3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Çfarë fsheh gënjeshtra e Edi Ramës për emigracionin

Më të lexuarat

Thuhet se mediat e reja kanë krijuar një problem të fortë me mënyrën se si e kujtojmë të shkuarën. Për shkak të preferencës për atë çka ndodh së fundmi, njerëzit e kanë të vështirë të kujtojnë përtej një hapësire të ngushtë kohore që nuk i kalon as muajt, le më pastaj vitet.

Duket se këtë ka pasur në mendje Edi Rama kur doli për të bërë bilancin e dy viteve të qeverisjes. Tha shumë gënjeshtra në atë fjalim të stërzgjatur, por më e madhja ishte ajo që tha për largimin e shqiptarëve dhe shpopullimin e vendit. Sipas tij, kush thotë se ikja e njerëzve lidhet me qeverisjen, nuk kupton asgjë ose është i poshtër. Në fakt, nuk ka njeri me dy gram tru që nuk e di se njerëzit ikin nga vendi i tyre i dashur për shkak të qeverisjes. Si për ta zbutur këtë, shtoi edhe një nga ato batutat që i kanë dalë boje, se nuk mund të rrijë një i ri në Shqipëri kur e ka Kim Kardashianin apo Kristiano Ronaldon një klikim larg.

Në fund fare, vazhdoi me historinë e tij se shqiptarët kanë ikur nga vendi dhe po vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë. Këtu fshehu një të vërtetë të hidhur për kurbën e emigracionit të shqiptarëve.

***

Ishte nëntori i vitit 2011 kur Dojçe Vele iu bashkua dhjetëra e dhjetëra mediave të huaja që raportonin për një fenomen të ri: rikthimin e emigrantëve në Shqipëri. Më shumë se 10 përqind e emigrantëve shqiptarë në Greqi janë kthyer në Shqipëri, ndërkohë që kjo përqindje rritet çdo ditë, raportonte Dojçe Vele.

E njëjta gjë me emigrantët nga Italia, por edhe nga vendet e tjera europiane. Natyrisht shkak për rikthimin e emigrantëve po bëhej kriza financiare që kaploi Europën, duke goditur më ashpër Greqinë e diku më pak vende të tjera si Italia. Por pikërisht ekzistenca e një krize në një shtet tjetër, e cila nxit emigracionin, e rrëzon plotësisht tezën e Edi Ramës se qeverisja nuk mund të fajësohet për largimin e qytetarëve.

Nëse mediat e huaja raportonin për rikthimin e ‘bijve të shqipes’, në mediat shqiptare mbizotëronin portretet e atyre që po ktheheshin, të cilët vërtet nuk gjenin parajsën këtu, por me kursimet e tyre, dhe mbi të gjitha me ekspertizën e fituar në fusha shumë të rëndësishme për Shqipërinë si turizmi apo bujqësia, po i jepnin një dorë ekonomisë.

Kronikat televizive tregonin histori pikante se si biznesi i vogël po njihte ditët më të mira, kurse turizmi kishte nisur të jepte shenjat e para të një bumi. Politikat e qeverisë dhe investimet në zonat rurale po bënin që më në fund të kthehej vëmendja nga fshati.

Gjithçka po mbruhej me mjaft delikatesë deri në momentin brutal të vitit 2013.

Goditjen e parë e morën shtresat më të dobëta. Nga qarku më i varfër në vend, Kukësi nisi një vërshim masiv drejt Europës, duke kulmuar me një rekord kërkesash për azil në Gjermani. Pastaj u godit biznesi i vogël, të cilit nuk iu dëgjua zëri as kur protestoi. Më pas ishte radha e rinisë dhe studentëve, të cilët nuk shihnin asnjë perspektivë në vend përveç krimit të organizuar dhe lidhjeve me partinë-shtet.

Në fund fare Shqipëria u rreshtua vetëm me një vend afrikan për dëshirën e lartë për të braktisur vendin. Ajo ‘lule’ e brishtë që po rritej u shkel brutalisht nga ‘çizmja’ e qeverisjes.

***

Filozofët gjermanë e quanin ‘Zeitgeist’ frymën e një kohe të caktuar. ‘Zeitgeist’- i kësaj kohe, nën qeverisjen e Edi Ramës, është depresioni dhe dëshira për të braktisur vendin.

Bomba demografike do jetë predha më e frikshme që lë pas Rama.

Para disa ditësh, Tim Judah shkruante në një analizë për këtë çështje, se koha po ecën me shpejtësi në Shqipëri. Por për Edi Ramën koha ecën me shpejtësi vetëm në një drejtim: atë të KÇK-së. Për të kapur ç’të kapin derisa të largohen.

Enton Palushi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit