Zbardhet dinamika e sherrit që solli vrasjen e oficerit të policisë në Malin e Zi. Milutin Lekoviç ndaloi një makinë në pikën kufitare të Igalos, ku ndodheshin tri vetë, të dyshuar si shqiptarë.
Mediat kosovare raportojnë se ato janë nëna 75-vjeçare me të dy djemtë madhorë.
Oficeri iu ka kërkuar dokumentet, por ata kanë debatuar dhe nuk i kanë patur.
“Në mungesë të dokumenteve e kemi të vështirë t’i identifikojmë. Edhe pse pretendojnë se janë 45-vjeç ata duken të paktën 15 vite më shumë.
Gruaja e arrestuar ishte rreth 70 vjeçe”, kanë bërë të ditur zyrtarët policor të Malit të Zi, raporton Telegrafi.
Ndërkohë që një kolegu i oficerit, që ka parë të gjithë skenën ka thënë në anonimitet:
“I ka ndaluar, duke iu kërkuar dokumentet e identifikimit, por ata u kishin thënë se nuk i kanë me vete dhe se janë nga Kosova.
Më pas, i kanë kontrolluar dhe urdhëruar të qëndrojnë ulur në ulëset e pasme në mënyrë që të shoqërohen në stacionin policor.
Me të mbërritur në Igallo, njëri prej meshkujve nxori nga qesja që e kishte me vete revolen dhe qëlloi në kokë policin kufitar që ishte prapa timonit. Ai tërhoqi këmbëzën nga sedija e pasme.”
Oficeri u dërgua sakaq me urgjencë në spitalin e Melanimit, po pas një ndërhyrjeje u transferua në spitalin e Risnës dhe pas orës 20:00 ndërroi jetë pasi nuk mundi të shpëtonte.
Kolegët e tij u vunë direkt në ndjekje të autorit dhe dy të afërmeve që e shoqëronin, të cilit ishin arratisur me makinën zyrtare të policisë.
Ata ranë në gjurmë të tyre, rreth orës 15:00 në fushën e Sutorinskit, teksa po tentonin në këmbë të ikën përmes vijës kufitare Mali i Zi-Kroaci. Kur policia i gjeti dhe i rrethoi, ata shkëmbyen zjarr me policinë, dhe njëri prej tyre ngeli i plagosur.