-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Zaev i kërkon falje Hashim Thaçit, “ajo çfarë më ndodhi nuk ka lidhje me federatën Ruse”

Më të lexuarat

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, deklaroi se mbrëmë ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, pas përfshirjes së Zaevit në skandalin e bisedës telefonike me komedianët rusë, të cilëve u ka thënë se Rusia dhe Turqia po e mbështesin idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për qëllime të tyre.

Gjatë bisedës 20 minutëshe në telefon, Thaçi tha se Zaevi ka deklaruar se ai ka rënë pre e mashtrimeve dhe gjithë ajo çfarë ka folur, i ka folur duke u bazuar në thashetheme dhe në të dhënat apo lansimet e gazetës Sputnik dhe thashethemeve ruse. Kryeministri Zaev i ka kërkuar falje presidentit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Më ka kërkuar falje mua dhe Kosovës. Dhe në të njejtën kohë ka potencuar se atë që ai ka folur me mashtruesit të cilët e kanë thirrur në telefon janë gjëra që nuk qëndrojnë në raport me Kosovën dhe se në të njëjtën kohë ka potencuar qartë se nuk ka asnjë fakt, asnjë evidencë, apo informacion zyrtar për atë që ka deklaruar, por i ka të bazuara në thashetheme lokale dhe ndërkombëtare dhe po ashtu i ka të bazuara në lajmet e rrejshme të gazetës Sputnik”, deklaroi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri Zaev e konfirmoi komunikimin me Presidentin Thaçi. Për të njëjtën temë ai ka biseduar edhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Thotë se nuk ka informacione të detajizuara për bisedimet në mes Thaçit dhe Vuçiqit lidhur me territorin dhe kufijtë e Kosovës.

“Biseduam me zotëri Thaçin, kërkonte sqarim, unë shkëmbeva porosi edhe me presidentin Vuçiç. Gjithsesi edhe një herë dua ta shfrytëzoj rastin që nëse kam lënduar presidentin apo qytetarët e Kosovës me deklaratën, nuk ka qenë ky qëllimi. Ne jemi vende mike, kam përshtypjen se jam mik edhe i qytetarëve të Kosovës, asnjëherë nuk kemi pasur detaje për procesin negociues, këtë e din edhe z. Thaçi edhe z. Vuçiq. Ne duam prosperitet dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës si dhe prospreritet të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë”, tha Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

I pyetur nga gazetarët Zaev deklaroi se ajo që i ndodhi atij nuk ka lidhje me Federatën ruse, por se bëhet fjalë për çëshjtje private që kanë bërë prankerët rusë. Rusinë e quan vend mik por pranon se ky vend nuk e do Maqedoninë në NATO.

“Mendoj se këto pranke apo performanca fejk që u implementuan tek unë përfaqësojnë çështje private, nuk ka lidhje me Federatën ruse dhe shtetit mik dhe si të tilla i kuptoj”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Duke folur për raportet mes Maqedonisë dhe Kosovës, Thaçi deklaroi se raportet do të jenë korrekte, pozitive, konstruktive, të fqinjësisë së mirë. Në numrat e telefonit prej të cilëve e kanë kontaktuar plankerët rusë, edhe vetë Zaevi u ka telefonuar Poroshenkos dhe Stoltenbergut, i bindur se edhe kësaj here bisedon me ta. Edhe pse bisedat janë bërë vitin e kaluar, Zaev tha se e ka kuptuar se është viktimë e një kurthi këto ditë pas publikimit të audio incizimeve./21

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit