Në shumë qendra të emergjencës anembanë Turqisë, u krijuan linja të pritjes nga qytetarët e shumtë të cilët kërkuan ndihmën mjekësore për prerjet në dorë ose këmbë gjatë therjes së kurbanit
Qindra njerëz kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Turqi nga shkaku i lëndimeve të marra gjatë përdorimit të pashkathtë me thikë gjatë therjes së kurbanit në ditën e parë të Kurban Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në shumë qendra të emergjencës anembanë Turqisë, u krijuan linja të pritjes nga qytetarët e shumtë të cilët kërkuan ndihmën mjekësore për prerjet në dorë ose këmbë gjatë therjes së kurbanit.
Në mesin e tyre, jo rrallë mund të shiheshin edhe persona të mitur, të cilët kishin provuar veten në ritualin e sakrifikimit të kafshës.
Në bazë të informatave të para të cilat i kanë marrë gazetarët e AA-së, në Sakarya, Kocaeli dhe Zonguldak, gjithësej 181 persona kërkuan ndihmë mjekësore, për prerje në ekstremitetet e tyre.
Në Kayseri, Sivas dhe Kirkale janë plagosur 120 persona ndërsa në Gaziantep, Kahramanmaras dhe Malatya 76 persona.
Në Duzce, Bartin dhe Boluu, ndihmë mjekësore kërkuan 52 persona. Në Antalya, Mugla, Burdur dhe Isparta, janë plagosur 126, ndërsa në Denizli dhe Aydin u plagosën 182 persona.
Para festës së Kurban Bajramit mjekët këshilluan qytetarët që punën e therjes së kurbaneve t’ua lënë në dorë ekspertëve për të shmangur lëndimet e mundshme.
“Duhet lënë punën ekspertëve, unë nuk e bëra një gjë të tillë, dhe ky është epilogu”, thotë Mustafa Kiniq (54) i cili kishte pësuar të prera në dorë.