4.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Format dhe metodat që përdori Kurani në edukimin e të rinjve

Më të lexuarat

Kur thellohemi në Kuranin fisnik, e shohim se format që ka përdorë Kurani në edukimin e të rinjve janë të shumta, të ndryshme në forma dhe në metoda. Këto metoda tregojnë se Kurani ka parasysh gjendjet e të rinjve, mundësitë e tyre, kapacitetet e tyre intelektuale. Kurani ka përdorë metodën e shëmbëlltyrës, modelit, ka përdorë metodën e këshillimit, metodën përmes rrëfimeve dhe tregime të ndryshme,metodën përmes tërheqjes së vërejtjes, metoda përmes qortimit dhe dënimit etj.

E para: Metoda përmes shëmbëlltyrës dhe modelit- S’ka dyshim se kjo është metoda më ndikuese në edukimin e të rinjve. Allahu ka sjell pamjen e plotë të jetës së Pejgamberit dhe personalitetit të tij, që të rinjtë të ecin sipas metodologjisë së tij. Allahu ka thënë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun” ( Ahzab 21). I Dërguari i Allahut ishte njeriu më i edukuar dhe në të njëjtën kohë edukatori më i mirë. Ishte dhe do të mbetet shëmbëlltyra më e përkryer në botë. Andaj, shëmbëlltyrën e tij duhet ta prezantojmë para të rinjve që të ecin në metodologjinë e tij në çdo fushë të jetës së tyre. I riu natyrshëm kërkon model dhe shëmbëlltyrë për jetën e tij, andaj oferta e shëmbëlltyrës së jetës së Pejgamberit është garanti i jetës së tij dhe lumturisë së tij.

E dyta: Metoda përmes këshillimit- Këshilla e mirë dhe e vendosur në vendin e duhur ka një ndikim të fuqishëm edukativ te të rinjtë. Është metodë shumë e rëndësishme në formimin e personalitetit të të riut mysliman. Sepse qëllimi i këshillës është që ajo të arrij në frikën dhe respektin e vërtetë ndaj Allahut dhe ti kujtoj çështjet e botës tjetër sikur ti sheh me sy ai. Kështu ishin këshillat e Pejgamberit ndaj shokëve të tij. S’ka dyshim se këshilla e mirë dhe ndikuese nëse e gjen një shpirt të pastër, një mendje të shëndoshë, një zemër të hapur, ajo është shumë e shpejtë në ndikimin e saj. Kurani është i mbushur me ajete, që këshillën e kanë bazë për të arritur te përmirësimi i njerëzve dhe qëllimet e tyre. I tërë Kurani është këshillë për ata që i pranojnë këshillat: “Këto janë lajme të qarta dhe udhërrëfyese për të devotshmit” ( Ali Imran 138).

E treta: Metoda përmes tregimeve- Tregimet kanë një rol të madh në lëvizjen e mendjeve që meditojnë. Është një metodë e lehtë për të arritur te qëllimi dhe për të treguar praktikisht mundësinë e përmirësimit të të riut. Është po ashtu shumë efikase në ndërtimin e personalitetit të të riut. Kjo metodë është shumë e rëndësishme, sepse shpirti i njeriut anon kah metoda për mes rrëfimeve. Kurani tregimin e përdorë për të gjitha fushat e edukimit dhe udhëzimit në atë që është e mirë për të rinjtë. Tregimi synon përmirësimin e të riut në mendjen e tij, në shpirtin e tij dhe në trupin e tij. Kjo metodë mbjell kuptimet e besimit në shpirtrat e të rinjve. Allahu ka përmendur shumë tregime në Kuran, vetëm për ti edukuar njerëzit. Allahu thotë: “Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend” ( Jusuf 111).

E katërta: Metoda përmes mbikëqyrjes- Kurani ka nxitur prindërit dhe edukatorët, që të kujdesen për edukimin e fëmijëve të tyre, duke i mbikëqyrur ata në të gjitha fushat e tyre. Me fjalën mbikëqyrje kemi për qëllim kujdesin ndaj tyre, tërheqjen e vërejtjes. Allahu thotë: O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj” ( Tahrim 6). Prindërit nuk kanë mundësi ti ruajnë fëmijët e tyre nga zjarri i xhehenemit nëse nuk i urdhërojnë në të mirë dhe nëse nuk i largojnë nga e keqja, dhe nëse nuk vëzhgojnë dhe mbikëqyrin gjendjen e tyre. Është obligim i prindërve dhe i edukatorëve që nëse shohin diçka të keqe në fëmijët e tyre ti largojnë nga ajo e keqe. Ndërsa nëse bëjnë ndonjë të mirë të jenë falënderues ndaj tyre. S’ka dyshim se kjo metodë është prej metodave më të fuqishme në krijimin e një bazamenti të shëndoshë në ndërtimin e të riut.

E pesta: Metoda përmes dënimit- Atëherë kur edukata përmes shëmbëlltyrës, përmes këshillës nuk ka sukses, duhet pa tjetër një shërim i shpejt për ti vendosur gjërat në vendin e duhur dhe të merituar. Metoda e dënimit nuk është e domosdoshme për çdo person. Dikush edukohet përmes shëmbëlltyrë, dikush përmes këshillës, dhe ndoshta asnjëherë nuk ka nevojë për ndonjë dënim si metodë e edukimit. Por, njerëzit nuk janë të njëjtë të gjithë. Ka dikush që ka nevojë ti shqiptohet ndonjë dënim, një herë apo më shumë. Metoda e dënimit nuk është gjëja e parë që duhet ti shkoj në mendje një edukatori, një pedagogu, një prindi. Por, këshilla në të mirë me durim të mirë, kjo është baza për edukimin e njeriut. Nëse e sheh se është arrit përmirësimi, atëherë duhet të tregohesh i butë me të dhe ti bësh të qartë se nuk ke patë ndonjë qëllim me dënim, përveçse përmirësimin e tij.

Allahu në Librin e Tij fisnik ka treguar shembuj të të rinjve, të cilët u edukuan sipas metodologjisë së Kuranit, dhe ata ishin pishtarët ndriçues në shoqërinë e tyre të mbushur me devijime. Kurani na jep shembuj praktik nga metodologjia e tij në edukimin e të rinjve. Ai ka paraqit para neve shumë ngjarje që janë të mbushura me mësime dhe porosi.

Tregimi i Lukmanit është një ngjarje tërheqëse, një pozitë e prindit karshi fëmijës së tij. Allahu për shkak të këtyre këshillave të arta e emërtoi edhe këtë kaptinë me emrin kaptina e Lukmanit. Ja se si e udhëzon dhe si e drejton djalin e tij Lukmani: “(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe. Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë. Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë. O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë. O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve! Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët! Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit”! ( Lukman 13-19). Këto janë këshilla gjithëpërfshirëse dhe shumë me vlerë. Këshilla që përfshijnë besimin, moralin dhe veprimin. Këshillë për namazin, gjëja e cila bënë lidhshmërinë e krijesës me Krijuesin. Këshillë për urdhërim në të mirë dhe ndalim nga e keqja. Këshillë për durim nga ajo që goditet njeriu në vetën e tij, në pasurinë dhe familjen e tij. Këshillë për modesti dhe thjeshtësi me të tjerët. Këshillë për të qenë njeriu i drejtë, jo arrogant dhe jo mendjemadh në ecjen e dhe raportet e tij. A ka këshilla më të mëdha se këto për një fëmijë dhe një të rinj tonin. Ky prezantim i këtyre këshillave gjithëpërfshirëse të cilat na i ofron Kurani është modeli më i mirë se si duhet të jetë një i ri dhe si duhet të jetë një prind për djalin e tij.

Hoxhë Shaban Murati

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit