në raport me shtetin e ri kosovar, por edhe në raporte më të gjëra, me BE-në dhe NATO-n, me ShBA-në Vs Rusinë, me Turqinë Vs BE-në. Kosova në këto raporte nuk ka arritur të jetë subjekt, pra edhe pse shtet i njohur nga 89 kombe të botës vazhdon ta mbajë veten si monedhë për kusuritje!?

Nëse i vizatojmë tre rrathë koncentrik të interesit nacional kosovar, do të shohim se në rrethin e parë janë fqinjët e Kosovës, Serbia dhe Shqipëria që mbajnë qëndrim të përafërt karshi Kosovës, e para me një qëndrim të egër hegjemonist, kurse e dyta me një qëndrim kryesisht korrekt; Maqedonia që ndonëse merr poza mirësjelljeje karshi Kosovës e sheh atë me mosbesim, ngase Prishtina zyrtare ua ka hatrin kushërinjve që përplasen me maqedonasit brenda shtetit pa emër, ndërsa Mali i Zi edhe pse e ka njohur shtetin e ri shtiret i painteresuar të implikohet në temën kosovare, për të mos e zemëruar Serbinë.

Por cilat janë politikat dhe strategjitë e Kosovës karshi fqinjëve?

Me pak cinizëm mund të thuhet se Kosova ka vetëm “politika” shopingjesh dhe verimesh me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, ndërsa politika shtyrjesh për mezhdë me Serbinë, së cilës, duke qenë në pozicion të keq vazhdimisht detyrohet t’i bëjë koncesione.

Serbia di çdo gjë për Kosovën, për profilet e politikanëve, për profilin e tërë klasës politike, madje edhe nga sa gra e dashnore i kanë!?

Serbia ka informatorë në instancat më të larta të pushtetit, posaçërisht në Qeveri.

Serbia, duke qenë e interesuar, përmes infiltrimeve në kontingjentet e shteteve mike të KFOR-it di për numrin e ushtarëve të FSK-së, nivelet komanduese dhe llojin e armatimit, në i kanë dyert e kazermave të kthyera nga veriu apo nga jugu, sa lugë i kanë në shportë  dhe cilat gjellë në meny!?

Po ashtu, Serbia di çdo gjë për inteligjencën kosovare, duke qenë se ajo nuk ka asnjë fshehtësi, (AKI-ja p.sh. i raporton Auditorit të Përgjithshëm sa njerëz ka, nga sa marrin rrogë etj.)

Kurse në Kosovë nuk ka asnjë agjenci ose institut që merret me studime politike-strategjike dhe gjeopolitike ndaj dhe për Serbinë. Pra Prishtina politike nuk i di as synimet e Serbisë në Kosovë, cilat janë interesat e saj reale dhe ato të shpifura të saj karshi shtetit të ri, cilat janë politika afatgjata e cilat janë sall blofe!?

Çfarë lëvizjesh politike “luhen” aktualisht në Vojvodinë dhe a po ringjallet nacionalizmi etnik vlleh (rumun) në Krahinën e Timokut…

A e synon Serbia aneksimin e Republika Sërpska apo veriun e Kosovës, a është në interesin e Serbisë shkëputja e kësaj pjese nga territori kosovar apo mbajtja brenda saj si kërcënim konstant për sigurinë rajonale etj.

Prishtina po ashtu nuk ka ide se a duhet të përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë, kur është fjala te interesat e etnisë shqiptare atje, a duhet të bëjë presion zyrtar te Shkupi apo të mbesë neutrale; Prishtina nuk ka fare pozicion për emrin kushtetues të këtij shtetit, të kontestuar nga fqinji i saj Greqia.

Me Shqipërinë, pos që kosovarët duan të bëhen “me zor” personazhe të historisë shqiptare dhe pos që përpiqen ta thyejnë gjuhën me një tosknishte të lodhtë, ata nuk kanë as kërkesa dhe as pyetje. Nuk dinë çfarë të marrin nga përvojat e Ushtrisë Shqiptare dhe sfidat e saj deri në NATO, për misionet paqeruajtëse; nuk ka ndonjë studim që dëshmon për rrugën shqiptare drejt BE-së dhe cilat janë pengesat, nuk kanë shumë çfarë të këmbejnë, pos që më gjysmë goje ndonjëherë do të pyesin për pataten kosovare, që i bëhet “bllok” në kufi!?

Çka nëse Serbia bëhet anëtare e BE-së, kurse Shqipëria dhe Kosova mbesin hala jashtë? A mundet Shqipëria të jetë pro integrimit të Serbisë në NATO, nëse kjo nuk e pengon Shqipërinë në BE?

Ku është Kosova në këtë kontekst?

Ndërsa me Malin e Zi, Kosovën e presin disa sfida si demarkacioni i kufirit (në këtë aspekt do burra rugovas po bëjnë telashe), ngritja e marrëdhënieve ndërshtetërore në nivel ambasadorësh dhe në këtë kontekst fati kushtetues i komunitetit fare të vogël malazias në Kosovë.

Diplomacia kosovare pos që e përtyp fjalinë se me Malin e Zi marrëdhëniet janë shumë të mira, këtu i vë pikën këtij muhabeti. Askush s’di të thotë në Prishtinë se cili mund të jetë pozicioni i Podgoricës në rast të shpërthimit në veri të Kosovës dhe cilat janë raportet e interesat e ndërsjella Tiranë-Podgoricë?

Në rrethin e tretë ku duhet të fokusohet politika e jashtme kosovare hyjnë shtetet e ish-Jugosllavisë federale, si Sllovenia dhe Kroacia si anëtare të BE-së dhe NATO-s, Bosnja dhe Hercegovina që s’e njeh Kosovën për shkak të ndikimit të Republika Sërpskas, pastaj Rumania, Bullgaria dhe Turqia. E para është interesante për faktin që nuk e njeh Kosovën është shumë atraktive për t’u kontaktuar edhe për shkak të pozicionit diskriminues të vllehëve në Serbi, por edhe për shkak të një elementi domethënës arumunë në Shqipëri dhe lidhjet kulturore shqiptare-rumune që nga Rilindja kombëtare shqiptare e tutje.

E dyta, Bullgaria është në njëfarë konflikti latent me Maqedoninë për arsye etnike dhe historike dhe me një element të madh turk brenda.

Dhe e treta Turqia, që në kontekstin gjeopolitik është vend kyç që ndërlidh Europën me Azinë dhe mund të ndikojë te vendet arabe për njohjen e Kosovës.

Turqia “kujdestaron” mbi Grykën e Bosforit dhe është aleate ushtarake e ShBA-së, por me telashe me kurdët dhe me gjenocidin e vitit 1912 ndaj armenëve. A ka Prishtina pozicion ndaj kësaj tabu-teme dhe si do të përgjigjej ministri i Jashtëm kosovar po ta pyesë dikush në Paris për këtë!?

A po rishfaqet në horizont neootomanizmi që me vrazhdësi i cilëson shqiptarët si “mbetje” të osmanëve në Ballkan dhe cili duhet të jetë pozicioni i Kosovës ndaj këtij shteti të madh dhe të fuqishëm ekonomikisht dhe ushtarakisht?

Si të sillet Kosova ndaj ekspansionit kulturor turk në hapësirat shqiptare etj.

A mendon kush në Kosovë për këta rrathë koncentrikë të politikës së jashtme, apo është kjo matematikë e lartë për klasën politike aktuale, që kanë prioritete tjera, zhvatjen, krimin me sebep pasurimin dhe krekosjen mbi tuba plehu..kohaislame

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit