1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Si të hiqni mbetjet e pesticideve nga frutat e perimet

Më të lexuarat

Përdorimi i pesticideve dhe i plehrave kimike ka sjellë edhe zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë moderne. Teksa njerëzit kanë nisur të tregojnë një vëmendje më të madhe për shëndetin e tyre, ata po shqetësohen gjithnjë e më shumë nga mbetjet e pesticideve në frutat dhe perimet. Në fakt, koncepti “pesticide” është shumë i gjerë. Disa i quajnë “pesticide” të gjitha lëndët që përdoren në bujqësi, përveç plehrave kimike, kurse të tjerë quajnë “pesticide” vetëm ilaçet kundër kandrrave.
 
Llojet e pesticideve janë të shumta. Por le të sqarojmë së pari dy gjëra të rëndësishme:
1. Zbulimi i mbetjeve të pestidicideve nuk do të thotë doemos rrezik për shëndetin, sepse pa arritur në një sasi të caktuar, asnjë pesticid nuk përbën kërcënim ndaj shëndetit.
2. Lloje të ndryshme pesticidesh përdoren kundër kandrrash të ndryshme, prandaj nuk mund të thuhet a janë të dëmshme apo jo ato nëse mbetjet e tyre janë shumë më të vogla se standardi i përcaktuar.
Nëse pesticidet janë të padëmshme për shëndetin e njeriut, kjo përcaktohet nga matjet përkatëse. Sigurisht e mira do të ishte që të pakësohet sa më shumë prania e tyre, por rruga kryesore është prodhimi i pesticideve që përmbajnë sa më pak lëndë helmuese dhe përdorimi i përshtatshëm i tyre në prodhim.
Për konsumatorët, në ç’mënyrë mund të hiqen më mirë gjurmët e pesticideve nga frutat e perimet?
Në një nga numrat e vitit 2010 të revistës “Ushqimi dhe toksikologjia kimike” u botua studimi i një specialisti belg mbi heqjen e mbetjeve të pesticideve nga frutat dhe perimet. Sipas këtij studimi, rrugët më efikase janë: larja me ujë të valuar, heqja e lëkurës, skuqja me vaj, pastrimi me ujë etj.
Skuqja me vaj dhe larja me ujë të valuar mund të heqin përkatësisht 90 % dhe 80 % të mbetjeve. Por frutat dhe perimet nuk janë të përshtatshme për t’u skuqur në vaj. Tiganisja në vetvete sjell shtim të kalorive, duke prishur elementet e tjera ushqyese, kurse larja ose kalimi i menjëhershëm në ujë të valuar është një mënyrë më e zbatueshme, sepse prishen më pak elemente ushqyese. Por në temperatura të larta disa pesticide zhduken, ndërsa disa të tjera bëhen më helmuese.
Prandaj, larja e frutave është një nga mënyrat e studiuara më shumë nga shkencëtarët për heqjen e mbetjeve të pesticideve në fruta dhe perime. Një departament qeveritar në ShBA zgjodhi 28 lloje frutat dhe perimesh për t’i pastruar me ujë, me lëng pastrues dhe me katër lloje lëndësh të posaçme për pastrimin e frutave e perimeve. Rezultati tregoi se të gjitha këto mënyra mund të pakësojnë në mënyrë të dukshme gjurmët e pesticideve. Por u pa se pastrimi me lëndë të posaçme nuk ka ndonjë ndryshim nga pastrimi me ujë të zakonshëm, sepse mbetjet zakonisht hiqen mekanikisht gjatë larjes. Prandaj u propozua larja mbi 30 sekonda e frutave dhe e perimeve duke i fërkuar gjatë pastrimit.
Disa e kanë zakon të fusin frutat dhe perimet në ujë acid, ujë alkalin ose ujë të kripur. Këto metoda janë të efektshme për disa lloje frutash dhe perimesh. Në një studim doli se, pas futjes së specave 10 minuta në ujë me 2 % kripë, u larguan 80% të mbetjeve të pesticideve. Por qelizat në sipërfaqen e disa perimeve mund të prishen në ujë të tillë dhe pesticidet e shkrira në ujë kanë mundësi të hyjnë përsëri te frutat e perimet pas pastrimit.
Pastrimi me ujë mund të heqë mbetjet e pesticideve në sipërfaqet e frutave dhe perimeve, por kur pesticidet kanë depërtuar brenda, duhet qëruar lëkura e tyre. Kështu, heqja e lëkurës së patateve mund të largojë mbi 70 % të mbetjeve të pesticideve.
Pra, tre mënyrat kryesore për heqjen e gjurmëve të pesticideve në fruta dhe perime janë pastrimi me ujë, heqja e lëkurës ose e pjesës së jashtme të tyre dhe kalimi në ujë të valuar.
Nëse ende jeni të shqetësuar, mund të bëni zgjedhje të larmishme të frutave e perimeve, sepse për fruta dhe perime të ndryshme përdoren pesticide të ndryshme. Kështu, nëse zgjedhim larmi frutash dhe perimesh, mund të pakësojmë sasinë e përdorimit të pesticideve të ndryshme, të cilat jo të gjitha janë të dëmshme për shëndetin e njeriut. 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit