Aimee Lewis, “CNN”
Vdekja tragjike e 39 kinezëve, brenda një kamioni të gjetur në një park industrial në Britaninë e Madhe këtë javë, ka ngjallur tmerr në mbarë botën. Policia angleze dyshon se emigrantët kinezë, janë pjesë e trafikut njerëzor, që menaxhon prej gati katër dekadash mafia kineze “Kokë-gjarpërinjtë”, dhe që ka lidhje edhe mafian italiane, Cosa Nostra.
Prokuroria ka nisur një hetime me akuzën e vrasjes, ndërsa kryeministri britanik Boris Xhonson, ka bërë thirrje që personat përgjegjës te kapen dhe nxirren para drejtësisë. Por një pyetje ka dominuar debatet mbi këtë ngjarje: pse qytetarët e ekonomisë së dytë më e madhe në botë, do të rrezikonin jetën e tyre për të emigruar ilegalisht në Britaninë e Madhe?
Sipas Institutit të Politikave të Migracionit (MPI), nga 258 milionë emigrantë sot në botë, gati 10 milionë janë shtetas kinezë. Pra Kina është vendi i katërt më i madh të origjinës së emigrantëve. Shumica e tyre, gati 2.5 milionë banojnë në SHBA, 712 mijë në Kanada dhe 473,000 në Australi.
Rritja e shpejtë ekonomike e Kinës gjatë dekadave e fundit, e ka zgjeruar në mënyrë dramatike “gjurmën gjeopolitike dhe ekonomike të Kinës në të gjithë botën”. Për shembull, në Britaninë e Madhe u dhanë në vitin 2018 më shumë se 730.000 viza për shtetasit kinezë, ose 25 për qind e 2.9 milionë në total, një rritje prej 11 për qind krahasuar me një një vit më parë.
Zakonisht supozohet se emigrantët janë shpesh më të varfërit në shoqëri, dhe ata kërkojnë punë me aftësi të ulëta, ose ikin për shkak të terrorit. Por kjo nuk është gjithmonë e vërtetë, sidomos për emigrantët kinezë.
“Nga Kina shpërndahet një gamë e madhe emigrantësh. Pra keni nga të gjitha kategoritë. Nga ata me aftësi të ulëta, tek ata me aftësi të mesme, dhe deri tek të shumë të kualifikuarit”, tha për CNN Natalia Banulesku-Bogdan, drejtore e asociuar e programit ndërkombëtar të MPI.
Tipikisht, emigrantët që udhëtojnë në Evropë ose SHBA, nuk janë “më të varfërit e të varfërve”, mendon ajo, pasi lëvizja kërkon burime të mëdha financiare, pavarësisht nëse ata emigrojnë në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme.
“Nëse udhëtoni përmes kanaleve të rregullta, duhet të merrni masat për pasaportat, tarifat që ka viza”- thekson ajo.
“Ndërkohë nëse jeni duke udhëtuar nëpër kanale ilegale, trafikantët kërkojnë shpesh tarifa mjaft të larta. Për më tepër, kjo kërkon një rrjet mjaft të sofistikuar njerëzish jashtë vendit. Shpesh, ata që largohen janë familjarët që kanë aktualisht njerëz jashtë vendit”, mendon ajo.
Emigrimi i kinezëve, ka shumë forma. Ekspertët thonë se ajo ku zgjedhin të jetojnë qytetarët shumë të aftë, ndryshon nga ajo e bashkatdhetarëve me pak kualifikim.
“Njerëzit me shkollë të lartë, synojnë të shkojnë në Shtetet e Bashkuara, dhe në vendet e tjera me të ardhura të larta. Ndërkohë ka alternativa të tjera si punëtorë ndërtimi në Afrikë ose Evropën Lindore”- shprehet tha Banulesku-Bogdan.
Sipas MPI, 10-20 për qind e emigrantëve kinezë shkojnë në Afrikë. Ata janë të shumëllojshëm në aspektin e përkatësisë së tyre socio-ekonomike, profesionit dhe moshës, duke filluar nga diplomatët apo punonjësit humanitarë, deri tek punëtorët që punojnë në projekte të ndryshme të infrastrukturës.
Shumë studentë kinezë, studiojnë edhe jashtë vendit. Në Britani, studentët kinezë kanë marrë gati 100.000 viza studimi të nivelit 4, ndërsa në botë marrin në total rreth 40 për qind të tyre. Ekonomisti Kristian Dastman nga Qendra për Kërkime dhe Analiza mbi Emigracionin me qendër në Londër (CReAM), thotë se shumë studentë kinezë në Britani, vijnë nga familje të pasura.
“Ata janë në gjendje të paguajnë tarifat e larta, dhe të jetojnë në qytete të shtrenjta si Londra”- thotë ai për CNN. Sipas raportit vjetor të 2018-ës të qeverisë britanike mbi skllavërinë moderne, Kina është vendi i katërt më i zakonshëm i origjinës për viktimat e skllavërisë moderne në Britani, pas vetë Britanisë, Shqipërisë dhe Vietnamit.
Në vitin 2017, 293 viktimat e mundshme të skllavërisë moderne në Britani, u raportuan se ishin me origjinë nga Kina. Por Dastman shton se numri i emigrantëve ilegalë kinezë në Britani është ende i vogël, në krahasim me ata në vendet mesdhetare si Spanja dhe Italia, kryesisht për shkak se është më e vështirë të hysh në Mbretërinë e Bashkuar.
“Emigrantë të paligjshëm nga Kina, ka në të gjitha vendet evropiane. Një nga destinacionet kryesore është Italia. Ata merren aty me industrinë e tekstilit, ku janë të gatshëm të punojnë me paga të ulta. Italia ka një ekonomi të madhe në të zezë, ku gjen shumë migrantë nga Kina dhe Lindja e Mesme”, deklaron Dastman.
Po pse kaq shumë kinezë, janë të gatshëm të emigrojnë ilegalisht, duke rrezikuar edhe sjetën? Në Kinë, emigrimi i madh nga zonat rurale drejt atyre urbane, mundësoi bumin ekonomik në vend. Reformat e pensioneve, ndihmoi në nxjerrjen e shumë qytetarëve nga varfëria.
“Kina është zhvilluar në një mënyrë dramatike, varfëria është ulur ndjeshëm, kushtet ekonomike janë përmirësuar. Nëse kjo do të vazhdojë me këtë ritëm edhe në të ardhmen, kjo është e diskutueshme. Gjithçka që kam parë gjatë viteve të kaluara, ka qenë vërtetë pozitive. Por kjo nuk do të thotë se ka pasur disa grupe njerëzish, që mund të kenë vuajtur më shumë se të tjerët”, thekson Dastman.
Banulesku-Bogdan, thotë se duke u bërë më i pasur, Kina u shndërrua në një shoqëri më pak e barabartë.
“Mundësitë brenda një vendi kaq të madh sa Kina, nuk janë shpërndarë në një mënyrë të barabartë. Ka shumë njerëz të pasur, por edhe shumë të tjerë që jetojnë në varfëri ekstreme”, thekson ajo.
Sipas Institutit të Politikave të Emigracionit, shtetasit kinezë kanë emigruar për shumë arsye ndër vite, duke përfshirë shtypjen politike, politikën e një fëmije dhe dëshirën për të studiuar jashtë vendit. Por metodat për të ikur nga vendit ndryshojnë shumë.
“Mundësitë për të emigruar, nuk janë të disponueshme në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, dhe këtu ndodh edhe kontrabanda dhe trafikimi, veçanërisht trafikimi i qenieve njerëzore”, thekson Banulesku-Bogdan.