4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Dialog me dinarin – Xhasim el Mutava

Më të lexuarat

Sytë më zunë një fukara me rroba të rreckosura, të thyer në moshë, të uritur dhe të etur.

E pashë të shtrirë pranë portës së një banke, i zhytur në një gjumë të thellë. Rrezet e diellit i aviteshin pak e nga pak, derisa arritën tek kraharori i tij, por ai nuk e prishi terezinë dhe nuk e ndjeu nxehtësinë e tyre.

Qëndrova pranë tij, duke e shikuar me habi, ndërkohë që me vete thoja:
”I pa të meta je Ti o Zot! Vetëm disa metra e ndajnë këtë njeri në pikë të hallit nga thesari dhe kasafortat e bankës. A nuk është ky një fakt, që tregon se ne sot jetojmë në botën e kontradiktave?!

Futa dorën në xhep, ku ndjeve të lëvizë diçka e çuditshme. E kapa me gishta atë që lëvizte, e nxorra jashtë dhe pashë që ishte një dinar.

I habitur e pyeta:
”Çfarë janë gjithë ato lëvizje në xhepin tim”?

Dinari:
”Ka kohë që jam në xhepin tënd dhe nuk më ke trajtuar sipas funksionit për të cilin jam prodhuar”!

Unë:
”E cili na qenka ky funksioni yt”?

Dinari:
”Të më shpenzosh për nevoja të familjes, prindërve, nevojave të tua personale apo nevojave të muslimanëve në tërësi. Të ndihmosh një hallexhi, t’i lehtësosh jetesën një jetimi etj…”

Unë:
”Po si arrite deri tek unë o dinar?”

Dinari:
”Historia ime është shumë e gjatë. Kam kaluar nga një dorë tek tjetra dhe nga një qeskë tek një tjetër. Personi i parë më shkëmbeu me një shishe raki. I dyti më shkëmbeu me një kasetë filmi të turpshëm, i treti më përdori për rryshfet tek një funksionar i lartë, i katërti më shkëmbeu me një mall dhe kështu vazhdova derisa arrita tek ti. Të gjithë personat që kam njohur, i kam njohur si robër të pasurisë. Ty nuk të njoh akoma”.

Unë:
“Po si e dalloje që ishin robër të pasurisë”?

Dinari:
Nga mënyra si më përdornin. Ata nuk më shpenzonin në udhë të Zotit.

Hasan El-Basri thotë:
“Çdo umet ka një idhull, të cilin e adhuron dhe idhulli i këtij umeti është dinari”.

Dhe ti nëse nuk më shpenzon në udhë të Zotit dhe në vepra bamirësie, do të vuash dhe do të digjesh në emrin tim”.

Unë i thashë gjithë habi:
“Çfarë do të bësh?! Do më djegësh në emrin tënd?!
E si do të ndodhë kjo?!”

Dinari:
”Po. Shkronjat e para të emrit tim janë “Din” (fe), gjë e cila të kujton obligimet dhe detyrat kundrejt fesë dhe Zotit.

Kurse pjesa e fundit e emrit tim është “nar” (zjarr), i cili do të të djegë nëse me grumbullon në banka, nuk më shpenzon për mirë ose më shpenzon në rrugë të pandershme.

Zoti thotë në Kuranin famëlartë:
”Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm”. (Teube 34)

Unë: ”Ti qenke shumë i rrezikshëm o dinar”!

Dinari:
”Po, unë jam i rrezikshëm, prandaj të këshilloj të më trajtosh siç duhet, me qëllim që t’i ruhesh ndëshkimit të Zotit Ditën e Kijametit. Hidhi sytë dhe shikoji ata, që kanë mbjellë të këqija dhe presin të korrin të mira. E si mund të vilet rrush nga ferrat?!

Ruaju se mos ndjek rrugën e tyre. Ja ku e ke një të varfër para teje, më dhuro tek ai, që të dëshmoj në favorin tënd Ditën e Kijametit. Pas kësaj, përpiqu të kesh ndjeshmërinë e Ibnu Ujejnes”.

Unë:
” Kush është ky Ibnu Ujejne dhe çfarë ndjente ai”?

Dinari: ”Ai është nga brezi i tabi’inëve. Emri i tij ishte Sufjan ibnu Ujejne dhe ishte i njohur për dhënien e pasurisë dhe pasionit për të mirën.

Një nga miqtë e tij tregon:
”Isha duke ecur me Sufjan ibnu Ujejne dhe një lypës i del para dhe i kërkon diçka. Ngaqë nuk kishte gjë për t’i dhënë, i rrodhën lotë”.
Unë e pyeta: ” Përse qan o dijetari ynë?”

Ai më tha:
”E çfarë fatkeqësie më e madhe mund t’i ndodhë një njeriu, kur të tjerët presin prej tij diçka të mirë dhe nuk e gjejnë tek ai”?

Unë:
”I pa të meta je Ti o Zot! Ky njeri paska pasur zemër dhe shpirt të madh”.

Dinari:
”I tillë duhet të jesh dhe ti. Shfrytëzoje jetën, mos e shpërdoro rininë dhe bëj punë të mira, që Zoti ta shumëfishojë shpërblimin tënd”.

Unë:
”Po a ka dallim mes atij që jep pasuri në rini dhe atij që jep në pleqëri”?

Dinari:
”Po. Shkoi një burrë tek i dërguari i Zotit dhe i tha:
”O i dërguar i Zotit! Cila sadaka ka më shumë sevap”?

Profeti a.s i tha:
”Kur jep sadaka duke qenë i shëndetshëm, dorështrënguar dhe i frikësohesh fukarallëkut”.

Një njeri që është i shëndetshëm, në përgjithësi është dhe dorështrënguar pasi e ndjen ëmbëlsinë dhe pushtetin që të jep pasuria. Ai shpreson se do të jetojë gjatë dhe nga kjo i ruhet varfërisë.

Thotë Ibnu Bettal:
”Duke ditur se kopracia është cilësi e njerëzve të shëndetshëm, dhënia e pasurisë të varfërve tregon qëllimin e sinqertë dhe shpërblimin e madh që fiton. E kundërta ndodh me një njeri, të cilit i është mërzitur jeta”.

Unë:
”Për Zotin sapo më ke hapur dyer, të cilat i kam pasur të mbyllura deri tani. Prandaj Zoti t’a shpërbleftë me të mira.
Megjithatë, a nuk mendon se ti o dinar je sprovë në këtë botë”?

Dinari:
”Sigurisht që jam sprovë. Të shumtë janë dijetarët dhe zahidët, që kanë rënë në grackën time. Të gjithë ranë pre e dashurisë për pasurinë. Besoj të ka ndodhur të shohësh të rinj, që i përmbahen traditës së Profetit a.s në veshje dhe në paraqitjen e jashtme. Megjithatë, këta e kanë të pamundur t’a përmbajnë veten, kur dëgjojnë tingullin e dinarëve”.

Unë:
”E si mund të ndodhë kjo? Ti vetë sapo the, që i përmbahen traditës së Profetit a.s dhe janë të përkushtuar”!

Dinari: jo është fitne o miku im. Ti akoma nuk e ke parë.
Dëgjo se çfarë thotë poeti lidhur me këtë çështje:
Mos u mashtro nga këmisha plot arna e dikujt
As veshja e shkurtër, e ngritur deri tek gjunjt
As me shenjën e sexhdes që ka në ball
Tregoji dërhemin t’a njohësh si mall

Unë:
”Të vërtetën ke thënë o dinar dhe lutju Zotit, që të më pajisë me zemër të pasur dhe të mos më sprovojë”!

Dinari:
”Tani më jep tek ky i varfër i mjerë, që të të dojë Zoti, të jem shkak i shuarjes së zemërimit të Zotit dhe të shpërblehesh për këtë vepër të mirë”.

Unë: ”Mirë”.

U afrova pranë të varfërit dhe duke e prekur me dorë në kraharor i thirra:
”O i nderuar! O i nderuar!” Ai hapi sytë dhe i frikësuar u ngrit në këmbë.

Unë i thashë:
”Mos kij frikë, unë jam një bamirës. Doja të të jap këtë dinar, duke shpresuar se do të kryesh ndonjë nevojë”.

Por i varfri u ul dhe refuzoi t’a marrë dinarin duke thënë: ”Unë nuk jam lypës”.

Unë i thashë:
”E di që nuk jeni lypës, por ndoshta keni nevojë për ndihmë”.

Ai e mori dinarin dhe më tha:
”Zoti të shpërbleftë me të mira!” dhe vazhdoi gjumin.”

Marrë nga libri me titull:
“Dialogje besimi” i autorit “Xhasim El-Mutava”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit