8.2 C
Pristina
Monday, October 21, 2024

“Shqipëria do të vazhdojë të angazhohet për paqen dhe forcimin e bashkëpunimit në rajon”

Më të lexuarat

Xhaçka dhe Linhart mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat ku kryediplomatja e Shqipërisë tha se vizita e ministrit austriak është tregues i vëmendjes që Austria i kushton Shqipërisë dhe rajonit

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, priti sot në takim ministrin federal austriak për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, Michael Linhart, i cili po zhvillon një vizitë dyditore në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

“Shqipëria do të vazhdojë të angazhohet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”

Xhaçka dhe Linhart mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat ku kryediplomatja e Shqipërisë tha se vizita e ministrit austriak është tregues i vëmendjes që Austria i kushton Shqipërisë dhe rajonit.

Ajo tha se Shqipëria ka bërë përpjekje të qenësishme për implementimin e një vargu reformash të rëndësishme, sipas saj, përpjekje të cilat janë njohur si nga Komisioni Evropian ashtu edhe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Zhvillimet në Ballkanin Perëndimor ishin një tjetër temë e rëndësishme e diskutimeve që zhvilluam. Ne vlerësojmë angazhimin dhe mbështetjen e Austrisë për vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e tyre për t’u integruar në BE. Shqipëria nga ana e saj do të vazhdojë me konseguencë të angazhohet për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe forcimit të bashkëpunimit midis vendeve të rajonit”, tha Xhaçka.

Sipas saj, rigjallërimi i perspektivës së integrimit evropian për vendet e rajonit do të jetë një instrument efikas për të inkurajuar vazhdimin e reformave dhe forcimin e stabilitetit.

“Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm për Evropën”

Ministri Linhart, tha se me homologen Xhaçka kanë realizuar një bisedë shumë të frytshme për tema të ndryshme, që u përkasin marrëdhënieve bilaterale dhe integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

“Folëm gjithashtu me homologen time edhe për bashkëpunimin në kuadër të emigracionit të jashtëligjshëm, që gjatë kohës së pandemisë ishte në rënie, por tani fatkeqësisht shifrat janë rritur sërish kohët e fundit . Ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin në këtë kuadër me Shqipërinë dhe besoj se është e nevojshme që të kemi një koordinim dhe dakordësim shumë të madh me të gjitha vendet që ta përballojmë këtë kaos të madh që patëm edhe në vitin 2015”, tha ai.

Ministri austriak theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk tregohen vetëm në përballimin e sfidave, por edhe në bashkëpunimin e rëndësishëm ekonomik.

“Shqipëria nuk është vetëm një treg i së ardhmes me potencial të madh, por është gjithashtu edhe një vend shumë i rëndësishëm për Evropën tonë të përbashkët. Për ne është një çështje me rëndësi qendrore që ta mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian, sepse Shqipëria për ne i përket Evropës si nga pikëpamja kulturore ashtu edhe nga pikëpamja ekonomike dhe i ka realizuar reformat që janë kërkuar. Hapja e bisedimeve me Shqipërinë janë për mua të një domosdoshmëri të nivelit të lartë dhe shpresoj shumë që ata do të zhvillohen tani në dhjetor”, u shpreh Linhart.

Ministri Linhart është takuar edhe me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, ndërkohë do të takohet edhe zyrtarë të tjerë të vendit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit