E përditshmja gjermane, “Berliner Zeitung”, njoftoi se janë nxjerrë në shitje grupe të ndryshme lodrash për fëmijë, të cilat formohen nga tanke, mjete luftarake dhe ushtarë të Rajhut të Tretë…
“Lodrat naziste” kanë shkaktuar indinjatë dhe reagime në Gjermani.
E përditshmja gjermane, “Berliner Zeitung”, njoftoi se janë nxjerrë në shitje grupe të ndryshme lodrash për fëmijë, të cilat formohen nga tanke, mjete luftarake dhe ushtarë të Rajhut të Tretë.
Këto lodra janë gjenden në këndin e lojërave kompjuterike të një prej qendrave tregtare më të mëdha të Berlinit, në sheshin e famshëm “Alexanderplatz”.
Në raftet e kësaj qendre tregtare ekspozohen 5 grupe të ndryshme lodrash duke përfshirë avionë të forcave ajrore dhe mjete luftarake naziste.
Lodrave u janë dhënë emrat origjinalë të mjeteve luftarake tokësore naziste, siç janë “Tiger”, “Jagdpanther” e “Mauerbrecher”, si dhe aeroplanët e “Luftwaffe”. Përveç kësaj, çdo lodër ka ambalazhin e saj një fotografi të mjetit origjinal dhe informacione apo fakte historike rreth tij.
Kurse në krahët e ushtarëve lodër, të veshur me uniformën e zezë të oficerëve të Vermahtit dhe Skuadrës së Mbrojtjes (SS), është vendosur emblema kombëtare e Rajhut të Tretë (Gjermania Naziste), por pa kryqin e thyer.
Mbi uniformat e ushtarëve mungojnë gjithashtu kafka dhe dy rrufetë që simbolizojnë SS-në, pasi ato ndalohen rreptësishtë nga Kushtetuta gjermane.
Sipas lajmit të gazetës “Berliner Zeitung”, administratori i qendrës tregtare është “tmerruar” kur u informua se këto lodra ishin në shitje dhe ka kërkuar që ato të hiqen urgjentisht nga raftet.
Megjithatë disa tregtues kanë theksuar se nuk arrijnë t’i kuptojnë reagimet në fjalë duke argumentuar se Rajhu i Tretë është një pjesë e historisë së vendit të tyre. Ata tërheqin vëmendjen se nëpër dyqane shiten lodra shumë më të rrezikshme.
Një zëdhënëse e kompanisë që nxori në shitje në Berlin modele të Rajhut të Tretë, i tha gazetës se firma shpreh keqardhje nëse lodrat dhe figurat në fjalë kanë shkaktuar indinjatë apo janë keqkuptuar.
Lodrat janë hequr nga raftet e qendrës tregtare në Berlin dhe kompania ka premtuar t’i heqë ato gjithashtu nga filialet e tjera të saj anembanë Gjermanisë dhe nga platforma e shitjeve në internet.