-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Komuna e Prizrenit mbylli 2014-shin me 2.2 milionë euro borxhe

Më të lexuarat

Në kuadër të projektit të monitorimit të transparencës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, EC Ma Ndryshe gjatë muajit shkurt ka analizuar Raportin vjetor financiar të Komunës së Prizrenit, për periudhën janar-dhjetor 2014.

 

Raporti vjetor financiar i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave tregon se vitin e kaluar Komuna e Prizrenit ka vazhduar dobësitë në performansën buxhetore, pasi që vitin 2014 e ka mbyllur me mbi 2.2 milionë euro borxhe të papaguara.

 

Pasqyra e faturave (obligimeve) të papaguara të Komunës së Prizrenit tregon se në kategorinë ekonomike të investimeve kapitale shuma e borxheve arrin në afër 1.9 milionë euro, derisa borxhi i papaguar për mallrat dhe shërbimet është 124 mijë euro, për shpenzimet komunale është 46 mijë euro si dhe 10 mijë euro për subvencione.

Arsyetimi i zyrtarëve përgjegjës komunal është se këto borxhe figurojnë në Raportin Financiar për shkak se shumë projekte nisin në gjashtë mujorin e dytë dhe se realizimi dhe pagesat barten në vitin tjetër.

 

Një rrezik tjetër për buxhetin e Komunës së Prizrenit, sipas Raportit vjetor financiar janë edhe detyrimet kontingjente. Shuma e këtyre detyrimeve sipas DEF-it në vitin 2014 ka arritur në shumën prej 3.2 milionë eurove, në krahasim me vitin 2013 kur ato kanë qenë në shifrën 2.1 milionë euro.

 

Muajin e kaluar, EC Ma Ndryshe pat raportuar se Komuna e Prizrenit ka thelluar performansën e dobët buxhetore (linku i komunikatës: http://online-transparency.org/repository/docs/Komunikate_%281%29_15012014.pdf). Nga Komuna e Prizrenit ishin kërkuar sqarime se përse gjatë vitit 2014 është rritur shuma e borxheve të arkëtueshme dhe përgjigja e zyrtarëve të DEF-it ka qenë se të gjitha sqarimet do të jenë në Raportin vjetor financiar.

 

Ky Raport konfirmon se borxhet që duhet të arkëtohen nga Komuna e Prizrenit në emër të hyrave vetjake janë rritur gjatë vitit 2014, për afër 3 milionë euro. Përderisa në vitin 2013 shuma e borxheve të arkëtueshme ka qenë 11.65 milionë euro, në vitin e kaluar kjo shifër është rritur dhe ka arritur tanimë në 14.5 milionë euro.

 

EC Ma Ndryshe i bën thirrje edhe njëherë qeverisë komunale që t’i zbatojë standardet e qeverisjes së mirë, të cilat janë: përqendrimi në rezultate që janë në dobi të qytetarëve; sigurimi se qytetarët marrin shërbime të mira, me vlerë të shtuar për taksat e tyre; llogaridhënia; promovimi i vlerave të institucionit, duke dhënë shembull me sjellje të përgjegjshme dhe menaxhim të mirë të buxhetit dhe vendimmarrja transparente.

 

Për këto arsye EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit që:

 

– Të marrë masa adekuate për përmirësimin e performansës buxhetore;

– Të hartojë një plan të duhur për pagesën e faturave të papaguara;

– Të hartojë një plan të duhur për arkëtimin efikas të hyrave vetjake;

– Të zbatojë pa asnjë vonesë dhe në përpikëri rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm; dhe

– Të paraqesë faturat e detajuara dhe jo raportet e përmbledhura, për të dëshmuar transparencën dhe llogaridhënien përballë publikut.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit