Shqipëria do ta miratojë me ligj heqjen e roamingut të telefonisë mobile me Kosovën.
Propozimi i deputetit Eduart Shalsi u miratua nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, e tashmë do të jetë seanca plenare që do të japë miratimin përfundimtar.
“Pikërisht në datën 30 maj, Kuvendi ka miratuar një rezolutë për heqjen e Roamingut. Është rezolutë në fakt, ndërkohë që ne gjykuam që të kalojmë me një propozim konkret dhe ta miratojmë në Parlament heqjen e roamingut”, është shprehur Shalsi.
Ky ndryshim ligjor mundëson që roamingu të hiqet edhe me vendet e tjera. Ai krijon hapësirën e duhur për AKEP-in, për rregullimin e tarifave të “Roaming”-ut ndërkombëtar.
Në këtë mënyrë, qytetarët shqiptarë nuk do të paguajnë tarifa shtesë për përdorimin e celularit në Kosovë dhe e njëjta gjë do të ndodhë edhe me qytetarët e Kosovës kur vijnë në Shqipëri.
Kjo përfshin edhe tarifat e shërbimeve të lidhura me roamingun ndërkombëtar, transmeton Tch.
Sipas të dhënave të AKEP-it, Kosova është vendi me të cilin shkëmbehet më shumë trafik në roaming ndërkombëtar, në vendet e rajonit, ndaj dhe heqja e tarifave me marrëveshje dypalëshe Shqipëri-Kosovë do të sillte përfitime të mëdha për qytetarët e të dyja vendeve.