Nikollaq Neranxi
Të gjithë tashmë e kanë konstatuar se gjatë situatës së pazakontë afro tremujore që po kalon vendi, ndihma e qeverisë për biznesin ka qenë qesharake, e reduktuar në disa paga minimale lufte nga e cila përfitojnë shumë pak të punësuar. Nuk ka deri tani as edhe një vendim qeveritar që t’i dalë në krah biznesit, per te bërë asgjë më shumë se sa detyrën në rastet e fatkeqësisë natyrore. Edhe kësaj here qeveria nuk i doli për zot popullit të vet, duke shkelur të drejtat themelore kushtetuese, ku në raste të tilla, qeveritë jo vetëm që nuk duhet të pretendojnë pagesa taksash, jo vetëm që nuk duhet të pretendojnë që punëdhënësi të japë paga edhe kur punonjësi nuk ka punuar, ose ka punuar pak, por ajo duhej t’i njohë biznesit edhe fitimin e munguar.
Biznesi, por edhe individët, paguajnë gjithë jetën lloj lloj taksash dhe tarifash tek pushteti qëndror dhe vendor, edhe për arsyen që ato t’i përgjigjen në raste fatkeqësish natyrore si kjo që po kalojmë ne. Kjo është arsyeja pse unë e them vazhdimisht që në këto kohë, shteti ka qenë inekzistent, sepse nuk na ka shërbyer.
Por duke parë disa hapa që qeveria po ndërmerr, tani mendoj ndryshe, në fakt shteti ekziston edhe këto kohë, por ekzistenca e saj është vetëm për një arsye; për të shkatërruar bizneset që nuk ndajne para me pushtetaret, duke përdorur si pretekst këtë situatë pandemie.
Instrumenti i parë i përdorur, është ai i kredisë sovrane për të paguar për tre muaj pagat e punëtorëve. Është një instrument antiligjor. Pse? Sepse në Kodin e Punës Neni 129 thuhet shprehimisht që punëdhënësi mund të refuzojë t’i japë punë një të punësuari si dhe ta paguajë, në rastet e forcave madhore.
Në shumicën e vendeve të prekura nga Covid-19, shteti ka vendosur të ndërhyjë në ekonomi, duke garantuar pagat dhe ndihmën sociale, duke shtyrë taksat (masë që Rama e refuzon kategorikisht) dhe duke siguruar likuiditete per biznesin.
Ndërsa ne na është ofruar një kredi, e cila krahas penaliteteve që merr nga bankat, në rast pamundësie për të paguar këstet në afat (bllokim aktiviteti, llogarish bankare etj), është parashikuar gjithashtu edhe humbja e aksioneve të cilat më pas do të shiten nga stukturat përkatëse. Pra, ne marrim kredi për të paguar një punë të pakryer, marrim borxh jo për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe rritjen e efiçencës së tyre, marrim borxh në kohë krize e cila padiskutim që do të japë efekte të shtrira në kohë dhe nëse ky borxh nuk shlyhet për dy vjet, ne humbasim biznesin!!!
Instrumenti i dytë shumë i rrezikshëm, që shteti kërkon të përdorë këto kohë për të na falimentuar, është amnistia fiskale. E thënë ndryshe, nëse ti ke para të padeklaruara, shteti të krijon mundësi t’i pastrosh, pa të pyetur si i ke përfituar, duke i deklaruar ato dhe duke paguar një tatim modest.
Instrumenti i tretë ka të bëjë me shplarjen e trurit nëpërmjet propogandës, që të largohet vemendja nga përgjegjësitë që duhet të marrë shteti e duke mbjelle armiqësi dhe urrejtje mes shtresave sociale. Rama, me djallëzinë e tij që nuk zhgënjen asnjëherë, sugjeron që sipërmarrësi këto kohë duhet t’ja dalë vetë dhe mos të presë nga shteti. Të shesë vilën, makinën luksoze, jahtin dhe të paguajë punonjësit.
Deklarata skandaloze keto, a thua se një sipërmarrës i detyrohet Ramës për të mirat materiale që ka krijuar me djersen e tij. Nuk e di se kujt i drejtohet Rama me këtë thirrje, unë personalisht nuk kam asnjë nga këto dhe a e dini pse? Jo se skam mundur t’i blej, por sepse kam menduar gjithmonë se është më mirë që çdo para të fituar, ta invesoj për të rritur biznesin dhe shtuar vendet e punës, e padyshim kam paguar me shume para ne shtet.
Ndërkohë kam konstatuar jo pa zhgënjim që këto pasuri, i disponojnë disa individë të cilët nuk kanë punuar asnjë ditë në jetën e tyre! Dhe mesa duket këto do jenë ata të cilët do të blejnë edhe vilat e jahtet që do shesin sipërmarrësit, se pjesa tjetër dihet qe është në luftë për mbijetesë.
Por nëse me këtë thirrje, Rama i është drejtuar oligarkëve të tij, të cilët janë sot armiqtë më të mëdhenj të biznesit të ndershëm, atëherë me siguri ata duhet t’i kenë ndonjë borxh Ramës, se s’ka arsye tjetër.
Në konkuzion, shteti sot është në këmbë, duke punuar fort për të falimentuar biznesin e ndershëm, duke e futur në kurthin e kredive sovrane ku për të paguar dy vjet paga, të merr aksionet me dy lekë, ku më pas vijnë këta që shplajne paratë e pista me anë të amnistisë dhe i blejnë këto aksione, duke kompletuar kështu mekanzimin grabitjes së bizneseve me ligje dhe VKM.
Në fund të këtij procesi, ju garantoj se korona do na duket si muaj mjalti, në krahasim me trafikantët e drogës, armëve dhe femrave, të cilët do të jenë sipërmarësit e së nesërmes. Padyshim aty do te kene pjesen e tyre politikanet e korruptuar, gjykatesit, prokuroret etj.