-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Pse Sulltanët osmanë i donin gjësendet e Profetit Muhamed në Stamboll?

Më të lexuarat

Duke e pasur Pallatin Topkapi si qendër administrative të sundimit osman, Turqia ka trashëguar disa nga reliktet më të vlefshme islame, përfshirë edhe gjërat personale të Profetit Muhamed.

Edhe pse tani ditët me diell përvëlues nuk janë lehtë për t’u përballuar, Topkapi Palace megjithatë mirëpret një numër të madh të turistëve dhe vendasve që duan të vizitojnë vendbanimin e sulltanëve, që ishte qendra e tyre nga viti 1453 e deri në mesin e shekullit 19.

Pasi të keni vizituar pjesë të ndryshme të pallatit ku mund të sodisni gjithçka – nga tryezat e ushqimit e deri te “Oda e Relikteve të Shenjta”, ju mund të kuptoni rëndësinë e këtij pallati.

Në muzeun Topkapi ndodhen disa nga reliktet më të vlefshme islame, duke filluar nga pelerina e Profetit Muhamed, e deri te shpatat e përdora nga ai dhe katër shokët e tij: Ebu Bekri, Omer ibn al Hatab, Uthman ibn Affan dhe Ali ibn Abi Talib.

Muzeu gjithashtu ekspozon materiale që besohet se ishin te profetëve Musa, Ibrahim, Jusuf dhe Daud.

Ndonëse turistët mahniten me admirimin e relikteve, ata mund t’i shpëtojnë informacionit historik – faktit se ndërtesa ishte pika qendrore e sulltanëve osmanë.

“Sulltanët osmanë donin t’i mbanin afër relikte e shenjta, sepse mendonin se vendosja e tyre në Pallatin Topkapi do ta bënte Stambollin si qendër të botës islame”, thotë Mustafa Sabri Kucukasci, drejtor i Muzeut, i cili është gjithashtu profesor i historisë së Mesjetës në Universitetin e Marmarasë.

“Pelerina e Profetit, e cila quhet ndryshe “Manteli i Shenjtë” është përdorur si shenjë e kalifatit qysh nga periudha e Umajadëve – tregon Kucukasci.

Nuk është e rastësishme pse turistët turren pikërisht në Odën e Relikteve të Shenjta. Edhe sulltanët i kishin kushtuar tejet rëndësi kësaj ode.

Siç tregojnë historianët, çdo vit, në periudhë të caktuar të muajit Ramazan, vet sulltanët e kishin pastruar odën me ujë trëndafili dhe me leckë mëndafshi.

Më pas, për orë të tëra aty ishte lexuar Kur’ani. Ndonëse kjo traditë më nuk ekziston, Oda gëzon të njëjtin respekt, jo vetëm nga turistët, por edhe nga vet shteti.

Sulltanët osman trashëguan këto relikte të çmuara nëpër epoka të ndryshme. Gjithçka filloi kur Sulltani Selim I pushtoi pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme në vitin 1517, ku shumë relikte islame u sollën në Stamboll nga bota arabe.

Ndërsa Perandoria Osmane u përhap në atë që sot kufizohet si Egjipti, Siria, Libani, Palestina, Jordania dhe Gadishulli Arabik, Sulltan Selimi jo vetëm që i mposhti Mamlukët, por edhe morën halifatin prej tyre, duke sjellë shumicën e relikteve të shenjta nga Kajroja në Stamboll.

“Qysh nga periudha e Selimit të parë, osmanët i kanë dhënë rëndësi të madhe koleksionimit të relikteve te Profetit Muhamed në qendrën e tyre në Stamboll, dhe kjo ishte si rezultat i dashurisë dhe besnikërisë ndaj mësimeve të tij”, tregon Kucukasci.

Që nga Sulltan Mehmedi II, ndërtesa e Topkapi është restauruar disa herë. Në kohën e Sulltan Selimit kur janë sjellë reliktet e shenjta, shtëpia perandorake papritur u shndërrua në një faltore muslimane, ku sulltanët dhe zyrtarët e tyre mbajtën ceremonitë për të puthur mantelin e Profetit, duke shfaqur respekt për gjësendet personale të tij.

“Si rezultat, kryeqyteti otoman fitoi një reputacion të qendrës politike dhe fetare të botës islamie”, thotë Kucukasci.

Në shekullin e 17-të, arkitekti i pallatit, Mustafa Safi, e quajti odën Has Oda Beytu’l-hilafe, që do të thotë Shtëpia e Kalifatit, ndërsa ai rendiste reliktet e shenjta të vendosura në dhomë, duke përcaktuar hapësirën si “vizualizim të kalifatit osman”. Edhe dryni dhe çelësi i Qabesë, që është vendi më i shenjtë Islam, gjenden në këtë pallat.

Ahmet Xhevdet Pasha, një nga burrështetasit më të shquar osmanë dhe juristët e fundshekullit të 19-të, argumentoi se kalifati Abbasid kishte humbur kontrollin e shumicës së botës islame, pasi i përdorën Mamlukët si instrument për të fituar legjitimitet.

Sipas Pashës, ishte udhëheqja osmane që rivendosi rendin islami pas Selimit, duke i mundur mamlukasit dhe duke marrë kalifatin nga abasidët.

“Duke iu bashkuar sulltanatit me kalifatin, shteti osman arriti një nivel më të lartë, të cilin e meritonte. Me këtë bashkim një komb i forcuar i Islamit e gjeti drejtimin e tij”, thotë Xhevdet Pasha në shkrimet e tij të asaj kohe.

Udhëheqja otomane kishte një interes të veçantë për reliktet e shenjta dhe magjepsja ndaj tyre shkoi përtej kohës së Profetit Muhamed.

“Ka një kulturë besimi rreth këtyre relikteve. Ka pasur gjithashtu gjëra që besohet se u përkasin profetëve të tjerë të së kaluarës”, tha Kucukasci.

Një shkop, që besohet se i përket Musait, gjithashtu ekspozohet në Pallatin Topkapi në Stamboll.

Në fillim të shekullit të 19-të, sulltani Mahmud II vendosi të largohej nga Has Oda dhe të dedikonte hapësirën ekskluzivisht në reliktet e shenjta. I biri Abdulmexhid I, i cili vazhdimisht ndoqi politikat e modernizimit të shtetit osman, u largua nga Pallati Topkapi në 1856 dhe u fut në Pallatin Dolmabahçe të ndërtuar rishtas, një arkitekturë froni në stilin neo-barok, përgjatë brigjeve të Bosforit.

Deri në vitin 1918, kur Perandoria Osmane ishte në prag të rënies, një nga gjeneralët e saj, Fahrettin Pasha shfaqi një sfidë të jashtëzakonshme. Si komandant i forcave osmane në qytetin e shenjtë të Medinës, Pasha refuzoi të dorëzohej përpara forcave aleate, duke lënë mënjanë urdhrat e eprorëve të tij.

“Unë ju bëj thirrje në emër të Pejgamberit, dëshmitarit tim, që a mbroni atë dhe qytetin e tij me fishekun e fundit dhe frymën e fundit, pavarësisht nga forca e armikut. Lutjet e Muhamedit qofshin me ne”, u tha ai ushtarëve të tij gjatë rrethimit të Medinës.

Në janar 1919, Pasha u arrestua nga oficerët e tij për shkak të mosbindjes ndaj urdhrave nga Stambolli, 72 ditë pas marrëveshjes së Perandorisë Osmane me forcat aleate.

Gjatë përplasjes, Fahrettin Pasha shpëtoi shumë relikte të rëndësishme të shenjta dhe i transportoi ato në Pallatin Topkapi në Stamboll.

Pavarësisht nëse i bëni Stambollit një vizitë njëditore apo më shumë, Topkapi është një destinacionet që jo vetëm se do të ju mahniste me stilin dhe trashëgiminë, por edhe do të ju ndriçonte dijen historike, duke ju endur nëpër periudha shumëshekullore.

Përgatiti: Arbnora Avdiu-Hoxha – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit