-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Analistët: Qeveria Kurti do të përballet me shumë sfida

Më të lexuarat

Analistët vlerësojnë se Qeveria Kurti, e votuar të hënën në Kuvendin e Kosovës, do të përballet me shumë sfida, kurse disa pika të marrëveshjes për bashkëqeverisje nga LVV dhe LDK, do të jenë vështirë për t’u realizuar në mandatin e parë.

Qeveria Kurt do t’i ketë gjashtë ministra nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe gjashtë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa tri ministri do t’i udhëheqin minoritetet.

Me marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Qeveria e re do t’i ketë dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

Por, cilat janë pritjet nga koalicioni qeverisës LVV-LDK?

Valmir Ismaili nga Demokracia Plus ka thënë për Telegrafin, se parimet e vendosura në marrëveshjen për qeverisje ndërmjet LVV-së dhe LDK-së janë sfiduese në shumë aspekte dhe se do të jetë interesant që të shihet realizimi i tyre në praktikë.

“Për më tepër është interesant të shihet se si do të shkoj bashkëpunimi i këtyre dy subjekteve politike për tema të caktuara, si p.sh: depolitizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike apo të diplomacisë, kur e dimë që në të kaluarën LDK ka qenë partnere në politizim të këtyre ndërmarrjeve. Kërkesa për vazhdim me ambasadën britaneze, si dhe të asaj amerikane dhe gjermane mund të shihet si një lloj garance që kjo të ndodhë”, është shprehur ai.

Valmir Ismaili, organizata joqeveritare “Demokracia Plus”

Ismaili ka thënë se disa pika të marrëveshjes për bashkëqeverisje nga LVV dhe LDK, do të jenë vështirë për t’u realizuar në mandatin e parë.

“Shumë pika në marrëveshje duhet kohë që të realizohen, përderisa disa prej tyre me siguri që nuk do të mund të arrihen brenda mandatit të parë ose në proces e sipër do të ndryshojë qasja ndaj tyre”, ka thënë Ismaili.

Ndërsa, analisti politik, Blerim Vela ka thënë se marrëveshja për bashkëqeverisje i ka të përfshirë ‘siguresat’ për kontroll të pushtetit të ndërsjelltë mes partnerëve qeverisës.

“Kjo pritet të reflektohet edhe në punimet e Kuvendit ku partnerët e koalicionit do të ‘kontrollojnë’ njëra-tjetrën përmes rolit mbikëqyrës të komisioneve parlamentare. Në pamje të parë, duket e pamundur që njëra prej partive të dominoj koalicionin qeverisës”, ka thënë Vela, për Telegrafin.

Gjithashtu, sipas analistit Vela, llogaridhënia e Qeverisë do të varet nga aktivizimi i opozitës në Kuvend.

“Shfaqja e djeshme nga opozita e re, ku personat pa kredibilitet dhe integritet kritikonin koalicionin e ri, jep pak shpresë se ata do të arrijnë që të luajnë rolin e vet të rëndësishëm në demokraci- të jenë kritikues, korrigjuese dhe alternative e qeverisë. Dje ka perënduar modeli i vjetër i bërjes së politikës dhe partitë opozitare duhet të përqafojnë ndryshimin dhe t’i japin hapësirë kuadrove të reja”, ka shkruar Vela në postimin e tij në Facebook, ku ka komentuar marrëveshjen LVV-LDK.

Analisti politik, Blerim Vela

Vela ka thënë se ndryshimi cilësor në qeverisje nga koalicioni i ri do të matet edhe me mënyrën se si e trajtojnë kritikën dhe alternativat e prezantuara nga opozita, mediet dhe shoqëria civile.

Në këtë drejtim nuk duhet përsëritur gabimet e qeverisës së kaluar por duhet zbatuat standard të ri.

Ndryshe, Qeverinë Kurti e kanë votuar 66 deputetë.

Kabineti qeveritar përbëhet nga Haki Abazi-zëvendëskryeministër, Avdullah Hoti- zëvendVwskryeministër, Glauk Konjufca (Ministria e Punëve të Jashtme), Albulena Haxhiu (Ministria e Drejtësisë), Besnik Bislimi (Ministria e Financave), Rozeta Hajdari (Ministria e Ekonomisë), Arben Vitia (Ministria e Shëndetësisë), Blerim Reka (Ministria e Integrimeve Evropiane), Lumir Abdixhiku (Ministër i Infrastrukturës), Agim Veliu (Ministër i Punëve të Brendshme), Anton Quni (Ministër i Mbrojtjes), Hikmete Bajrami (Ministre e Arsimit), Vlora Dumoshi (Ministre e Kulturës), Besian Mustafa (Ministër i Bujqësisë). /

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit