2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Bunk’Art 1, muzeu që zbulon misteret e regjimit komunist në Shqipëri

Më të lexuarat

Brenda Bunk’Art 1 janë ekspozuar armatime, uniforma ushtarake, dokumente, harta, fotografi dhe sende të tjera që shërbenin në atë kohë në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë

Shqipëria shënon më 20 shkurt të këtij viti 31-vjetorin e rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha, që shënoi edhe simbolikisht rrëzimin e diktaturës, ndërkohë e kaluara komuniste sot është e dokumentuar edhe në ngritjen e muzeve të veçantë, që zbulojnë misteret e regjimit komunist rreth gjysmëshekullor (1944-1991).

Në mesin e disa muzeve që iu kushtohen të kaluarës komuniste në Shqipëri është edhe Bunk’Art 1, ish-vendstrehimi (bunker) antibërthamor, ndërtuar nga qeveria komuniste disa dekada më parë.

Ky bunker u inaugurua në vitin 1978 nga ish-diktatori Hoxha dhe kishte emërtimin si “Objekti 0774”, ndërtimi i të cilit kishte si qëllim që të shërbente si vendstrehim dhe vend pune për udhëheqjen komuniste në rast të ndonjë sulmi bërthamor ndaj Shqipërisë.

Sot i shndërruar në një muze brenda tij janë ekspozuar armatime, uniforma ushtarake të kohës, dokumente historike, harta, fotografi dhe sende të tjera që shërbenin në atë kohë në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Objekti aktualisht është i përbërë nga pesë nivele (kate) nëntokë dhe ka mbi 106 dhoma.

I hapur fillimisht për vizitorët në vitin 2014 dhe i konceptuar si një muze pas vitit 2016, i vendosur në periferi të Tiranës, në Njësinë Administrative Dajt, ish-bunkeri antibërthamor zbulon sot disa nga misteret e regjimit komunist, sidomos aspekte të jetës së përditshme të shqiptarëve gjatë komunizmit, por ka edhe materiale që i përkasin edhe luftës antifashiste (1939-1944).

Ekspozita muzeale është e konceptuar në disa pjesë, konkretisht e ndarë në dhomën që ishte planifikuar të përdorej nga ish-diktatori Enver Hoxha, dhomën e ish-kryeministrit Mehmet Shehut, dhoma e oficerit, shtëpia socialiste, dhoma e ndërlidhjes ushtarake, dhoma e shefit të shtabit të ushtrisë, salla e Kuvendit, bunkerizimi i Shqipërisë, arsimimi, sporti në komunizëm dhe instilacione që tregojnë aspekte të ndryshme të regjimit komunist.

Senada Murati, menaxhere e Bunk’Art 1 tregon për Anadolu Agency (AA) se që kur është hapur disa vite më parë interesi për të njohur muzeun ka qenë i lartë, si nga të huajt ashtu edhe nga vizitorët vendas. “Duke qenë që deri në ato vite nuk ekzistonte një vend specifik ku të flitej për këtë periudhë historike të Shqipërisë, periudha e komunizmit, lindi ideja të hapej bunkeri antiatomik”, shprehet Murati.

Sipas saj, vizitorët janë nga e gjithë bota, duke përfshirë nga Gjermania, Italia, Polonia, Turqia e deri nga Australia dhe Amerika.

Interes për këtë muze shfaqin edhe të moshuarit që kanë jetuar në periudhën komuniste, por gjithashtu edhe nxënës dhe studentë për qëllime studimore.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit