Pyetje: Jam një student që studioj në një shtet perëndimor dhe gjatë qëndrimit tim atje më ka rënë rasti të diskutoj me disa muslimanë, të cilët i japin përparësi mendjes për pranimin e argumenteve të fesë. Ata duke diskutuar me mua rreth të qenit haram të kamatës më thoshin, se gjendja sot në botë në kohën e globalizmit dhe të bursave ndërkombëtare të detyron të punosh me kamatë. U mundova t’ua shpjegoja gjynahun e madh që ka kamata, por për fat të keq pa asnjë farë vlere. Kërkoj prej shkëlqesisë tuaj të më tregoni sesi të diskutoj me ta, si dhe librat që më duhet të lexoj për të diskutuar me të tillë njerëz? Allahu jua shpërbleftë me të mira
Përgjigja: Me këta njerëz mund të diskutosh në disa pika:
Së pari: Atyre duhet t’u sqarosh, se cili është detyrimi i muslimanit karshi teksteve të Kuranit dhe Sunetit dhe se si ai duhet t’i nënshtrohet dhe t’i bindet gjykimit të Allahut, dhe se besimtari nuk mund të jetë besimtar i vërtetë përderisa ai nuk gjykon në bazë të teksteve të fesë: a ia pranon logjika e tij e mangët dhe dëshira e tij apo jo. Të besosh tek Allahu do të thotë, që njeriu t’i nënshtrohet plotësisht gjykimit të Zotit, Allahu thotë: “Por jo, për Zotin tënd! Ata nuk janë besimtarë derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në të gjitha mosmarrëveshjet mes tyre, derisa të mos mbetet në veten e tyre asnjë pikë kundërshtimi ndaj vendimeve të tua dhe derisa t’i pranojnë ato (vendimet e tua) plotësisht të nënshtruar.” (Nisa: 65)
Së dyti: Njeriu duhet të besojë gjithmonë në mënyrë të patundur, se gjykimi i Allahut është për të më i miri në përfitimet e kësaj bote dhe në botën tjetër, nëse njeriut i duket ndryshe kjo vjen si pasojë e mangësisë së tij njerëzore, sepse Allahu është Ai që i ka vënë këto ligje dhe Ai e di çfarë është më e mirë për njerëzit, sesa ç’mund të dinë njerëzit për veten e tyre, Allahu thotë: “A mos kërkojnë atëherë gjykimin e kohës së injorancës (padijes, para Islamit)? E kush është më i mirë në gjykim se sa Allahu për një popull që ka një besim të fortë?” (Maide: 50)
Së treti: Fakti që sistemi i praktikuar nëpër tregjet botërore është sistemi i fajdeve kjo nuk do të thotë, se ai është më i mirë se sistemi ekonomik islam. Kjo sepse përhapja e sistemit të fajdesë ka pasur arsyet dhe rrethanat e veta pse është përhapur. Një nga këto arsye është mbështetja e madhe që i kanë dhënë këtij sistemi organizatat kapitaliste dhe ata që kanë në dorë pushtetin, dhe ata janë përfituesit e parë prej tij. Kjo gjë u shoqërua me dobësinë politike në të cilën ndodhet bota islame, gjë që solli edhe mungesën e alternativave të përshtatshme që jep sheriati. Fakti që shtetet kapitaliste kanë arritur më tepër se kushdo mirëqenie më të lartë ekonomike nuk do të thotë domosdoshmërish, se e gjitha kjo ka ardhur si rezultat i suksesit të sistemit ekonomik të tyre. Janë disa faktorë që kanë kontribuar për këtë gjë, ku më të rëndësishmit prej tyre janë: stabiliteti politik, ndërtimi i organeve të shoqërisë civile, pushteti legjislativ, ai gjyqësor e i përmbarimit në atë nivel, sa ua kanë kaluar shumë shteteve, por një nga faktorët më të rëndësishëm është shfrytëzimi që i kanë bërë këto shtete pasurive të vendeve të tjera. Vënia në punë e të gjitha potencialeve ushtarake, politike, informative për të mbështetur sistemin e tyre ekonomik, nën lloj-lloj emrash, herë në emër të kolonializmit, herë nën presionin e jashtëm, e ndonjëherë me embargo ekonomike, apo luftën kundra terrorizmit, e ndonjëherë me pretendimin për reforma administrative, apo edhe me forma nga më të ndryshmet, quaji si të duash. Një njeri i zgjuar është në gjendje ta kuptojë, se qëllimi i të gjithë këtyre arsyeve dhe emërtimeve nuk është gjë tjetër veçse trysnia ndaj vendeve të tjera dhe përthithja e pasurive të tyre, si dhe pengimi i çdo lloj përpjekjeje për të konkurruar shtetet kolonizatorë.
Së katërti: kushdo që vështron me vëmendje gjendjen aktuale është në gjendje të dallojë mjerimet dhe fatkeqësitë, që ka sjellë sistemi kapitalist ndaj kombeve dhe shoqërive. Mund të shohësh se si një shtet i tërë rrënohet ekonomikisht brenda pak ditëve për shkak të situatave që krijohen nga natyra e këtij sistemi, ashtu siç mjafton të dimë se më tepër se gjysma e banorëve të tokës që jetojnë në sistemin kapitalist, jetojnë në varfëri, vetëm 5% e njerëzve të botës zotërojnë gjysmën e pasurisë të mbarë njerëzve, madje vetë treguesit ekonomikë të shteteve kapitaliste tregojnë se të pasurit vijnë duke e shtuar pasurinë e tyre, në mënyrë të vazhdueshme në llogari të të varfërve, dhe e gjithë kjo vjen si pasojë e mekanizmit me të cilin funksionon sistemi kapitalist, që nuk bën gjë tjetër veçse i shton pasurinë të pasurit dhe e varfëron edhe më tepër të varfrin. E si shpresojnë ata pastaj të përhapet mirëqenia në botë nën udhëheqjen e këtij sistemi?!
Së pesti: në dy dekadat e fundit në vetë shtetet perëndimore janë shfaqur disa forma ekonomike alternative, të cilat pajtojnë me Sheriatin Islam, siç janë për shembull ato që quhen ”Fondet e investimit” (Investment funds), të cilat punojnë sipas sistemit të ortakërisë në fitim dhe në humbje, gjë të cilin Islami e ka njohur që para më se katërmbëdhjetë shekujsh. Këto fonde kanë pasur një sukses të jashtëzakonshëm në krahasim me sistemin e interesave bankare (fajdeve), gjë që ka shtyrë shumë shtete evropiane, me në krye Gjermaninë, që kjo formë të jetë një nga praktikat kryesore në aktivitetin e bankave tregtare, dhe kjo mbasi ishte fiksuar në mendjet e njerëzve për shekuj me radhë se aktiviteti i bankave kufizohej vetëm në dhënien dhe marrjen e kredive me kamatë. Mjafton që të dimë se vlera tregtare e fondeve investuese vetëm në Amerikë i kalon tre trilion dollarët, sipas mendimit tim fondet e investimit janë një hap në drejtimin e duhur për t’iu larguar sistemit të kamatës dhe për të mbështetur investimet që veprojnë sipas sistemit të fitimit të bazuara në aktet e ortakërisë.
Së gjashti: për ta plotësuar po bëj një krahasim të shpejtë ndërmjet fitimit që nxirret nga sistemi që bazohet në ortakëri dhe nga fitimi që nxirret nga sistemi i kamatës. Sheriati Islam e ka ndaluar kamatën dhe e ka lejuar fitimin pa fajde për të realizuar synime dhe interesa të larta, që janë në të mirë të gjithë njerëzimit, siç është largimi i padrejtësisë ndaj tyre dhe realizimi i drejtësisë. Njeriu megjithëse i paditur dhe mizor, gjë që e karakterizon natyrën e tij të pavëmendshme e mbrapakthyese, nuk ngurron t’i nënshtrohet dhe t’i bindet çdo lloj ligji që shpikin banorët e tokës, me gjithë padrejtësitë dhe tiraninë që mbartin në vetvete ato ligje. Islami e ka ndaluar kamatën, sepse ajo shkakton padrejtësi dhe të këqija mes njerëzve, ndërsa e ka lejuar fitimin tregtar, sepse ai është i drejtë dhe mbarëvajtës mes njerëzve. Le të shohim tani disa nga pasojat ekonomike të çdonjërit prej tyre:
1- Fitimi tregtar pa kamatë realizon synimet për zhvillimin e vendit në të kundërt me kamatën, që bën të kundërtën, kjo sepse me përjashtim të disa kredive që jepen për zhvillim nga organizata të posaçme, tregu i kredive është një treg afatshkurtër, që do të thotë se kredidhënësit i shmangen më shumë kredive afatgjata nga frika e ndryshimit të vlerës së interesit, apo e rënies së fuqisë blerëse të monedhës, apo e ndryshimit të kursit të parave. Ndaj ka një mospërputhje të qartë ndërmjet synimeve të kredidhënësve dhe nevojës për investime afatgjata në fushat ekonomike jetësore, qëllime të cilat nuk mund të realizohen përveç nëse merret fitimi tregtar pa kamatë si standard prodhimi.
2- Sistemi i fitimit tregtar siguron kalimin e kapitalit në shoqëri në një kapital prodhues duke kontribuar në projektet industriale, bujqësore etj. Ndërsa sistemi i kamatës i bën njerëzit që t’i vendosin kursimet e tyre monetare nëpër banka kundrejt një interesi të ulët, të cilin e përcakton banka, e më pas bankat i kalojnë paratë jashtë vendit, duke u marrë atyre interesa të siguruara, duke mos kontribuar kështu këto para në zhvillimin ekonomik të vendit.
3- Fitimi tregtar është një faktor me rëndësi në shpërndarjen e pasurive ekonomike në të kundërt me kamatën, e cila është një mjet i keq dhe mashtrues në përcaktimin e këtyre pasurive. Kjo sepse mekanizmi i fitimit tregtar nxit që paratë të drejtohen drejt investimeve më të dobishme dhe që sjellin më tepër të ardhura, ndërkohë që kamata më shumë favorizon projektet e mëdha me argumentin se ato janë më të afta për të shlyer kredi të mëdha dhe me interes të vogël, pa marrë parasysh sesa prodhimtare ato janë, gjë që çon në përqendrimin e pasurive në duart e një pakice fajdexhinjsh.
4- Fitimi që nxirret si rezultat i lidhjes së parasë me punën, dhe të ardhurat monetare të realizuara në pajtim me këtë sistem janë të lidhura me mallrat dhe shërbimet e domosdoshme, që përkundrejt i sigurohen shoqërisë, dhe kjo në dallim me sistemin e kamatës, ku bankat tradicionale përfshijnë në proceset e dhënies së kredive shtimin e parave të ofruara, gjë që lejon shtimin e trysnisë inflacioniste.
5- Bankat gjatë shfrytëzimit të depozitave nëpërmjet sistemit të kamatës krijojnë monedha artificiale, të cilat njihen me emrin siguracione tregtare, duke marrë kështu në dorë kompetencën ligjore të shtetit për nxjerrjen e parasë, funksion ky që ka përgjegjësitë e veta. Studiuesit muslimanë nuk janë ata të vetmit që e kritikojnë një praktikë të tillë, por edhe shumë ekonomistë perëndimor janë të një mendimi se siguracioni që japin bankat qoftë për fondet e amortizimit apo të prodhimit janë në gjendje të shkaktojnë lëkundje të sistemit ekonomik, kjo sepse në vendet kapitaliste shitblerjet nuk kryhen më me flori, argjend apo kartëmonedha, përveç rasteve të rralla, ndërsa pjesa më e madhe kryhen me çeqe. Ajo çka ndodh në realitet është se bankat gjatë periudhave të mirëqenies zgjerohen në dhënien e kredive duke hapur derën e huadhënieve, që i shumëfishojnë fondet e tyre, e ndërsa në periudhat e ngecjes ekonomike tërhiqen nga dhënia e huave dhe i detyrojnë klientët e tyre të paguajnë, pikërisht kjo dhënie dhe marrje, të cilën e komandojnë fajdexhinjtë e bankave është një nga faktorët kryesorë, që trondit strukturën ekonomike dhe çon në vazhdimësinë e krizave.
6- Dhe çudia e njeriut nuk ka të sosur, kur ne mësojmë se ka pasur dijetarë muslimanë të hershëm, të cilët kanë folur për dëmet ekonomike që sjell kamata, a thua sikur ata po përshkruajnë gjendjen e rrënimit, që po përjeton sot bota financiare. Imam Gazaliu- Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kamata është ndaluar, sepse ajo i pengon njerëzit të merren me punë dobiprurëse, kjo sepse ai që zotëron para, nëse arrin që nëpërmjet kamatës t’i shtojë ato para herët apo vonë, ai nuk është në gjendje më të punojë për të siguruar jetesën me anë të tregtisë apo zejtarisë, dhe kjo gjë çon pikërisht në ndërprerjen e dobive mbarë njerëzore. Siç edhe dihet, interesat e shoqërisë mund të plotësohen vetëm nëpërmjet tregtisë, zejtarisë, industrisë dhe ndërtimit.” E ndërsa Ibën Kajimi -Allahu e mëshiroftë, kur flet për dëmet që shkaktohen nga fitimi i parave me anë të parave (kambizmit) dhe urtësinë pse është e ndaluar kamata e parasë me paranë (riba el-fadël) thotë: “Vlera e parasë është kriteri nëpërmjet të cilit njihet vlera e mallrave, ndaj dhe ai duhet të jetë i përcaktuar dhe i kufizuar, as të mos ngrihet e as të mos ulet. Nëse parasë i ngrihet dhe i ulet vlera si mallrave, atëherë nuk do të kemi dot një vlerë monetare të përcaktuar me të cilën do të mund të vlerësojmë mallrat. Nevoja e njerëzve për një vlerë monetare me të cilën do të vlerësonin shitblerjen është një nevojë e domosdoshme për të gjithë. Kjo gjë mund të arrihet vetëm me anë të një çmimi nëpërmjet të cilit do të njihet vlera e gjërave dhe kjo kërkon që të ketë një vlerësues apo një vlerë monetare me të cilën do të bëhet vlerësimi i sendeve dhe të jetë e njëjtë gjatë gjithë kohës, dhe ky vlerësues (pra, paraja) të mos vlerësohet nga diçka tjetër dhe të shndërrohet në mall që i ngrihet dhe i ulet çmimi duke prishur kështu marrëdhëniet financiare mes njerëzve. Një dëm të tillë mund ta shohësh mes njerëzve, që kur paratë janë kthyer në mall për të nxjerrë fitime, sa padrejtësi e sa të këqija ka sjellë një gjë e tillë. Paratë nuk janë qëllim në vetvete, por mjet për të siguruar mallin e nëse paratë konsiderohen si mall që mund të blihen e shiten atëherë pikërisht kjo gjë i prish marrëdhëniet financiare mes njerëzve.” Në komentin e Kuranit të titulluar El-Menar autori thotë: “Ka edhe një aspekt tjetër pse është ndaluar kamata dhe jo tregtia, dhe ky aspekt qëndron në faktin që paratë, si floriri dhe argjendi, janë bërë për të vlerësuar koston e gjërave, që iu vlejnë njerëzve në jetë, e nëse kjo gjë ndryshon dhe vetë paraja bëhet qëllim tregtie, atëherë një gjë e tillë çon në largimin e pasurisë nga duart e shumicës së njerëzve, dhe në kufizimin e saj në duart e atyre pak njerëzve, që merren vetëm me përfitimin e parasë nëpërmjet parasë. Dhe së fundi disa tituj librash të vlefshëm për këtë temë:
1- Nahue nidhami nakdij adil (Drejt një sistemi të drejtë financiar) Dr. Muhamed Umer Shebabira botuar nga Instituti Botëror i Mendimit Islam www.iiit.org
2- Meusuatul iktisad el-Islami (Enciklopedia e ekonomisë islame) Dr. Muhamed Abdulmunim Xhemal
3- Si edhe shumë prej botimeve të Institutit të Shkencave Islame dhe Arabe me qendër në Amerikë www.iiasa.org
nga arabishtja: Justinian TOPULLI
Revista Albislam nr. 81