-0.5 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

Latife Hanëmi, gruaja e Ataturkut: lexonte Kuran e luante piano, si ia “tregoi vendin” burrit pijanec

Më të lexuarat

Të gjithë kemi histori të ndryshme. Nuk ka rëndësi pse disa duken më mbresëlënës se të tjerat, të gjitha kanë vlerë të madhe.

Po ashtu, secila histori ka dy anë të monedhës. Një e tillë i përket një gruaje, jeta e së cilës është e mbuluar me fshehtësi edhe pse ajo ndërroi jetë 39 vjet më parë.

Fatima-tuz Zehra Latife Usakkizade, ose e njohur zakonisht si Latife Hanëm, ishte gruaja e Mustafa Kemal Ataturk, themeluesit të Republikës Turke. Statujat e saj mbushin sheshet publike në Turqi, portretet e saj shtypen në kartëmonedha turke dhe deklaratat e saj hyjnë te thëniet e mençura.

Latife Hanëm me të vërtetë iu ekspozua një jete të bujshme, por meqenëse ishte tejet e zgjuar, nuk donte të jetonte nën hijen e burrit të saj.

Zyrtarët që i shërbyen Ataturkut e përshkruajnë si një grua të padurueshme, agresive dhe moskokëçarëse, e megjithatë Latife Hanëm, pa dyshim, duhej të ishte gjykuar në mënyrë të drejtë dhe të duhur.

Le ta hedhim një vështrim më të afërt për të, duke iu referuar informacionit ekzistues historik dhe kujtimeve që kanë mbijetuar deri në ditët e sotme.

Latife Hanëm lindi në Izmir në një familje të arsimuar dhe të pasur. Babai i saj punonte si kryetar i bashkisë metropolitane në Izmir. Xhaxhai i saj ishte romancieri i famshëm osman Halit Ziya Usakligil. Në ato kohë, ishte shumë e rrallë që një vajzë të studionte në Evropë, megjithatë, ajo ishte me fat pasi ndoqi Universitetin e Sorbonne-s në Paris për drejtësi dhe më vonë ndoqi shkollim plotësues në Londër.

Gruaja shumë e talentuar fliste shtatë gjuhë, edhe latinisht. Ajo luante piano dhe kalëronte më mirë se 100 burra. Megjithëse Latife Hanëm përfaqësonte stilin e një gruaje moderne të shekullit XIX, ajo lexonte më dëshirë Kur’anin, me gjithë insistimin e Ataturk që të mos e dëgjonte duke kënduar vargjet e tij.

Ajo nuk pinte alkool për arsye fetare, sado që burri i saj ishte një pijanec me famë.

Jeta e një gruaje kaq të sofistikuar, të arsimuar, kokëfortë, dhe të zgjuar, ishte pjesë e gazetave të kohës. Kontakti i saj i parë me Ataturkun ishte kur ky i fundit pushtoi Izmirin. Në shtator 1922, trupat turke marshuan drejt qytetit për të krijuar një seli të përgjithshme. Rezidenca e familjes së Latife Hanëmit u mendua si një vend i sigurt, dhe familja e saj e pranuan Ataturkun dhe familjen e tij në rezidencë. Në fakt, ishte nëna e tij që i kishte propozuar vajzën e re për grua.

Pas vdekjes së ëmës, Ataturk i bëri një vizitë Latife Hanëmit. Ai u përpoq të krijonte një marrëdhënie më të ngushtë me të, por ajo me mirësjellje nuk pranoi.

Ajo refuzoi të kishte raporte jashtëmartesore. Edhe sot, në formë humori dhe vlerësimi njëkohësisht, kujtohet momenti kur ajo mori pushkën dhe shtiu në ajër kur Ataturk u përpoq ta puthte në tarracë.

Ajo insistonte se martesa do të ishte e vetmja mënyrë për të qenë bashkë, gjë e cila u bë.

Latife Hanëmi u ngrit edhe më tepër si e vlerësuara e qarqeve politike, por merakliu i pijes dhe duhanit nuk ishte esëll mjaftueshëm që ta nderonte gruan e tij aq sa duhej.

Sado që Ataturk u thoshte miqve të tij më të ngushtë se martesa nuk është “specialiteti i tij”, nuk mund t’i rezistonte karakterit të zgjuar dhe moral të Latife Hanëmit.

Kjo grua sfiduese ishte në gjendje të ndikonte tek burri, i cili ishte 17 vjet më i moshuar se ajo.

Tani, në axhendën e Ataturkut, Latife Hanëmi e kishte për detyrë që të paraqitej si “gruaja moderne e Turqisë”.

Latife Hanëm shoqëroi Ataturkun gjatë udhëtimeve të tij nëpër Turqi dhe mbajti shumë fjalime. Për më tepër, ajo ishte personi që shkroi fjalimet e para të burrit të saj.

Ajo kreu studime universitare për të drejtat e grave dhe e sugjeroi Ataturkun që të krijonte ligje të reja mbi poligaminë dhe divorcin e njëanshëm.

Martesa e çiftit, e cila ishte mbështetur në dashuri të ndërsjellë dhe projekt modernizues (ose të dyja), u ndërpre pas një kohe të shkurtër për shkak të problemit të pijes dhe stilit të jetës së Ataturkut .

Në të vërtetë, nuk dihet shumë për fundin e martesës së tyre, por të gjitha rrëfimet çojnë te e njëjta histori.

Një natë, në Pallatin Çanakaja, Ataturk po priste një delegacion me ambasadorë të huaj.

Si zakonisht, Ataturk i kërkoi gruas së tij të recitonte një poezi dhe të luante piano për të ftuarit. Në atë kohë, Latife Hanım po ankohej për zijafetet e organizuara me plot alkool që nuk lejonin çiftin të shijonte martesën.

Ajo nuk pranoi të luante piano dhe pas fjalosjes e qëlloi burrin e saj me shuplakë.

Fatkeqësisht e gjithë kjo ndodhi para zyrtarëve diplomatë.

Ambasadorët australianë dhe amerikanë dërguan mesazhe të koduara që thoshin: “Gruaja e Ataturk e goditi atë para komandantëve”, “Themeluesi i Republikës Turke e humbi fytyrën”, “Një grusht shteti mund të shpërthejë në çdo kohë.”

Tashmë, Ataturk nuk mund të duronte pikëpamje të saj. Pasi u divorcuan, ai tha: “Martesa nuk është e natyrës sime, por kam dashur të jap një shembull me gruan time”. Martesa model zgjati vetëm dy vjet e gjysmë.

Pasi u divorcuan, Latife Hanëm u kthye në shtëpinë e babait të saj dhe nuk e pa kurrë më ish-bashkëshortin. Kjo për shkak të karakterit të saj të disiplinuar, por edhe ashpërsisë që e karakterizonte Ataturkun.

Me gjithë bindjet e saj moderniste dhe reformiste, pritjet e saj ishin si ato të grave të tjera. Latife Hanëm dëshironte të shijonte një jetë të mirë organizuar me burrin e saj.

Ajo që lë të kuptohet është se zonja Latife ishte kopertina e një fushate të burrit të saj, kur ai vuri themelet e Turqisë moderne. Sa më shumë që zbulohen kujtimet e saj të fshehta, aq më shumë bëhet një objekt miti urban.

Ajo vdiq duke refuzuar që të rrëfente qoftë edhe një detaj të martesës dhe jetës së saj me themeluesin e Turqisë. Sado që ish-burri e kishte lënduar shpirtërisht, parimi i fshehtësive martesore që vinin nga besimi i saj, ishte i vlefshëm më shumë se çdo gjë tjetër. Turqit edhe sot “vdesin” të dinë më shumë për zonjën që e goditi shuplakë njeriun më të fuqishëm të vendit. Por në vend te të merrte rolin e tellallit, ajo zgjodhi heshtjen, mbase si opsionin më të mirë. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit