-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Mustafa: Trepça është e Kosovës, nuk diskutohet

Më të lexuarat

Manifestimi tradicional ‘Java e Minatorëve’, i organizuar në përkujtim të grevës së minatorëve të vitit 1989, ka përfunduar me një ceremoni të mbajtur të shtunën në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Në këtë manifestim u fol për rëndësinë që pati greva e minatorëve të Trepçës 26 vite më parë, në lëvizjen politike të kohës dhe në mbrojtje të lirive e të drejtave politike të shqiptarëve të Kosovës.
 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, tha se puna dhe historia që kanë shkruar minatorët, është e rëndësisë së veçantë nacionale.
 
“Ju keni shkruar një histori të veçantë për Kosovën, keni dhënë kontributin më të madh në kohën më të rëndësishme, keni shfaq rezistencën e juaj për Kosovën e pavarur, sepse duke ruajtur Trepçën, ju keni mbrojtur Kosovën”, ka thënë Mustafa.
 
Ai ka premtuar zgjidhjen e statusit të Trepçës në mënyrën më të mirë të mundshme, duke bashkëpunuar ngushtë me vetë minatorët, por edhe Kuvendin, në mënyrë që Trepça të mbetet gjigant i zhvillimit ekonomik të Kosovës.
 
Në lidhje me pronësinë e Trepçës, ai ka potencuar se kjo çështje nuk do të negociohet me askënd.
 
“Trepça është e Kosovës, mineraret janë të Kosovës dhe kjo është pronë e Kosovës, ndërsa ne me askënd nuk do të ulemi në tavolinë të bisedojmë për Trepçën. Për Trepçën do të bisedojmë vetëm me ju, minatorë të Trepçës”, theksoi kryeministri Mustafa.
 
Ndërkaq, menaxheri i Trepçës, Ahmet Tmava, foli për rëndësinë historike të grevës së minatorëve të Trepçës që ngjau para gati tri dekadave.
 
Sipas tij, si çdo përvjetor tjetër, edhe ky i 26-të me radhë, është inspirim për të gjithë që të mbahet gjallë fryma e epopesë së minatorëve.
 
Ai tha se kjo javë shënon historinë e ndritshme, dhe fillimin e fuqishëm për çlirim nga okupuesi, për një jetë me dinjitet.
 
“Vendosmëria e minatorëve për sendërtimin e idealeve kombëtare deri në flijim, ishte mobilizimi më i mirë gjithëpopullor që kulmoi me ushtrinë çlirimtare të Kosovës. Të jesh trashëgimtar i kësaj lavdie për ne është përgjegjësi shumë e madhe, por edhe krenari”, ka thënë Tmava.
 
Ai theksoi se sa është i domosdoshëm dhe emergjent sqarimi i statusit të Trepçës, tregon fakti se që nga 24 janari i këtij viti miniera nuk ka licensë për punë, që me gjasë, siç tha ai, do të zgjasë edhe një kohë duke sjellur probleme serioze financiare për Trepçën.
 
Në anën tjetër, Nezir Behrami, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, pasi elaboroi aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Javës së Minatorëve, ka kritikuar institucionet për mos përkushtim të mjaftueshëm ndaj këtij gjiganti.
 
“Asnjë qeveri deri tash nuk ka qenë e gatshme të ballafaqohet me problemin e Trepçës dhe së paku ta nxjerr një ligj të pensionimit apo invalidor, me të cilat kishin me u zgjidhë problemet e atyre punëtorëve të cilët nuk janë më në mesin tonë dhe nuk kanë mundur të kthehen në punë”, ka thënë Behrami.
 
Ndryshe, gjatë këtij manifestimi u shfaq një dokumentar për Trepçën, mbi rëndësinë historike të grevës së minatorëve të Trepçës që ngjau 26 vjet më parë. /KP/
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit