2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Fillon në Prishtinë investimi arab 22 milionësh

Më të lexuarat

Planet për ndërtimin e qendrës pediatrike të dhuruar nga lartmadhëria e saj, Sheika Fatima bint Mubarak, fëmijëve të Republikës së Kosovës tashmë kanë filluar
Një ekip nga Emiratet e Bashkuara Arabe po qëndron këto ditë në Prishtinë, pikërisht për jetësimin e fillimit të punimeve.
Presidentja, Atifete Jahjaga, të dielën ka pritur në takim delegacion e Emirateve të Bashkuara Arabe, të prirë nga Maitha Al Shamsi, ministre e Shtetit dhe Dr.Mata Barakat, drejtoreshë e Autoritetit të Shëndetësisë në Abu-Dabi, disa javë pasi janë dakorduar për fillimin e jetësimit të donacionit prej mbi 22 milionë euro për ndërtimin e një Spitali të ri Pediatrik-Kirurgjik në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Presidentja, Atifete Jahjaga, pas takimit me ekipin nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka thënë se po bëjnë zyrtarisht fillimin e planeve për ndërtimin e qendrës pediatrike të dhuruar nga lartmadhëria e saj, Sheika Fatima bint Mubarak.
“Ky është fillimi i jetësimit të Kklinikës Pediatrike që do të na ndihmojë të jetësojmë ëndrrën e familjeve tona dhe gjeneratës tonë për t’u përkujdesur për fëmijët e Kosovës, për të rritur të shëndoshë një gjeneratë të re”, ka thënë Jahjaga.
Ajo ka vlerësuar se ndërtimi i Klinikës Pediatrike-Kirurgjike është ndihmë e jashtëzakonshme për qytetarët e Kosovës. “Ky Spital përmbush një nevojë urgjente për përmirësimin e përkujdesjes shëndetësore të fëmijëve të Kosovës dhe në përgjithësi përmirësimin e kualitetit të jetës dhe mirëqenies së familjeve tona”, ka thënë e para e vendit.
Spitali i ri, sipas drejtorit të Kirurgjisë së Fëmijëve, Nexhmi Hyseni, do të jetë për kirurgji të fëmijëve dhe një pjesë për hematologji dhe pediatri.
“Ajo do të jetë për kirurgji dhe neonatologji dhe një pjesë e përbashkët për diagnostikë”, ka thënë Hyseni.
Ndërkohë, sipas tij, projektin ideor e kanë bërë në QKUK, derisa në këtë fazë është marrë për t’u dizajnuar. “Sapo të kompletohet projekti do të jetë publik”, ka thënë Hyseni.
Ndërkohë, presidentja Jahjaga ka qartësuar se Spitali 22-milionësh do të vendoset brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, mes Klinikës Gjinekologjike dhe Departamentit të vjetër të Pediatrisë, që edhe simbolikisht lidh përkujdesjen ndaj nënës dhe fëmijës.
“Klinika e re, e cila pritet të hapet në verën e vitit 2017, me vlerë prej 22 milionë eurosh, do të përfshijë shërbime shëndetësore të porsalindurve, ortopedi, neurologji, urologji, endokrinologji, kardiologji, onkologji, hematologji dhe mjekësi emergjente, duke na ndihmuar në këtë mënyrë që të shpëtojmë jetë”, ka thënë Jahjaga, e cila ka falënderuar lartmadhërinë e saj, Sheika Fatima bint Mubarak për humanitetin dhe zemërgjerësinë për të dhuruar këtë përkujdes për fëmijët dhe familjet e Kosovës.
“Jam shumë krenare që miqësia e dy vendeve tona, që ka filluar në ditë shumë të vështira për Kosovën, sot vuloset me këtë Klinikë Pediatrike që me nder e krenari do të mbajë emrin e Sheika Fatimes, si dëshmi e humanitetit të saj, qëndrueshmërisë së marrëdhënieve tona të shkëlqyeshme, të cilat do të vazhdojmë t’i avancojmë”, ka thënë Jahjaga.
Bashkë me ekipin nga Emiratet e Bashkuara Arabe presidentja ka vizituar vendin, ku do të ndërtohet Spitali i ri Pediatrik-Kirurgjik, në QKUK, në Prishtinë.
 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit