Nga: Remez Sasson
Paqja e brendshme dhe ekuilibri në jetën e përditshme
Paqja e brendshme dhe ekuilibri kanë një rëndëdësi të veçantë në jetën e çdo individi. Ato konsiderohen si shumë të vlefshme nga shumica e njerëzve, edhe pse vetëm pakica e tyre i ka përmbushur. Gjithësesi, të gjithë e gëzojnë aftësinë që ti zhvillojnë sipas vullnetit.
Çfarë përfiton njeriu nëpërmjet paqes dhe ekuilibrit të brendshëm?
Nëpërmjet tyre, njeriu arrin të kontrollojë veten, ngjitet në një nivel më të lartë përsosmërie, rrit aftësitë për të mos i lejuar ngjarjet e jashtme që të ndikojnë tek emocionet, veprat, reagimet dhe vendimet. Të kesh paqen dhe ekuilibrin e brendshëm, do të thotë se ti ke ndjesi të shëndoshë dhe gjykim të mprehtë, se asgjë nga bota e jashtme nuk mund ta cenojë botën tënde të brendshme.
Vallë sa herë je pushtuar nga emocione negative, ke humbur kontrollin e vetes dhe të ka sosur durimi?
Sa herë je bërë pishman për reagimet dhe sjelljet e tua?
A u çirresh fëmijëve të tu, kolegëve dhe punonjësve? E nevrikosesh me ta? A ndihesh mirë me këtë gjendje?
A lejon që puna, moti, zhurmat, sjelljet e të tjerëve, filmat, televizori, gazeta etj… të ushtrojnë ndikimin e tyre në mënyrën e të menduarit tënd dhe emocionet e tua?
A janë zhvillimet e jashtme ato që të imponojnë të menduarit, apo je ti ai që zgjedh se mbi çfarë do të mendosh?
Këshilla për paqen dhe ekuilibrin e brendshëm:
1. Momentet e para pas zgjimit, janë shumë të rëndësishme, sepse ato ndikojnë në gjendjen e humorit për gjithë ditën. Prandaj dhe këto momente duhen shfrytëzuar në mënyrën e duhur. Menjëherë, me tu zgjuar në mëngjes, në vend që të mendosh për vështirësitë dhe sfidat që të presin, filloje ditën me një buzëqeshje, thuaji vetes tënde se do të kalosh një ditë të mrekullueshme. Mendo për gjërat e bukura që do të bësh dhe do të provosh, mos mendo për vështirësitë. Përsëritja vetes disa herë se sot, ti do ti përmbahesh ekuilibrit të brendshëm dhe do të kalosh një ditë të paqtë.
2. Në momentin kur të ngrihesh nga gjumi në mëngjes, e derisa ti kthehesh sërish gjumit në darkë, përpiqu të ruash një nivel të caktuar ndarjeje emocionale. Kjo nuk do të thotë të mos e bësh gajle për asgjë, por do të thotë që të mos reagosh menjëherë karshi ngjarjeve, punës, emocioneve dhe mendimeve. Mund të mos jetë dhe aq kollaj, por nëse insiston dhe nuk heq dorë, mund t’ia arrish. Merr një frymëmarrje të thellë disa herë, ose numëro deri në dhjetë herë para se të largohesh. Kjo do të të qetësojë për pak kohë.
3. Nëse dikush të tregon diçka të pakëndshme, në vend të sharjeve dhe zemëratës, prit dhe shtyje reagimin tënd. Nuk dua të them që të ziesh përbrenda dhe njëkohësisht të shtiresh sikur je i qetë nga jashtë. Kjo është diçka jo e shëndetshme. Ajo që dua të them është që të presësh dhe ta shohësh çështjen nga një këndvështrim më i gjerë. A është e rëndësishme realisht ajo që po thotë ky person? Përse ajo që thotë ai, ka shumë kuptim për mua? Mos ndoshta ka të drejtë? Kështu, në vend që të hidhesh në sulm duke reaguar me zemëratë, dëgjoje deri në fund mendimin e tij.
4. Konfrontimi me problemin dhe disfata, mund të jetë shkatërrues ndonjëherë. Në raste të tilla, sill ndërmend se edhe nëse rrëzohesh në një luginë, duhet të vazhdosh ngjitjen, pasi herët e vonë do të arrish në destinacion, pavarësisht asaj që ndodhi. Sille ndërmend faktin se çdo gjë e ka një zgjidhje dhe një dalje, se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi. Një koncept dhe besim i tillë, do të ndihmojë për rikthimin e paqes dhe ekuilibrit të brendshëm, në çfarëdo situate.
5. Zhvilloji fuqitë e tua të brendshme dhe aftësitë për ta qetësuar trurin, nëpërmjet ushtrimeve të meditimit, fokusimit dhe dietës. Kështu do të arrish të ngjitesh lart në nivelet e paqes shpirtërore dhe të ekuilibrit të brendshëm.
…