Faqja zyrtare e Federatës Ndërkombëtare të Basktbollit (FIBA) ka konfirmuar edhe zyrtarisht se pritjes i ka ardhur fund dhe basketbolli kosovar tash njihet ndërkombëtarisht.
Tashmë duket se pritjes së basketbollit kosovar i ka ardhur fundi dhe sporti jonë po shkon vetëm drejt zhvillimit.
Pas disa tentimeve dhe përpjekjeve shumëvjeçare, raporton Telegrafi, institucioni më i lart i basketbollit në botë, FIBA, ka konfirmuar se federata e basketbollit të Kosovës (FBK) është pranuar në FIBA me të drejta të plota dhe të barabarta me të tjera federata të vendeve antare në FIBA.
Në një komunikatë të lëshuar nga FIBA konfirmohet se edhe përfaqësuesja e Kosovës do të ketë të drejt të zhvillojë ndeshje konkurruese në të gjitha garat ndërkombëtare, njëjtë sikurse të gjitha shtetet tjera.
“FIBA mund të konfirmojë se Kosova është bërë anëtarja e 215-të”.
“Vendimi i cili është marrë gjatë takimit të Komitetit Ekzekutiv të FIBA-s, vjen pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka pranuar me të drejta të plota Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) në dhjetor të vitit 2014”.
“Si rezultat i vendimit të së premtës, FIBA për Evropë do të punojë që sa më shpejt të inkorporojë përfaqësuesen e Kosovës në të gjitha kategoritë e garave duke filluar nga vera e vitit 2015”, shkruan në komunikatën e FIBA-s.
Pranimi i Kosovës në FIBA vjen pas shumë përpjekjeve dhe pas përmirësimit të dukshëm të kualitetit të basketbollit të Kosovës dhe jo vetëm, pasi që janë bërë hapa të rëndësishëm në të gjitha drejtimet.
Natyrisht se më meritor ka qenë kryetari i FBK-së, Erolld Belegu, i cili ka arritur që të mposhtë trysninë e madhe politike dhe mbarë-institucionale të Serbisë, për të ndaluar antarësimin e Kosvoës në FIBA.
Ky është lajmi më i mirë për sportin kosovar që prej pasluftës bashk me atë të pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në vitin 2014.
Së fundmi u dorëzua edhe aplikacioni për pranimin e futbollit kosovar në UEFA, ku për fat të keq ka mbetur edhe shumë punë për t’u bërë për t’u pranuar. /Telegrafi/