-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

“Drama jonë fillon në vitin 2008”- Meta flet për zgjedhjet në Kosovë: Na duken si votime në Danimarkë. Fajin në Shqipëri e ka lidershipi

Më të lexuarat

Presidenti i Republikës Ilir Meta thotë se është sistemi zgjedhor me lista të hapura ai që i jep mundësi qytetarëve që të zgjedhin midis shumë kandidatëve për deputetë.

Meta thekon se në hartimin e reformës zgjedhore në Shqipëri duhet të merret parasysh ndryshimet që iu bënë Kushtetutës në vitin 2008, që sipas tij goditën në thelb demokracinë, por nënvizon se nuk është sistemi ai që i bën zgjedhje të lira.

“Lidhur me Kosovën mirë shumë nuk ndihemi pasi na duket sikur zgjedhjet në Kosovë ishin sikur zgjedhjet në Danimarkë në raport me disa probleme jo se shqiptarët këtu nuk duan të bëjnë zgjedhje të tilla por lidershipi politik ua ka bërë të vështirë. Zgjedhjet në Kosovë kanë veçanti edhe sistemin elektoral. Ata kanë lista të hapura. Voton për partinë dhe për listën e kandidatëve. Ajo që i bëri këto zgjedhje konkurruese është që LDK të vendoste si kandidate për kryeministre një figurë që herën e kaluar ishte vendosur e 87-ta në listën e partisë dhe kishte dalë e para apo e dyta në gjithë Kosovën. Kjo i dha rritje LDK-së. Pra ka një meritë sistemi sepse i jep mundësi qytetarit të shprehë mendimin e tij dhe i vendos partitë nën presion për të vënë në krye figura sa më përfaqësuese.

Drama jonë fillon në vitin 2008. Ne kemi pasur një Kushtetutë shumë të mirë të miratuar në 1998 për të mos përsëritur ato që kishin ndodhur. Ajo që ndodhi në 2008 me listat e mbyllura është një problem i madh. Nuk është se i kemi partitë demokratike dhe bëjnë përzgjedhje të emrave dhe që atëherë edhe partitë u bënë më të mbyllura. Nuk ka më deputetë që bëjnë oponencë. Kjo e ka goditur në thelb dhe në zemër demokracinë parlamentare. Kjo duhet parë me përgjegjësi edhe në kuadër të reformës zgjedhore. Natyrisht, reforma zgjedhore nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në Kosovë, policia dhe prokuroria reagoi menjëherë”, theksoi Meta.

Duke u ndalur tek marrëdhëniet me qeverinë e re të Kosovës, Meta tha se ato janë në nivele të ulëta pavarësisht rritjes së shkëmbimeve tregtare ndërsa këto marrëdhënie përdoren për konsumim të brendshëm politik në të dyja shtetet.

“Unë mendoj se marrëdhëniet tona mund të jenë edhe më frytdhënëse. Nuk janë ato që duhen pavarësisht se ka një rritje të shkëmbimeve tregtare. Ka një përdorim për qëllime të brendshme në Shqipëri apo edhe në Kosovë për çështje të tilla. Në Kosovë është votuar për të bërë një ndryshim. Ish-kryeministri Haradinaj i hapi rrugë këtij ndryshimi për arsye se ishte bërë një koalicion i vështirë pasi qeveria varej edhe nga një deputet.

Tani do të kemi një qeveri më funksionale edhe për dialogun me Serbinë. Sigurisht, edhe kjo kërkon unitet të brendshëm dhe ne nga Tirana nuk duhet të ndërhyjmë por të mbështesim dialogun dhe unifikimin. Çdo lloj ndërhyrje është cenim i sovranitetit të Kosovës. Për Albin Kurtin mund të them ka një potencial intelektual dhe politik të jashtëzakonshëm. Nuk kam besuar që Vetëvendosje do të dilte forcë e parë. Ka marrë një goditje të fortë të imazhit nga jashtë kur iu shkëput një grup deputetësh përfshirë edhe disa drejtues të rëndësishëm të pushtetit vendor si kryetari i Prishtinës. Në rast se kjo shkëputje nuk do të kishte ndodhur fitorja do të ishte shumë më e thellë.  E ardhmja nuk është e thjeshtë sepse të qeverisësh është tjetër”, shtoi ai.

Meta pati një mesazh edhe për të rinjtë që të mos largohen nga vendi, por fajësoi për këtë plagë emigrimi mungesën e politikave afatgjata.

“Mendoj se arsyeja atdhetare është shumë e fortë, por nuk duhet të mbetet thjesht dhe vetëm e tillë sepse këta janë të rinj dhe duan sukses, një të ardhme të sigurt, duan disa standarde dhe unë mendoj se duhet t’u japim mundësi që të kenë një rol për t’i ndryshuar gjërat. Sot nuk dëgjohen as të rinjtë, as grupet e interesit dhe as pedagogët dhe kështu me radhë. Duhet të investojmë shumë më tepër për të gjitha ato zhvillime ku atyre me njohuritë që kanë mund t’ju garantojnë më shumë aktivitete fitimprurëse. Një nga mangësitë janë start-up. Një shembull i shkëlqyer është Estonia, një vend modest me 1.3 mln banorë dhe gjithë Estonia është një projekt e-estonia. Vetëm martesat nuk bëhen në mënyrë dixhitale.

Ky është një investim afatgjatë që kishte nisur në vitin 1994. Përfitimet janë jashtëzakonisht më të mëdha se shpenzimet. Ne nuk e kemi gjetur veten tek investimet afatgjata ku të shfrytëzohen burimet natyrore të vendit. Marrim Maqedoninë në dy drejtime. Në drejtimin e investimeve të huaja, ka arritur të zhvillojë një industri automative të jashtëzakonshme nga e cila arrin të eksportojë gati 40 mln euro. Investitorëve të huaj u ka ofruar disa alternativa dhe mundësi për të investuar. Ose marrim rastin e bujqësisë, Maqedonia është një vend lider edhe pse klimën nuk e ka si ne. E ka filluar me një politikë afatgjatë. Tani e ka 170 mln euro dhe ka një fuqi gati një miliard euro. Na mungon një politikë afatgjatë”, shtoi ai.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit