Të dhënat e “Opta Sports”, një kompani statistikash ndërkombëtare e sporteve me seli në Britaninë e Madhe, tregojnë se Mesut Ozil, i cili sapo ka mbushur 30 vjeç këtë të hënë, është tejet i larguar nga ndjekësit e tjerë në Europë kur bie fjala te krijimi i rasteve për gola.
Mesut Ozil duket të jetë ai personazh, që herë i irriton tifozët e Arsenalit, për shkak se shumë prej tyre vënë në dukje mungesën e vazhdimësisë që prej ardhjes së tij te “topçinjtë” në vitin 2013, e në raste të tjera i mrekullon me atë çfarë dhuron në fushë.
Gjithsesi, të akuzosh mesfushorin se nuk ka vazhdimësi në të gjitha aspektet duket shumë e padrejtë, sidomos kur merr në konsideratë një statistikë të veçantë.
Sipas të dhënave të “Opta”-s, 30-vjeçari Ozil ka krijuar më shumë mundësi të pastra për gola sesa të gjithë futbollistët e tjerë të 5 kampionateve elitare të Europës, që prej 1 korrikut të vitit 2006: në total plot 1.033 raste.
Sigurisht, kjo shifër përfshin edhe aktivizimin në ekipet e para të tij, Schalke 04 dhe Werder Bremen, për të kaluar më pas me 3 sezonet e kaluara me Realin e Madridit, si dhe 5 vitet që luan në Londër me “topçinjtë”, duke qenë kështu një shpërndarje mes 3 kampionateve të ndryshme.
Ozil është shumë përpara ndjekësit më të afërt, Dimitri Payet, i cili ka krijuar plot 1.016 raste. Cesc Fabregas është i treti me 932 raste; David Silva i katërti me 886 raste dhe Lionel Messi i pesti me 861 raste. Dhjetëshen e plotësojnë Eden Hazard (794), Marek Hamsik (740), Juan Mata (723), Francesco Totti (696) and Cristiano Ronaldo (695).