Çdo ditë e më shumë shtohen informacionet dhe rritet përvoja që kemi me sëmundjen që shkaktohet nga coronavirusi SARS-CoV-2 (COVID-19)
Është vërtetuar tashmë se efektet respiratore janë veçanërisht të shprehura në disa kontigjente të popullatës si psh të moshuarit, personat me probleme të frymëmarrjes ose/dhe të zemrës dhe personat me imunitet të çrregulluar.
Një grup tjetër i popullatës që duhet të konsiderohen më të rrezikuar janë personat obezë. Kjo mund të jetë për disa arsye. E para, si rregull, personat obezë kanë probleme respiratore dhe kardiake edhe nëse obeziteti është i moderuar.
Arsye tjetër se përse personat obezë janë më në rrezik është edhe fakti se menaxhimi i COVID-19 është më i komplikuar për shkak të vështirësive fizike që janë pasojë e obezitetit.
Obeziteti “per se” paraqet faktor rreziku për t’u hospitalizuar ose për t’u pranuar në kujdes intensiv si pasojë e COVID-19. Ky fakt është për t’u shqetësuar, sepse rreth 40% e të rriturve konsiderohen obezë (në ShBA deri 45%).
Duke marrë parasysh se këtë virus do ta kemi mes nesh edhe për disa muaj (uroj sa më pak), e shoh të nevojshme që t’i jap këto informacione:
Mund të keni dëgjuar se personat me diabet ose me sëmundje të zemrës janë më të rrezikuar që të zhvillojnë skenare klinike shumë serioze të COVID-19, por edhe një person i shëndetshëm që është mbipeshë ose obez është më në rrezik nga kjo sëmundje e rëndë.
Obeziteti, duke qenë shumë i shpeshtë, shumicën e herëve nuk konsiderohet si problem i madh, por është vënë re se pikërisht obeziteti është faktori kryesor i rrezikut për zhvillimin e sëmundjes së rëndë COVID-19 te personat nën 55 vjeç.
Nëse indeksi i masës trupore (BMI) është 30 ose më i madh, kjo e rrit për 27% rrezikun e zhvillimit të formës së rëndë të COVID-19, kurse BMI>40 e dyfishon rrezikun.
Ekzistojnë disa teori se përse obeziteti është faktor kaq i rëndësishëm i rrezikut.
– Mendohet se COVID-19 i përkeqëson vështirësitë në frymëmarrje të cilat personat obezë i kanë, por që i neglizhojnë.
– Teori tjetër është se obeziteti e rrit mundësinë e manifestimit të të ashtuquajturës “stuhi e citokinave” që është një komplikim jetëkërcënuesi COVID-19.
– Poashtu, mendohet se indi i tepërt dhjamor ia mundëson virusit që të qëndrojë më gjatë në organizëm për shkak të karakteristikave molekulare të qelizave dhjamore dhe të virusit.
Cilido që të jetë shkaku që e rrit rrezikun për infeksion, duhet ta kemi parasysh se sa më shumë faktorë rreziku aq më i mundur është infektimi dhe shumë më e gjatë koha e shërimit. Edhe nëse jeta nuk rrezikohet, vet komplikimet e COVID-19 mund ta cenojnë seriozisht mirëqenien e organizmit.
Personave obezë iu rekomandohet që krahas masave standarde mbrojtëse (distancimi social, maska dhe higjiena e duarve:
– të mbajnë nën kontroll problemet shëndetësore që mund t’i kenë (diabet, hipertensioni, sëmundjet e zemrës) dhe
– ta rrisin imunitetin e organizmit duke u ushqyer shëndetshëm, duke qenë fizikisht aktiv dhe duke pushuar mjaftueshëm.
Dr. Rreze Serhati Morina
Endokrinologe