Kosova U20 (meshkujt) po vazhdon me përgatitje intensive për garat ndërkombëtare.
Në ekipin e Kosovës U20 ka disa basketbollistë që luajnë në Kosovë, por edhe disa që luajnë në ligat evropiane.
Fatlind Shoshaj është grumbulluar për herë të parë me Kosovën U20. Ai është pjesë e klubit Kangoeroes Basket Mechelen në Belgjikë.
“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Nuk e kam pritur që do të shkojnë kaq mirë. Trajneri (Mark Rodiqi) është shumë i mirë dhe po na jep shumë këshilla të mira në stërvitje”, ka thënë Shoshaj për faqen zyrtare të FBK-së. Ai flet edhe për rëndësinë që ka për të luajtur për Kosovën.
“Është kënaqësi të jem pjesë e Kombëtares së Kosovës dhe shpresoj në rezultate pozitive në turneun në Hungari. Kjo është hera e parë që jam pjesë e Kosovës dhe shpresoj se do të jem edhe në të ardhmen. Më kanë pritur shumë mirë, si lojtarët, ashtu edhe stafi. Për këtë i falënderoj shumë”, ka shtuar Shoshaj. Kosova U20 (M) do të marrë pjesë në Grupin E të FIBA U20 European Challengers që do të mbahet prej 20 deri më 25 Korrik 2021 në Sopron të Hungarisë.
“Ne udhëtojmë vetëm për fitore. Nuk e di nëse do të shënojmë vetëm fitore, por ky është qëllimi që shkojmë në Hungari”, ka deklaruar Shoshaj.
Kosova është në grup me Bjellorusinë, Hungarinë e Sllovakinë.