Kompania turke Limak Holding ka përgënjeshtruar lajmin e disa mediave se është e përfshirë në ndërtimin e ambasadës së SHBA-ve në Kuds
STAMBOLL (AA) – Kompania turke Limak Holding ka përgënjeshtruar lajmin e disa mediave i cili ka qarkulluar ne rrjetet sociale, në të cilin thuhet se ajo është e përfshirë në ndërtimin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kuds, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, Limak Holding tha se kompania “përfundimisht” nuk merr pjesë në projektin e ndërtimit të ambasadës amerikane në Kuds.
“Informacioni se ndërtimi i ambasadës amerikane në Kuds do të bëhet nga Limak Holding nuk paraqet të vërtetën”, thuhet në kumtesë.
Në të sqarohet se Limak Holding për pesë vite ka bashkëpunuar me kompaninë Desbuild me seli në SHBA, me të cilën ka përfunduar disa projekte të Departamentit Amerikan të Shtetit, përfshirë edhe ndërtimin e ambasadave amerikane në Bagdad, Bejrut, Zelandë të Re dhe Belize.
“Kur çështja e ndërtimit të ambasadës së SHBA-ve në Kuds u shfaq në agjendë, ne njoftuam kompaninë Desbuild se nuk do të marim pjesë në cilësi të partnerit në këtë projekt, për çka nuk do të japim ofertën tonë”, thuhet në njoftimin e Limak.
Edhe kompania amerikane Desbuild ka bërë të ditur se Limak nuk është pjesë e projektit në fjalë, duke sqaruar se në ndërtimin e ambasadës amerikane në Kuds do të jenë kompania e vetme e përfshirë.