-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Ambiciet e iranit po shkaktojnë luftë rajonale

Më të lexuarat

Me muaj të tërë jemi munduar të tërheqim vëmendjen në skenarët e luftës rajonale të hartës së fshehtë të përhapjes së Iranit; në skenarët e ndarjes së rajonit në dy fronte kryesore me bazë sektare; në zhvillimin e luftërave Arabo-Perse që vazhdojnë që prej 30 vitesh; se e njëjta gjë që po përjetohet në Siri dhe Irak, do të fillojë edhe në Jemen; në formimin e fuqive të reja mbi hartën e vjetër të Perandorisë Osmane; në skenarët që do të marrin peng gjithë rajonin dhe në faktin se fronti përfundimtar i këtij skenari do të marrë formë midis Turqisë dhe Iranit…
 
Irani: Fuqia e re imperialiste
 
Ndodhi ajo që pritej. Koalicioni arab filloi ndërhyrjen ushtarake në Jemen. Tashmë është hapur fronti i Jemenit në luftën Arabo-Perse. Të gjithë e dimë se Irani po zhvillon një luftë në Siri me të gjitha njësitë e tij ushtarake dhe se njësitë ushtarake të regjimit Sirian komandohen nga gjeneralë iranianë. Ndërsa në sajë të operacioneve kundër ISIS-it që kanë filluar ditët e fundit, kuptuam se Bagdadi drejtohet nga Teherani dhe se këto operacione komandohen po nga gjeneralë iranianë. E dimë shumë mirë se Iraku i është dhuruar Teheranit. Dimë edhe se Hizbullahu i Libanit është bërë një garnizon plotësisht i Iranit. Dimë se fuqia e re imperialiste e rajonit, Irani, ka hapur frontin e fundit të luftës në Jemen në sajë të fiseve Huthi, duke rrëzuar qeverinë dhe duke marrë drejtimin e Jemenit.
 
Kujtohuni pak: Kufiri Arabo-Pers, ishte kufiri Irak-Iran. Pas pushtimit Amerikan, ky kufi ndryshoi në, Siri-Irak. Për këtë arsye, lufta në Siri, është një luftë Iraniane. Nëse pas luftës Siria do të hyjë nën pushtetin e Iranit, kufiri Arabo-Pers, do të jetë, Jordani-Siri. Nëse pushtimi Iranian në Jemen do të ketë sukses, bota Arabe do të paloset nga jugu. Nëse e shihni këtë hartë edhe nga pikëpamja sektare, do të shihni të njëjtin përfundim.
 
Ekzistojnë plane edhe më të rrezikshme
 
Irani, një orë e më parë duhet të tërhiqet në një pozicion moral. Dhe, menjëherë duhet t’i japë fund sulmeve të tij imperialiste, kërcënuese për fqinjët, tepër të guximshme dhe gllabëruese. I gjithë rajoni, i cili po lufton kundër pushtimeve të huaja, po rrezikohet edhe nga një sulm i rrezikshëm i Iranit, po aq sa nga pushtimet e huaja. Qeveria e Teheranit, e cila deri më sot ka fituar respektin e popujve të rajonit me aparencën e saj antiimperialiste, sot po abuzon në një mënyrë të shëmtuar me këtë respekt dhe po e kthen në armik të vetin gjithë rajonin.
 
Për shkak të llastimit që i solli armatimi i tepruar në vitet e fundit, Irani po kërcënon botën Arabe dhe për më tepër, duke e rrethuar Turqinë nga jugu, ai po vë në jetë projektin e formimit të një brezi tampon midis Turqisë dhe botës myslimane Arabe.
 
Po e them hapur; projekti i luftërave sektare, i cili mund ta ndajë rajonin më dysh dhe të shkaktojë luftëra rajonale të pafundme, po zbatohet me dorën e Iranit. Faza tjetër e këtyre ndërhyrjeve, është edhe më e rrezikshme dhe, pikërisht atëherë do të plasë edhe lufta e vërtetë rajonale. Dhe atëherë, Turqia do të jetë e detyruar të marrë pjesë në këtë luftë.
 
Teherani do të godasë Gjirin dhe Arabinë Saudite.
 
Në rast se ka sukses në Siri dhe Jemen, brenda një viti, Irani do të trazojë vendet e Gjirit. Nëse doni, mbani shënim diku:
 
Vendet në Gjirin Persik, do të jenë drejtpërdrejtë nën kërcënimin, madje nën sulmin e Iranit. Ka edhe më tepër; ndërkohë që ndodhin të gjitha këto, synimi përfundimtar i Iranit, është Arabia Saudite. Gjithashtu, pa kaluar një vit, zonat ku jeton popullsia shiite në Arabinë Saudite, do të filloj të ziejë dhe mbase Irani do të shkaktojë drejtpërdrejt një luftë civile në këtë vend.
 
Për rrjedhojë, edhe pse sot mbi Jemen ka filluar një luftë Arabo-Perse, ose midis shiitëve dhe sunnitëve, në fakt, ata që ndodhen nën rrezik janë Gjiri Persik dhe Arabia Saudite. Prandaj, nga një pikëpamje, ndërhyrja e koalicionit arab në Jemen, është një vetëmbrojtje (këtu bëhet fjalë vetëm për ndërhyrjen ushtarake dhe nuk mbrohet A.Saudite dhe vendet arabe për neglizhencën apo bashkëpunimin e tyre në keqmenaxhimin e rajonit). Kjo çështje, është një realitet përtej tifozllëkut të verbër të atyre që mbështesin Iranin apo A. Saudite. E gjithë zona duhet të zgjohet urgjentisht dhe duhet të lëvizë kundër kësaj çarje rajonale dhe planeve të luftës rajonale që do të vazhdojnë me dhjetëra vite.
 
Gabimi i madh i A. Saudite
 
A. Saudite bëri një gabim të madh në lidhje me Egjiptin. Një mungesë kaq e madhe e një horizonti strategjik, është i pafalshëm. Ajo financoi rrëzimin e Vëllezërve Muslimanë në Egjipt dhe në këtë mënyrë, shkatërroi rezistencën sociale më të fuqishme dhe më të përhapur, kundër rrezikut me të cilin po përballet sot bota arabe. Me këtë veprim, A. Saudite e hodhi veten si një gjah përpara Iranit. Në fakt, të gjitha vendet e rajonit, mund të pajtoheshin me Vëllezërit Muslimanë dhe prej kësaj fuqie mund të përfitonin vendet që prej Sudanit deri në Siri. Nga kjo pikëpamje, fituesi i vërtet i grushtit të shtetit në Egjipt, doli Irani.
 
Por, nuk është ende vonë. A. Saudite mund të kthehet nga ky gabim dhe mund ta forcojë krahun e vet. Ajo mund të prodhojë një zgjidhje për Egjiptin, lidhur me të cilën edhe Turqia do ta ndihmonte. Nëse nuk e bëjnë, duket e pamundur ta ndalojnë përhapjen e Iranit. Nëse ata i besojnë fuqive perëndimore dhe garancisë së tyre në këtë drejtim, do të ishte një gabim i madh historik.
 
Ndërhyrja në Siri dhe lufta arabo-kurde
 
Lëvizja e dytë e rëndësishme, është t’i japin fund çështjes së Sirisë. Mbështetja dhe forcimi i opozitës siriane, duke e ndaluar Iranin në këtë vend. Nëse nuk e bëjnë këtë, deri në Mesdhe, nuk do të ngelet më asnjë forcë që do t’i bëjë ballë Iranit, i cili do të arrijë Detin e Kuq nëpërmjet Jemenit.
 
Armiku më i madh i vendeve të rajonit, është mungesa e horizontit gjeopolitik.
 
Në këtë fazë, koalicioni kundër Isisit, nuk do të ketë asnjë dobi tjetër, përveçse t’i hapë rrugën Teheranit, duke pastruar zonën për përhapjen e mëtejshme të Iranit. Isisi, është mëkati i qeverisë Saudite, të cilët lanë jashtë loje Vëllezërit Muslimanë.
 
Po ju kujtoj edhe diçka tjetër: Në fakt, Isisi nuk kishte ndërmend të hynte në luftë me kurdët. Ai ishte pozicionuar kundra Iranit dhe fuqive nën ndikimin e Iranit. Dikush, në mënyrë të papritur e ktheu drejtimin e Isisit kah kurdët dhe nëpërmjet kësaj organizate stimuluan një luftë Arabo-Kurde. Unë jam i mendimit se, edhe pas kësaj lëvizje strategjike inteligjente dhe të suksesshme, qëndron Irani. Përveç kësaj, mendoj se edhe në terrorin e shkaktuar deri brenda kufijve të Turqisë gjatë përleshjeve në Koban, ka dorë inteligjenca Iraniane.
 
Ilaçi i vetëm është Turqia
 
Këtë shkrim, nuk e bëra për armiqësi ndaj Iranit apo në mbështetje të A. Saudite. Në Turqi (por edhe në vende të tjera), ekziston një tifozllëk i verbër, gjë e cila e lë jashtë loje logjikën dhe intuitën. Lufta e cila po zhvillohet mbi një identitet sektar, po tregtohet mbi këtë lloj tifozllëku edhe në Turqi (apo vende të tjera). Të gjithë duhet të hapin sytë e të parashohin një hap më tutje ose një vit më vonë.
 
Në lidhje me këtë çështje, Turqia ka marrë një pozicion të qëndrueshëm. Këtë e tregon qartë edhe deklarata e Ministrisë së Jashtme, ku thuhet: “E mbështesim ndërhyrjen”. Gjithashtu, edhe fjala e Presidentit Erdogan; “Le të tërhiqet Irani dhe grupet terroriste!..”, nënkupton qartë se rreziku është perceptuar tashmë. Një kërcënim i ngjashëm me atë drejtuar A. Saudite dhe vendeve të Gjirit nga ana e Iranit, pas një farë kohe mund t’i drejtohet edhe Turqisë. Në fakt, deri më sot, Turqia është vënë në shënjestër nëpërmjet Sirisë.
 
Kjo është hera e parë që prej luftës së gjirit në 1991, që një luftë bëhet kaq rajonale. Dhjetë vende ndërhynë drejtpërdrejt në Jemen. Kjo do të pasojë edhe sulmin tokësor. Të presim e të shohim se si do të veprojë Irani ndaj kësaj. Mirëpo, një ndërhyrje e ngjashme si në Jemen, mund të ndihet edhe në Siri. Qëllimi im është të bëj paralajmërimin e duhur para se zjarri i luftës të përfshijë gjithë rajonin. Kjo, sepse një rrezik shumë serioz është duke e marrë peng gjithë rajonin. Dhe, ilaçi i vetëm i kësaj, është Turqia. Nuk ka asnjë shpresë tjetër.
 
(Autori ështe drejtori i Shtypit në Gazetën Turke “Yeni Şafak”)/zamanpost

Ibrahim Karagul

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit