-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

“BE s’e do lëvizjen e lirë për kosovarët, Qeveria s’po kryen punët”

Më të lexuarat

Kosova ende nuk merr dritën jeshile për liberalizimin e vizave, edhe pse tani e tre vite ka nisur dialogun për këtë çështje me Bashkimin Evropian.
 
Për anëtarin e Komisionit për integrime Evropiane, Ilir Dedën, kjo zvarritje e liberalizimit të vizave po bëhet për shkak të mosgatishmërisë së BE-së për t’u mundësuar qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm.
 
Tjetra, sipas deputetit të Vetëvendosjes, është për shkak të mosgatishmërisë së Qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
 
Pas dërgimit të raportit për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave me 5 qershor të këtij viti nga Ministria e Integrimeve Evropiane tek shefi i zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, në Kosovë këto ditë po qëndron ekipi i ekspertëve faktmbledhës për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.
 
Anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, Ilir Deda për KosovaPress thotë se nuk di çfarë të presë nga misioni faktmbledhës. Sipas tij, duhet të pritet raporti.
 
“Unë nuk di çka do të pres prej tyre sepse unë dhe asnjë nga anëtarët e Komisionit për Integrimet Evropiane nuk do të ketë takim me misionin faktmbledhës të BE-së. Duhet të shohim se si vlerëson ky mision faktmbledhës në fund gjithë këtë proces. Janë dy çështje këtu, një mosgatishmëria e BE-së për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës dhe dy ka qenë mosgatishmëria permanente e qeverive të Kosovës ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, tek e fundit këtu kemi mbet. Të shohim se si do ta vlerësojnë ata kësaj here. Pa e lexuar raportin nuk është e drejtë të spekuloj për atë çka presim prej raportit të tyre”, tha Deda.
 
Megjithatë, Ministria e Integrimeve Evropiane është optimiste dhe pret rezultate pozitive nga misioni faktmbledhës i dërguar nga Komisioni Evropian, e që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të bëhet gjatë këtij viti.
 
Ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku, thotë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se çdo zvarritje e mëtutjeshme është e pajustifikueshme. Ai është i mendimit se drita jeshile dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës duhet të jepet gjatë këtij viti.
 
“Unë jam i bindur se do të ketë përputhje përafërsisht të plotë të të dy raporteve dhe nëse kjo do të ndodhë atëherë jam i sigurt që Komisioni Evropian duke e parë që Kosova i ka përmbushur tashmë të gjitha kriteret e kërkuar me udhërrëfyes, atëherë patjetër duhet të vijë në përfundim që të japë dritën jeshile, pra të japë rekomandimin pozitiv. Ne presim me plot realitet dhe optimizëm që rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës të jepet gjatë fundit të këtij viti. Çdo zvarritje e mëtutjeshme mendoj që do të jetë krejtësisht e pajustifikueshme, tha Çollaku.
 
Se a është ky proces i lidhur me dy proceset e rëndësishme të Kosovës, dialogun dhe me Gjykatën Speciale, ministri Çollaku thotë se në mënyrë të drejtpërdrejt nuk është e logjikshme të jenë të lidhura me këto dy procese por që çdo gjë që është politike në mënyrë indirekte ka pasoja në procese tjera në tërësi. Sipas tij ky vit do të jetë vit i Kovës Evropiane
 
Ndërkaq, profesori i së Drejtës së Bashkimit Evropian, Avni Mazreku, thotë që deri më tani të gjitha kushtet është dashur të plotësohen, por që ka munguar vullneti politik i Qeverisë së Kosovës.
 
“Ne e dimë që deri sot, deri në vitin 2015 shumë kritere që kanë mundur të përmbushen më përpara kanë dështuar të përmbushen si rezultat i deficitit të vullnetit politik. Prandaj, në qoftë se konkludojmë këtë pjesë të themi, jemi në një situatë ku situatat janë të paparashikuar për sa i përket afatit kohor. Do të thotë mënyrës së marrjes vendimeve në Bashkimin Evropian që është çështje e vendimmarrjes politike të qëndrimit të shteteve të caktuara dhe mungesës së vullnetit, përkatësisht ekzistencës së vullnetit politik nga ana e njerëzve tonë, përkatësisht Qeverisë së Kosovës”, tha Mazreku.
 
Kosova ka nisur dialogun për Liberalizimin e Vizave me BE-në në janar të vitit 2012, ndërsa në qershor të vitit 2012 ka pranuar zyrtarisht Udhërrëfyesin për Liberalizim të Vizave, me gjithsej 95 kritere dhe 60 rekomandime.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit