Sa herë që Erjon Veliaj, kryebashkiak i Tiranës kapet në ndonjë shkelje, gafë apo gabim, në lëvizje vihet teknika e bombardimit të opinionit me kundërlajme, lëvdata etj. Ndodh shpesh një gjë e tillë, për shkak se Veliaj gabon shpesh sepse kërkon përherë rrugën e shkurtër. Dhe njësoj si dishepujt e Edi Ramës mendon se për sa kohë që është nën hijen e tij, nuk do ta zërë ligji.
Këto ditë në media po qarkullon lajmi për një qendër trëgëtare dhe një terminal autobuzësh, hollësitë teknike të të cilit nuk ka shumë nevojë për t’i ditur. Zoti Veliaj është përfshirë madje në një polemikë publike me biznesmenin nga Kosova Ramiz Kelmendi që thotë se ka një pronë ku do të ndërtojë një qendër tregëtare. Këtu ka hyrë në mes Bashkia e Tiranës e cila përtej aspekti ligjor që mund të përftojë tjetër pamje ka aktivizuar përmes zgjatimeve të veta në media akuza që pak kanë të bëjnë me çështjen.
Kështu Kelmendi u përfol për lidhje me serbët dhe se është importues i njohur nga Serbia dhe në kushtet e situatës së tanishme mes të dyja vendeve po synon të penetrojë në Shqipëri. Përpara sesa të sqarojë aspektin juridik, zoti Veliaj përdor teknikën e baltosjes duke shpallur se Kelmeni ka faj pse është importues nga Serbia. Po a mund të jetë akuzë një gjë e tillë? A mundet që të jetë gazetari kjo lloj qasjeje ndaj “lajmit” kur pa sqaruar asgjë, thjesht dikur boton pa protur e papandehur biografinë e dikujt?
Për rolin e medias dhe gazetarëve duhet thënë edhe diçka tjetër. Ata që punojnë në media e kanë shumë të qartë se çdo fjalë e lëshuar në një kontekst të caktuar interpretohet dhe përdoret, sepse është polarizimi politik që e kërkon një gjë të tillë. Ndaj është e njohur se një ndër aftësitë e këtij zanati është jo vetëm të kesh mendimin tënd, por edhe të dish ta komunikosh. Të bësh shejtan budallain nuk para ecën në këtë profesion, pasi edhe sikur të jetë vërtet ashtu, humbet peshën që mund të kesh.
Në kontesktin e këtij debati dhe akuzash ku është përfshirë z. Veliaj, dje u shfaq një mbështetje e “papritur” nga Kosova. Gazetarja e gazetës “Zëri”, apo kryeredaktorja e saj, Arbana Xharra, një mbështetëse e qeverisë së z. Rama, ka postuar një status në tuiter përmes të cilit shpreh admirimin e vet për punën e Erjon Veliajt në Tiranë:
Nuk e di që aktualisht në Ballkan, ka kryetar kryeqyteti më kreativ e punëtor se Erion Veliaj. E ka ba Tiranën me të marrë malli me shku
Dhe çdo kundërshti ndaj këtij statusi, ajo i është përgjigjur me një tjetër duke ironizuar mendësinë e korruptuar. Sigurisht që znj. Xharra nuk mund ta akuzosh pse admiron punën e z. Veliaj. Fundja jo të gjithëve në këtë botë u është bërë e bukura, e mira, progresi dhe modernia pjesë e përditmërisë sa neve këtu në Tiranë. Por si gazetare investiguese që është, ndoshta znj. Xharra mund të konsiderojë pak më shumë kritikat dhe akuzat që i janë bërë nga media e Shqipërisë kryebashkiakut. I akuzuar për falsifikim firme, me një rol indirekt në vdekjen e dy personave, në njeri që nuk nguron të shkelë ligjin apo të mohojë atë që ka thënë, nuk mund të marrë kaq kollaj lëvdatat e një gazetareje të shquar si znj. Xharra. Por gazetarët edhe kur janë të shquar, nuk janë shenjtorë. Kështu që konsideratat e znj. Xharra që përkojnë me debatin mes z. Veliaj dhe Ramiz Kelmendit, edhe mund të merren si pjesë e PR-t për kryebashkiakun. Nëse kryeredaktores së “Zërit” i ka shpëtuar kjo, padashje kuptohet, nuk ka ndonjë problem. Edhe ndodh. Vetëm se qarkullimi i statuseve pozitivë të saj nuk është rastësi. Dhe që këtu edhe këshilla dashamirëse që të mos e lejojë që fjala e saj të keqpërdoret nga nevojtari permanent me emrin Erjon Veliaj.