2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

5 pyetje rreth asaj se çfarë po ndodh në Mesdheun Lindor

Më të lexuarat

TEVFİK DURUL

Greqia, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të Turqisë për dialog në Mesdheun Lindor, po përpiqet të vendosë parakushte për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Athina zyrtare, e nxitur kundër Turqisë nga aktorë jorajonalë si Franca, në vend që të vendoste dialog të drejtpërdrejtë me Ankaranë për të zgjidhur krizën, këmbëngul në bërjen e hapave që do t’i rrisnin tensionet tutje.

Gazetari i Anadolu Agency (AA) ka përmbledhur në pesë pyetje origjinën e tensioneve në Mesdheun Lindor, pse Greqia nuk pranon të dialogojë me Turqinë, çfarë qëndron pas pozicionit të Francës që rrit tensionet në rajon dhe pikëpamjet e aktorëve ndërkombëtarë rreth krizës.

1 – Si u ndezën tensionet në Mesdheun Lindor?

Fitili i tensioneve në Mesdheun Lindor u ndez për herë të parë kur pala qipriote greke bëri marrëveshje ndërkombëtare për të shfrytëzuar pasuritë natyrore rreth ishullit, duke mos marrë parasysh të drejtat ligjore dhe legjitime të palës turke në veri.

Kompanitë perëndimore, me mbështetjen e qeverive të tyre, filluan kërkimin dhe shpimin për gaz natyror në një zonë të gjerë me palën greke të ishullit.

Paralajmërimet e Turqisë dhe Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC) se pasuritë rreth ishullit duhet të ndahen në mënyrë të drejtë për gjithë popullin me gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e Qipros kanë hasur në vesh të shurdhër për vite të tëra.

Pasi u zbulua ekzistenca e fushave të mëdha të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor, vendet e rajonit që dëshironin t’i shfrytëzonin këto pasuri u kthyen drejt marrëveshjeve për Zona Ekskluzive Ekonomike (EEZ).

Gjersa Administrata Qipriote Greke firmosi marrëveshje me Egjiptin më 2003, me Libanin më 2007 dhe me Izraelin më 2010, Turqia dhe Qiproja Turke i vazhduan paralajmërimet kundër palës greke.

Administrata qipriote greke ka vazhduar me kompanitë perëndimore aktivitetet në fushat e diskutueshme me hidrokarbure, në kundërshtim me fushat mbi të cilat të drejta kanë edhe Turqia dhe TRNC.

Egjipti, Greqia, administrata qipriote greke dhe Izraeli, përmes Forumit të Gazit të Mesdheut Lindor që e formuan në Kajro, u përpoqën të përjashtojnë aktorët si Turqia, Libia dhe Libani.

TRNC dhe Turqia, duke ofruar një iniciativë qëllimmire përmes Kombeve të Bashkuara (OKB), i propozuan palës qipriote greke formimin e një komiteti të përbashkët për burimet e hidrokarbureve. Në këtë mënyre, mund të gjendej një formulë e re për menaxhimin e mirë të burimeve brenda kornizës së konsensusit të ndërsjellë derisa të gjendej një zgjidhje e drejtë dhe e përhershme në ishull.

Megjithatë, administrata greke, e cila u mbështet nga Bashkimi Evropian (BE), tregoi se nuk ishte e hapur për bashkëpunim.

2 – Çfarë synohet të bëhet kundër Turqisë duke këmbëngulur në hartën e Seviljes?

Harta e Seviljes përdoret si mjeti kryesor i synimeve të dyshes Greqi-Qipro Greke për izolimin e Turqisë në brigjet e Mesdheut.

Harta, e cila quhet sipas emrit të Universitetit të Seviljes, ku u përgatit nga Prof. Juan Luis Suarez de Vivero, ekspert i gjeografisë detare, pretendon se kufijt e zonës të cilën Greqia e pretendon si shelf kontinental në Egje dhe Mesdhe dhe të EEZ-së së shpallur nga administrata qipriote greke në vitin 2004, janë kufijt e BE-së.

Sipas pretendimeve të kësaj harte, shelfi kontinental i Greqisë, duke filluar nga ishulli grek Meis, shkon drejt jugut deri në mes të Detit Mesdhe dhe pamundëson çdo dalje të Turqisë jashtë gjirit të Antalyas.

Turqia i hedh poshtë këto pretendime duke theksuar se shpikja e një shelfi kontinental prej 40 mijë kilometrash katrorë për një ishull me sipërfaqe 10 kilometra katrorë që gjendet vetëm 2 kilometra larg Turqisë dhe 580 larg Greqisë është një tezë joracionale dhe kundër të drejtës ndërkombëtare.

3 – Pse Greqia mbyll veshët ndaj thirrjeve të Turqisë për dialog?

Deklaratat e Greqisë bazuar në parimin e distancës, duke pretenduar pjesë të ishullit si “territor kontinental”, nuk kanë asnjë ekuivalent në të drejtën ndërkombëtare.

Në të drejtën ndërkombëtare, nuk ka një rregull të tillë si parimi i distancës në shelfin kontinental dhe kufizimin e EEZ-së.

Rregulli themelor si në të drejtën ndërkombëtare, ashtu edhe në Konventën e OKB-së për të Drejtat Detare është parimi i “ndarjes së drejtë”.

Sipas këtij parimi, ishujve u jepen më pak shelfe kontinentale ose zona EEZ në krahasim me territorin kontinental. Madje, ishujt mund të rrethohen plotësisht.

Në këtë pikë, shumë faktorë merren parasysh, si madhësia e ishujve, gjatësia e frontit, vendndodhja dhe largësia nga territori kryesor kontinental.

Në këtë kontekst, të vetëdijshëm për padrejtësinë, Athina ka frikë të ulet në tryezën e bisedimeve me Turqinë dhe kërkon si parakusht që Turqia t’u japë fund kërkimeve sizmike dhe aktiviteteve të shpimit për vendosjen e dialogut.

Greqia vazhdon provokimet që rrisin tensionet në rajon, për të bllokuar negociatat e drejta mbi themelin e ligjshmërisë, duke pretenduar se problemi me Turqinë ka të bëjë “vetëm me caktimin e shelfit kontinental”.

Turqia, duke deklaruar se është gati për dialog, më herët kishte tërhequr anijen Oruç Reis përkohsisht, si një shfaqje e vullnetit të mirë.

Teksa vëmendja ishte kthyer në bisedimet Turqi-Greqi që do të zhvilloheshin me ftesë të Gjermanisë si kryesuese e radhës e BE-së, Greqia, në një mënyrë të papritur, një ditë para bisedimeve, firmosi marrëveshje me Egjiptin për delimitimin detar, me çka tensionet sërish u rritën në nivel të lartë.

Pas këtij hapi, Greqia rriti tensionet me stërvitje të përbashkëta ushtarake me Francën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) në jug të ishullit të Kretës.

Gjatë kësaj periudhe, si një nevojë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, Turqia ftoi disa herë Greqinë në tryezë, por Athina secilën herë i shpërfilli këto thirrje.

4 – Çfarë synon Franca duke ndërsyer Greqinë në Mesdheun Lindor?

Duke qenë një aktor jorajonal, Franca tërheq vëmendjen me përpjekjet e saj për të “kapur një rol” në Mesdheun Lindor në këtë krizë, duke shkelur përpjekjet e ndërmjetësimit të Gjermanisë.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili këtë rajon e ka përshkruar si “vija e kuqe”, i ka fryrë zjarrit si me stërvitjet e përbashkëta me Greqinë, ashtu edhe me deklaratat kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kundër Turqisë.

Duke ndërsyer Athinën dhe duke “e inkurajuar” për të rritur shpenzimet e saj ushtarake, Macron po përgatitet të korrë frytet e para të qëndrimit të tij që “e shndërroi krizën në një mundësi”, me shitjen e 18 aeroplanëve të tipit Rafale këtij vendi.

5 – Çfarë pozicioni mbajnë aktorët e tjerë ndërkombëtarë?

Siç është parë, vendet e BE-së nuk kanë mundur të përcaktojnë një politikë të përbashkët kundër pozicionit joligjor të Greqisë në rajon.

Megjithëse vendet evropiane i dërgojnë mesazhe “mbështetjeje” Greqisë dhe administratës qipriote greke nën emrin “solidaritetit të BE-së”, shumë vende theksojnë se problemet bilaterale duhet të zgjidhen përmes dialogut.

Italia dhe Spanja janë ndër vendet kryesore që hedhin poshtë opsionin e sanksioneve për të cilat Greqia dhe administrata qipriote greke kanë këmbëngulur përpara BE-së.

Ndërkaq, roli i SHBA-së, e cila ndjek një politikë të “distancës së barabartë” midis dy vendeve anëtare të NATO-s, Turqisë dhe Greqisë, duket sikur është rrëmbyer nga Franca.

Administrata e Presidentit të SHBA-së Donald Trump shpesh bën thirrje për “diplomaci”, por për shkak të çështjeve në politikën e brendshme, nuk duket se i jep peshë krizës.

Shfaqja më konkrete e qëndrimit të administratës së Washingtonit në këtë krizë ishte vendimi për të hequr pjesërisht embargon e armëve që ka zbatuar ndaj administratën greke qipriote për vite me radhë.

NATO-ja, e cila duhet të jetë një nga platformat më funksionale në uljen e tensioneve, është në një pozitë të papërshtatshme për një zgjidhje për shkak të heshtjes së SHBA-së, e cila ka kryesuar në këtë strukturë.

Nga ana tjetër, Athina zyrtare, duke mos preferuar zgjidhje të përbashkët me Turqinë në kuadër të NATO-s dhe duke e kërkuar atë në kuadër të BE-së përmes sanksioneve kundër Ankarasë, është një nga faktorët që e bëjnë të vështirë mundësinë e zgjidhjes në kuadër të aleancës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit